in

Tre milionë shqiptarë me letërnjoftime elektronike

Ndërsa në Tiranë ministri i Brendshëm Nishani “feston” letërnjoftimin e tremiliontë elektronik të prodhuar sot, shqiptarëve në Itali ende nuk u kthehet një përgjigje mbi taksën shtesë të vendosur mbi këto dokumente nga konsullata e Milanos. Edhe pse ministri i Jashtëm Haxhinasto pohonte dy javë më parë se “shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave”

Tiranë, 13 prill 2012 – Kompania e Prodhimit dhe Shpërndarjes së Letërnjoftimeve Elektronike dhe Pasaportave Biometrike në Tiranë, “ALEAT”, prodhoi sot për qytetarët shqiptarë letërnjoftimin e tremiliontë.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të dokumentit të 3-miliontë të identitetit, në ambientet e kësaj kompanie, vlerësoi punën e bërë nga kompania prodhuese “ALEAT” për produktin elitar që ajo u ka ofruar qytetarëve shqiptarë, letërnjoftimin elektronik, si një nga elementët thelbësorë të identitetit të tyre.

“3 milionë shqiptarë”, tha Nishani, “janë pajisur tashmë me letërnjoftimin e tyre. Për nga numri i popullsisë, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë në rajon përsa i përket pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja elektronike, ndërsa nga aspekti i lartë i teknologjisë dhe sigurisë që ky produkt ofron, ai përbën një nga arritjet më serioze të Qeverisë shqiptare për të ofruar shërbime dinjitoze në shërbim të qytetarëve të saj”.

Nga 12 janari i vitit 2009,  kur dhe filloi prodhimi i këtij dokumenti, kur nuk kanë kaluar shumë kohë, projekti ambicioz i Qeverisë, niveli i lartë dhe cilësia e ofruar nga kompania “ALEAT”, bashkëpunimi dhe interesi i qytetarëve shqiptarë, për ministrin e Brendshëm, Nishani, bëri të mundur arritjen e një standardi të lakmueshëm në aspektin e identitetit të qytetarëve, si dhe lehtësimit më pas të marrjes dhe përfitimit të shërbimeve, duke përdorur letërnjoftimin e ri elektronik. Por më shumë se për bashkëpunimin e interesin e qytetarëve, duhet theksuar këmbëngulja e qeverisë për të detyruar shtetasit të pajisen me dokumentet e reja, që arriti kulmin me nxjerrjen nga qarkullimi më 1 mars të pasaportave të vjetra akoma të vlefshme.

Shërbimi i pajisjes me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, nga 27 prilli 2011 u ofrohet qytetarëve shqiptarë edhe në Itali në zyrat konsullore të Romës, Milanos, kundrejt 108 eurove për pasaportën dhe 10 eurove për letërnjoftimin. Veçanërisht në Milano, prej mëse një muaj, çmimi i dokumenteve është rritur, pasi për aplikimin e tërheqjen, konsullata ka vendosur prenotimin e detyrueshëm me një numër telefonik me pagesë.

Lidhur me këtë fakt, shqiptariiitalise.com i kërkoi edhe ministrit të Jashtëm Haxhinasto shpjegime, por e vetmja gjë që ministri pohoi ishte: “sa i takon shërbimit me call-center për personat e interesuar për marrjen e pasaportës pranë Konsullatës sonë në Milano, është një çështje të cilën ne jemi duke e shqyrtuar, duke parë mundësinë për të reaguar në mënyrë të tillë që shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave”. Kjo përgjigje është e 29 marsit 2012 e deri më sot ende nuk dimë nëse ministria ka arritur të marrë apo jo një vendim në këtë aspekt. E vetmja gjë e sigurt është që shërbimi i prenotimit me pagesë  është ende në funksionim. Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet që redaksia i ka drejtuar ambasadorit të Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, në cilësinë e përfaqësuesit më të lartë në shtetit shqiptar në Itali.

Arrestohet në Vlorë një 38-vjeçar i kërkuar nga organet e drejtësisë në Itali

Taksa mbi shtëpinë në atdhe. UIL: “Haraç për mëse 600 mijë imigrantë”