in

25 vjet emigracion dhe refugjatët sirianë në dyert tona

Nëse Shqipëria do t’u thonte refugjatëve sirianë STOP, nëse ne do të mbyllim kufijtë siç deklaroi Kryeministri, nuk do bëjmë asgjë tjetër veç do të shkelim mbi gjithë atë që kemi thënë për 25 vjet me radhë. Nëse ne mbyllim kufijtë për ata njerëz në nevojë, shkelim mbi ata 1,5 milion shqiptarë, që në rrethana të ngjashme ikën këto vite nga Shqipëria.
Nga Blendi  Fevziu

A do të presë Shqipëria refugjatë dhe a duhet të presë Shqipëria refugjatë?! Këto dy pyetje në dukje identike, prekin një problem me të cilin vendi do të përballet në realitet, por të cilit duhet t’i japë edhe një përgjigje parimore. Ku dallojnë dy pyetjet?

E para ka lidhje me situatën reale. Në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë janë grumbulluar disa mijëra refugjatë sirianë që po tentojnë të kalojnë tranzit drejt Europës Perëndimore. Ata nuk duan të vendosen as në Greqi, as në Maqedoni, as në Serbi e as në Shqipëri, por në rrugëtimin e tyre, ndalimi në një nga këto destinacione mund të jetë i gjatë, mbase edhe me muaj. Bllokimi i kufirit Serb dhe tani edhe Maqedonas, mund të orientojë një fluks refugjatësh drejt Shqipërisë. Asnjë s’di ta thotë se sa mund të jetë numri i tyre dhe askush s’di të thotë se cila do jetë rruga që ata do të përdorin drejt perëndimit. Shqipëria nuk ka as rrugë hekurudhore dhe as transport publik të lidhur me vendet europiane. Por Shqipëria ka eksperiencë në trafikimin e qenieve njerëzore përmes ngushticës së Otrantos drejt Italisë dhe kjo mund të shfrytëzohet nga trafikantët.

Përveç frikës së trafikantëve dhe fuqizimit të tyre, Shqipëria nuk ka infrastrukturë dhe mjete për pritjen e refugjatëve. Strukturat tona të ndihmës janë thuajse inekzistente dhe vetëm një ndërhyrje nga institucionet e specializuara ndërkombëtare mund të zgjidhë një pjesë të problemit.

Pyetja e dytë ka lidhje me parimin. Shqipëria është një vend emigratësh. 1/3 e popullsisë së saj jeton jashtë e larguar në 25 vitet e fundit. Emigracioni ka qenë një prej dhimbjeve tona dhe padyshim, ne jemi populli më përfaqëësues i kësaj drame në Europë. Imazhet e anijeve të mbushura plot me njerëz të dëshpëruar që lundronin drejt Italisë janë një pamje e pashlyer për të gjithë. Shqipëria ka luftuar për një çerek shekulli paragjykimet ndaj emigrantëve. Ka luftuar kundër Lega Nord dhe ekstremistëve grekë.

Nëse sot Shqipëria do vendosë mundësinë mbi parimin, ajo do bëjë një gabim jo të vogël. Nëse ajo do t’u thonte refugjatëve sirianë STOP; nëse ne do fillonim të justifikoheshim me pamundësinë apo gjendjen e vështirë ekonomike; nëse ne do të mbyllim kufijtë siç deklaroi Kryeministri, nuk do bëjmë asgjë tjetër veç do të shkelim mbi gjithë atë që kemi thënë për 25 vjet me radhë. Do shkelim mbi të drejtën e çdo njeriu të globit për një jetë më të mirë; do shkelim mbi lirinë. Nuk do bëjmë asgjë tjetër, veç do ju japim të drejtë deklaratave ekstremiste që kemi përbuzur për vite me rradhë. Do ju japim të drejtë atyre që thonin: shqiptarët t’i mbysim në det, ose atyre që thoshin t’i ndjekim me qen nëpër shtigjet e kufirit.

Dhe e fundit, nëse ne mbyllim kufijtë për ata njerëz në nevojë, shkelim mbi ata 1,5 milion shqiptarë, që në rrethana të ngjashme ikën këto vite nga Shqipëria. Kur drama e tjetrit ka qenë për shumë vite drama jote, të fyesh atë, do të thotë të fyesh vetveten!

Botuar në Opinion.al me titull “Kush i mbyll kufijtë e Shqipërisë?”

 

Takimi Tahiri-Alfano, në qendër siguria e çështjet e emigracionit

Azilkërkuesit shqiptarë në BE, rreth 66 mijë në vitin 2015