in

23 qershor 2013, Shqipëria në zgjedhje

Sot, në orën 07:00 në Shqipëri është hapur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, nga do të dalin 140 deputetë mbi bazën e sistemit proporcional rajonal. Në votime janë thirrur 3 milionë e 271 mijë e 956 zgjedhës, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik ose 120.845 zgjedhës më shumë se në zgjedhjet parardhëse. Rreth 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00. Çdo qytetar duhet të jetë i pajisur me një dokument identifikimi, kartë identiteti ose pasaportë gjatë procesit të votimit.

Exit Poll i parë: E majta fiton me 56%. E djathta shkon deri në 43%

Exit poll-i i parë që është realizuar nga IPR Marketing për Ora Neës i jep një fitore të jashtëzakonshme opozitës, nga 52 deri në 65%. Ndërkohë koalicioni i djathtë shkon deri nga 39 deri në 43%.

Në total PS merr nga 37 deri në 41%, LSI merr nga 7 deri në 11%. Kurse në kampin e djathtë, PD merr nga 33 deri në 37%. PDIU merr nga 1,5 deri në 3,5%.

Për dy forcat e paraqitura më vete, sipas exit poll-it të parë, qoftë FRD qoftë Aleanca Kuqezi marrin nga 1 deri në 5% të votave.

Ky është një exit poll me përgjigjet e personave që sapo kishin votuar deri në orën 15.00. pritet të ketë të tjerë.

Berisha e Rama, nxitje përkrahësve në Facebook apo Twitter

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka ftuar përmes profilit të tij ne FB, shqiptarët të votojnë numrin 44.
“Fitoreeeeeeeee! Nr. 44 ju pret të gjithëve! Nr. 44 pret çdo votë! Përpara drejt fitores! sb”- shkruan Berisha në profilin e tij ne FB në orën 17.00, ndërkohë qe mbeteshin edhe dy ore nga orari zyrtar i qendrave te votimit.

Ndërsa mbetet edhe vetëm një orë nga mbyllja zyrtare e qendrave te votimit, bën thirrje lideri i opozitës. Kreu i PS-se, Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në Twitter lajmin e mirë se pjesëmarrja e votuesve ne Vlore, sipas tij e ka kaluar atë të vitit 2009.
“Vlora sapo kaluam pjesëmarrjen e 2009 dhe është ora për ta bere fora! Kush s’ka votuar ta bëjë, kush ka votuar të telefonojë për vota të tjera”- shkruan Rama në Twitter.

KQZ: “Deri në orën 13.00 ka votuar vetëm 37,51% e popullsisë”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar pjesëmarrjen në votime deri në orën 13:00.
Në një deklaratë për mediat, rreth orës 16.30 minuta, zëdhënësja Hoxhaj bëri të ditur se:

Në ZAZ nr. 68, Berat, kanë votuar 7.327 votues, ose 37,51 %;
Në ZAZ nr. 17, Dibër, 2.395 votues, 32,09 %;
Qarku Durrës; në ZAZ 21-10 661votues, 37,96%, ZAZ 23- 8363 votues ose 29,95 %;
Qarku Fier, në ZAZ 55, kanë marrë pjesë 14.601 votues, 37,23 %;
Qarku Gjirokastër, në ZAZ 80- 9556 votues 36,42%;
Në ZAZ 70, Qarku Korçë,  41,2 %, në ZAZ  72 po në këtë qark, kanë marrë pjesë 7.506 votues ose 42,16%;
Në ZAZ 13 të Qarkut Lezhë, 10.209 ose  30,77 % dhe në ZAZ 15 po në këtë qark, kanë marrë pjesë 4.365 votues ose 41,54 %;
Në ZAZ 3 qarku Shkodër kanë marrë pjesë në votime 4.999 votues, 39,32 %  në ZAZ 6,  9.175 votues ose 31,13%, dhe në ZAZ 7, 8.360 ose 29,01%;
Në Qarkun e Tiranës,  në ZAZ nr. 28, 4.819 votues 42,75  %, ZAZ 30, 1.447 votues 30,19 %, ZAZ 31 5.797 votues ose 42,92 %, ZAZ 32, 15.043 votues ose 43,72%, ZAZ 34, 2.619 votues 34,52 %, ZAZ 40, 3.695 votues 34.69 %;
Në Qarkun Vlorë ZAZ 83, 6399 votues ose 23%, ZAZ 87, 7174 votues ose 29.37%;
Zëdhënësja Hoxha bëri të ditur se ka disa ZAZ që nuk kanë sjellë të dhëna herë pas herë në KQZ, ndërsa u bëri apel që të përcjellin të dhënat.

