Torino: Qytetarët e rinj dhe shtetësia italiane - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Më 9 korrik, mbahet në Torino konferenca “Qytetarët e rinj dhe shtetësia italiane”

Torino, 10 korrik 2010 – Italia rritet, por vetëm falë emigrantëve. Sipas të dhënave më të fundit të ISTAT-it (Institutit Italian të Statistikave) popullsia italiane është rritur gjatë vitit 2009 me 0,5%, ose 295 mijë banorë, të gjithë të huaj. Numri i rezidentëve joitalianë në fund të vitit të shkuar ka arritur të përbëjë plot 7% të të gjithë popullsisë, ose e thënë me shifra absolute: të huajt në Itali janë mbi 4,2 milionë banorë – shifër e cila sot,  po të llogaritet koeficienti i rritjes së viteve të fundit, duket t’i ketë kaluar 4,5 milionët.

Në rritje rezulton gjithashtu edhe numri i qytetarëve të pajisur me shtetësi italiane, mbi 40 mijë vetëm në 2009-ën. Renditjen e shteteve, qytetarëve të të cilëve u është dhënë shtetësia italiane, e kryeson pikërisht Shqipëria, mbi 6 mijë qytetarë janë pajisur gjatë 2009-ës me pasaportën e tyre të dytë.

Çështja e shtetësisë, një nga temat më të diskutuara të debatit publik në Itali, u trajtua të premten e shkuar, më 9 korrik 2010, në Torino, në konferencën “Qytetarët e rinj dhe shtetësia italiane” e ideuar dhe e organizuar nga parlamentari italian Marco Calgaro dhe gazetari Benko Gjata, korrespondent i akredituar i ATSh.-së në Itali.

Në konferencë merrnin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale si Aksesori i Çështjeve Sociale në Bashkinë e Torinos, Marco Borgione, historiani Raffaele d’Amato dhe përfaqësues të shumtë të bashkësive të huaja që jetojnë në Torino.

Relatorët dhe pjesëmarrësit theksuan nevojën e rishikimit të ligjit aktual të shtetësisë italiane, që nën dritën e zhvillimeve të viteve të fundit në fushën e emigracionit konsiderohet krejt i papërshtatshëm. Reduktimi i numrit të viteve të rezidencës së pandërprerë në Itali si kusht për dhënien e shtetësisë;  njohja automatike e shtetësisë italiane fëmijëve të emigrantëve të lindur në Itali, apo të ardhur këtu në moshë të vogël; reduktimi i kohëve të stërgjata të burokracisë për vlerësimin e praktikave, ishin disa nga propozimet kryesore që u diskutuan gjatë takimit.

Të pranishmit ranë gjithashtu dakord se marrja e shtetësisë italiane nuk nënkupton mohimin e kulturës dhe rrënjëve të vendit të origjinës, përkundrazi. Ajo është një gjest simbolik, që shpreh vullnetin për të qenë pa rezerva pjesë e një bashkësie që jeton, punon dhe ndërton të ardhmen e saj të përbashkët në nje territor të caktuar.

Në fund të takimit, për të pranishmit u ofrua një koktej me specialitete të traditave gastronomike të vendeve të ndryshme të botës.