Tridhjetë artistë shqiptarë e të huaj në Festivalin e Jazz-it në Shkodër - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Edicioni i gjashtë i këtij festivali nisi në skenën e teatrit Migjeni, ku krahas artdashësve të shumtë ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Spanjës në Tiranë Emanuel Montobbio, i cili ka mbështetur këtë aktivitet, duke mundësuar dhe pjesëmarrjen për herë të dytë në Shkodër të grupeve më të mira spanjolle

shkoder-fest-pic.gif13 Qershor – Për të gjashtin vit me radhë në qytetin e Shkodrës është zhvilluar festivali ndërkombëtar i xhazit, me pjesëmarrjen e rreth 30 artistëve. 
Festivali i nisur vite më parë në nderim të Rrok Jakajt, artistit të talentuar shkodran, i cili u nda nga jeta për shkak të një aksidenti automobilistik, u zhvillua me mbështetjen financiare të bashkisë së qytetit, Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Spanjës e asaj së Austrisë në Shqipëri.

shkoder-festival-jazz.jpg“Rrok Jakaj është një nga artistët më në zë që ka dalë nga shkolla e mesme artistike ‘Prenkë Jakova’ në qytetin e Shkodrës, i cili pas një karriere të shkëlqyer në Shqipëri, u zhvendos në Itali, ku ishte po aq i suksesshëm, sidomos për muzikën xhaz”, tha për ATSh-në Elena Zorba, drejtoreshë e kulturës në bashkinë e Shkodrës. 
Madje në nderim të këtij muzikantit Jakaj, një grup artistësh shqiptarë dhe italianë, kanë krijuar dhe shoqatën artistike “Rrok Jakaj”, e cila është dhe organizatore e “Shkodra Jazz Festival”.

Edicioni i gjashtë i këtij festivali nisi në skenën e teatrit Migjeni, ku krahas artdashësve të shumtë ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Spanjës në Tiranë Emanuel Montobbio, i cili ka mbështetur këtë aktivitet, duke mundësuar dhe pjesëmarrjen për herë të dytë në Shkodër të grupeve më të mira spanjolle.
Nga skena e teatrit Migjeni, ambasadori Montobbio vlerësoi organizimin e “Shkodra Jazz Festival”, ndërkohë që ka shprehur vlerësime edhe për qytetin e Shkodrës, si një qytet me tradite në kulturë.

Publiku shkodran ka duartrokitur koncertin e organizuar nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj”, në bashkëpunim me “Optional Music International”, ku ka spikatur grupi muzikor i jazz-it klasik me improvizime e variacione të ndryshme, një flamenko e Jorges Pardos, Isaac Turienzo i cili vlerësohet si një nga muzikantët më në zë të skenës spanjolle si dhe talenti shqiptar Orges Toçe, i cili debuton me sukses në skenat botërore.

“Shkodra Jazz Festival” është zhvendosur më pas në rrugën muzelale të qytetit “Kol Idromeno”, një rrugë kjo pedonale, por edhe në disa prej lokaleve karakteristike të Shkodrës, ku artistët pjesëmarrës kanë interpretuar mbi bazën e një programi të hartuar nga organizatorët.

G. Marku, ATSh