Kukan: “Dhuna në zgjedhje e papranueshme, duhet hetuar”

Kreu i delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan thekson se PE pret që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Pas një takimi të zhvilluar në selinë e PS-së, me përfaqësues të këtij subjekti politik, Kukan nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar shpreson që Shqipëria të lëvizë drejt integrimit.

Lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Laç, ku një simpatizant i LSI-së u vra dhe 3 persona të tjerë u plagosën, kreu i delegacionit të PE-së theksoi rëndësinë që të mos nxirren konkluzione paraprake pa u hetuar më parë ngjarja.

“Dhuna në zgjedhje është e papranueshme, por duhet hetuar. Nuk duhen nxjerrë konkluzione paraprake”,- deklaroi Kukan.

Telekamerë mbi dhomën e fshehtë ku votohet

Ngjarja shënohet në qendrën numër 295 të qarkut të Shkodrës. Qendra e votimit është vendosur në bibliotekën e qytetit, por mësohet se në dhomën e fshehtë të votimit ndodhej kamera e sigurisë. Drejtori i bibliotekës por edhe përfaqësues të KZAZ-së përkatëse janë shprehur se kamera nuk ka regjistruar.

Qytetarët kanë ngritur dyshime se përse mund të jetë vendosur një kamera e tillë.

Pasi kamera është hequr, ka rinisur procesi.

Mendohet se kamera i përket bibliotekës së qytetit.

Ora 12:00 – Kryeprokurori: “Autorët do të vihen përpara drejtësisë”

Në lidhje me incidentin e mëngjesit ku humbi jetën një simpatizant i PS dhe u plagos kandidati i PS, policia e Laçit bën me dije se në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të ndryshme, çka vërteton se është qëlluar nga 4 armë të ndryshme.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla garanton se institucioni i Prokurorisë është në gatishmëri të plotë për të kryer detyrën e saj në përputhje të plotë më ligjin, si dhe informoi se po bëhet një hetim i plotë për vrasjen në Laç.    

I pyetur nga gazetarët në përfundim të votimit të tij, Llalla bëri të ditur se prokurorët janë në krye të punës dhe me kapacitet të plotë, ndërsa pohoi se është në dijeni të vrasjes së ndodhur në Laç, ku simpatizanti i LSI-së, Gjin Gjoni humbi jetën, ndërsa mbetën të plagosur kandidati i Partisë Demokratike Mëhill Fufi, një i afërm i tij Kastriot Fufi dhe një person i tretë.

 “Prokurorë të specializuar dhe nga më të mirët janë nisur drejt Laçit për të realizuar hetim të plotë e të thellë mbi ngjarjen. Do të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur autorët e ngjarjes në fjalë, për të bërë transparente në një kohë sa më të shpejtë edhe shkaqet e saj. Dua të garantoj se Prokuroria është në gatishmëri të plotë për të realizuar konform ligjit detyrën e saj”, përfundoi Llalla.

