Trekking në Shqipëri e Kosovë. 12-18 gusht 2013 - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Një paketë udhëtimi (trekking) që rezervon jo vetëm një shëtitje të mrekullueshme nëpër peizazhe të virgjëra e të serta, pyje të pafund, lumenj të kristaltë dhe maja të larta e të thepisura, por edhe kulturë e  traditë autentike malësore. Falë bashkëpunimit mes Trekking Italia, ICSE & Co dhe AssoAlbania

Turizmi në Shqipëri po përjeton një zhvillim të madh cilësor dhe çelësi i këtij suksesi është i thjeshtë: Shqipëria ofron më shumë nga ç’mund të imagjinohet, duke të mahnitur, befasuar dhe çoroditur në të njëjtën kohë.

"Udhëtimi-Trek" në Alpet shqiptaro-kosovare, i organizuar nga ICSE & CO (International Center for Southern Europe) në bashkëpunim me Trekking Italia, nga 12 deri më 18 gusht 2013, ka për qëllim zbulimin e  natyrës së egër e madhështore, të shtigjeve të panumërta e të pashkelura më parë, të qyteteve historike e të kulturës së lashtë.

Udhëtimi, nën kujdesin e guidave të Trekking-Italia dhe atyre vendase shqiptare, fillon nga Shkodra, për të  vazhduar drejt parqeve natyrore të Valbonës dhe Thethit në veri-lindje të Shqipërisë, akoma më tej drejt Kosovës duke kaluar nga liqeni i Komanit në drejtim të qytetit historik të Gjakovës për të mbërritur në qytetin mijëvjeçar të Prizrenit. Transporti, ushqimi dhe akomodimi janë të përfshira në tarifën e pjesëmarrjes (shtyp këtu për udhëzime e informacione).

Kjo paketë udhëtimi lind nga një bashkëpunim dyvjeçar mes Trekking Italia, ICSE & Co (international center for southern europe) dhe AssoAlbania (shoqata e sipërmarrësve shqiptarë në Itali) dhe synon të sensibilizojë opinionin rreth turizmit alpin dhe rural në Shqipëri.

Të interesuarit mund të ndjekin udhëzimet në faqen e Trekking Italia e ICSE & Co.
Ose të kontaktojnë në numrat e mëposhtëm:
Telefon: +39 055 2341040
E-mail: firenze[at]trekkingitalia.org; info[at]icse-co.org