11.50 – Voton Bamir Topi: “Jam i dëshpëruar për ngjarjen e Laçit”

Kreu i FRD-së, Bamir Topi ka votuar rreth orës 11.50, dhe ka shprehur shqetësim dhe dëshpërim të thellë për incidentin e Laçit, apo të tjera që po ndodhin në gjithë vendin, duke akuzuar politikën e vjetër si shkak të konflikteve në vend.“Jam i dëshpëruar për episodin e Laçit. FRD ka bindjen e brendshme për qytetarin në radhë të parë, politika duhet të jetë institucion, ajo që ka ndodhur në Laç, apo edhe episode nga më të ndryshmet janë produkt i një politike të vjetër. Këtë po bën politika, njerëzit janë të prirë të shkojnë pas partive, por kur është politikë e egër, kur ka individë që gjatë gjithë kohës kanë ndjekur këtë politikë, shoqëria të vendosë sot të bëjë analizë dhe ti japë fund tranzicionit, nuk e meritojmë në 2013 të ndodhin episode të tilla, në asnjë vend ballkanik, nuk ndodhin, as në Kosovë që është shtet i ri ”- tha ish presidenti i Shqipërisë Topi.

Ora 11.02 Edi Rama në Laç: “Policia e Shtetit të mos bashkëpunojë me forcat kriminale”

Në krah të Ilir Metës, Rama flet për mediat dhe e thotë hapur që “Edhe pse policia e shtetit nuk po ben detyren e saj, por po bashkepunon me forca te erreta. Por jemi te bindur te mbrojme çdo votë. I bej thirrje drejtorit te policise te ndahet nga ky flirt me forcat kriminale”.

Edhe Ilir Meta, shpreh te njejtin mendim: “Policia e Shtetit eshte ne kupolen e manipulimit te zgjedhjeve”. “Do te mbrojme çdo vote”.”Ne i kemi marre te gjitha masat, njerezit te shkojne te votojne”.

Ora 10.30 – Vritet komisioneri i LSI-së në Laç

Viktima në Laç
Incidenti më i rëndë këtë mëngjes zgjedhjesh  është ai që ka ndodhur më Laç, në gjimnazin “At Shtiefën Gjeçovi” ku ka pasur të shtëna armësh. Janë shtënë 15 plumba nga 3 armë të ndryshme.

Nga të shtënat e armëve brenda qendrës së votimit, ka ngelur i vdekur një person, ndërsa shënohen disa të plagosur. Armando Prenga, kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës, e konfirmon ngjarjen. Viktima është Gjon Pjetër Gjoni, 52 vjeç simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lajmin e ka konfirmuar edhe policia, ndërsa sqaron se janë 3 të plagosur.  Një ndër të plagosurve është kandidati i Partisë Demokratike në këtë qark, Mëhill Fufi, i cili ka marrë plagë të rëndë në trup.

Shkaqet e ngjarjes së rëndë ende janë të paqarta. Sipas informacioneve të para ka qenë vetëm një person që ka qëlluar me armë. Aktualisht është pezulluar procesi i votimit dhe gjithë komisionerët janë shoqëruar në polici për të dëshmuar mbi ngjarjen.

Në vendngjarje edhe keu i LSI-së, Ilir Meta.

Mijëra emigrantë vijnë për të votuar

Rreth 60 mijë emigrantë kanë hyrë e po vazhdojnë të hyjnë në dy pikat kufitare të Kakavijës dhe në Kapshticës për të shprehur vullnetin e tyre me votë për zgjedhjet parlamentare shqiptare.

Sipas mediave shqiptare,rreth 80% e autobusëve me emigrantë që hyjnë në Shqipëri kanë bileta falas vajtje-ardhje, të ofruara nga subjektet politike në këmbim të votës.

Pritet që rimti i mbërritjeve të emigrantëve të shtohet gjatë mesditës, ndërsa gjatë pasdites fluksi do të jetë i kthimit drejt Greqisë.

Ora 10.20 – Voton Presidenti Nishani me familjen

Presidenti Nishani ka votuar në qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Cajupi” , bashkë me gruan e të birin që voton për të parën herë. “Kjo është një ditë e rëndësishme për shqipërinë e qytetarët, të tregojmë përgjegjësi”.

Ora 10.00 – Sequi: “Ruani qetësinë. Dhuna është e patolerueshme”

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi u bëri thirrje partive politike, militantëve dhe mbështetësve të subjekteve politike të sillen në mënyrë të qetë, pasi procesi i zgjedhjeve në Shqipëri, nënvizoi ai, është i rëndësishëm për demokracinë.

Gjatë vizitës së tij në qendrën e votimit të ngritur pranë shkollës ‘Bajram Curri’, në Tiranë, Sequi vuri theksin në faktin se zgjedhjet duhet të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe se standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane e refuzojnë dhunën. “Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë. Unë vetë personalisht nuk e përjashtoj mundësinë të shkoj në ato zona që duken më të ndërlikuara”, deklaroi Sequi për mediat.

Sequi tha se duhen dhënë udhëzimet pikërisht në këtë linjë për të pasur një atmosfere të qetë dhe të paqme.

Ora 09.44 – Berisha voton

“Votova 44 me një ndjenjë të veçantë kënaqësie”. “Votova 44, preka fatin. Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime, të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. Të votojnë për alternativën që gjykojnë më të mirë. I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht. Këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë, për mirëqenien e tyre, për integrimin, punësimin. Falënderoj me mirënjohjen më të thellë emigrantët shqiptarë që kanë ardhur nga të katër anët e botës, për të votuar sot për Shqipërinë e katër viteve që vijnë”.

Ora. 9.00 – Vrasje në Laç

Është vrarë me armë zjarri pranë një qendre votimi një komisioner i LSI-së Gjon Pjetër Gjoni, 53 vjeç. Kanë mbetur të plagosur kandidati i PD-së Mëhill Fufi dhe Kastriot Fufi. Sipas policisë në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja. Menjëherë në qendrën e votimit ka shkuar Ilir Meta.

6.200 forca policie në mbrojtje të 5.509 qendrave të votimit

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në këtë ditë zgjedhjesh.
Kështu, mësohet se janë angazhuar 6.200 policë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit në 5.509 Qendrat e Votimit. Në një konferencë për shtyp, ditën e djeshme Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka theksuar se strukturat e Policisë së Shtetit do të bëjnë të mundur ruajtjen e rendit dhe qetësisë ditën e votimit.
Ndërkohë, objektet Shtetërore dhe ato të trupit diplomatik do të ruhen nga efektivat e Forcave Komando dhe Forcave të tjera të Ushtrisë.
Sipas policisë së shtetit, dorëzimi i objekteve nga Drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe Komisariatet e Policisë në Rrethe dhe marrja në ruajtje nga strukturat e forcave të armatosura do të bëhet deri në datën 25 qershor.

Procesi zgjedhor nën mbikëqyrjen e rreth 9 mijë vëzhguesve

Zgjedhjet e sotme po monitorohen nga afër nga rreth 9 mijë vëzhgues, vendas dhe të huaj, që shënon dhe numrin më të madh të vëzhguesve për një proces të tillë në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, zgjedhjet e përgjithshme ndiqen nga afër nga rreth 8 mijë vëzhgues vendorë dhe rreth një mijë të huaj, të shpërndarë në të 12 qarqet e vendit. 

Trupat vëzhgues, pas akreditimit nga KQZ, mund të ndjekin zyrtarisht zhvillimet në ditën e votimeve. Vëzhguesit janë kryesisht përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë të specializuara në fushën e zgjedhjeve, nga shoqatat shqiptare të shoqërisë civile, të angazhuara në problematikat e mirëqeverisjes dhe demokratizimit, si dhe nga organizmat ndërkombëtare dhe trupi diplomatik.

 

 

Sot heshtje, nesër zgjedhjet

Zgjedhjet. Vrasja e Laçit në mediat italiane