in

Shtetësia italiane. Si kërkohet? Vlen edhe për bijtë e rritur?

Jam qytetar i huaj, jetoj në Itali prej 15 vjetësh e kam lejeqëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë. Kam punë autonome e im bir 19 vjeç punon me mua. A mund të kërkoj shtetësinë? Po ta marr unë, e merr edhe im bir?

Romë, 13 dhjetor 2012 – Nëse përmbushni disa kushte mund të kërkoni shtetësinë italiane në bazë të nenit 9 të ligjit 91 të 5 shkurtit 1992.

Kriteri më i rëndësishëm është ai i rezidencës në Itali. Për kërkesën e shtetësisë është e domosdoshme që shtetasi i huaj jokomunitar të jetë rezident në Itali (i regjistruar në listat e banorëve të qytetit ku jeton) prej të paktën dhjetë vjetëve në mënyrë të vazhdueshme. Nuk mjafton që të ketë një lejeqëndrim të vlefshëm por është e nevojshme të jetë i regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile. Në rastin e ndërrimit të banesës, kalimin nga njëra te tjetra duhet ta regjistrojë brenda 30 ditëve në mënyrë që të mos humbasë “vazhdimësinë” e rezidencës, përndryshe dhjetë vjetët do t’i numërohen nga deklarimi i fundit i rezidencës.

Përveç rezidencës, duhet dëshmuar që i interesuari ka të ardhura ekonomike më të larta se shuma e çekut social e vitit kur paraqitet kërkesa. Për vitin 2012, kjo shumë është 5.577,00 euro. Të ardhurat financiare duhet të kenë burime të ligjshme dhe të dëshmueshme, si për shembull, përmes deklaratës së të ardhurave.

Për sa i përket marrjes “në mënyrë automatike” të shtetësisë nga anë e bijve bashkëjetues në territorin italian, kjo vlen vetëm për të miturit.

Nëse prindi merr shtetësinë italiane kur bijtë e kanë kapërcyer moshën 18 vjeçare, këta të fundit, që të marrin shtetësinë, duhet të plotësojnë të gjitha kriteret e parashikuara nga ligji (gjithnjë sipas nenit 9 të ligjit 91 të 5 shkurtit 1992).

Formulari që duhet përpiluar dhe dokumentet që i duhen bashkangjitur kërkesës së shtetësisë mund të shkarkohen on line nga faqet internet të prefekturës së rezidencës. Për të gjetur faqet internet të Prefekturës përkatëse mund të shkohet në http://www.prefettura.it/portale/multidip/index.htm, dhe duke zgjedhur Krahinën, të vizitohet faqja e Prefekturës së duhur. Në web-site të Prefekturës, në seksionin e posaçëm “Come fare per” – “Cittadinanza” mund të merren të gjitha informacionet e nevojshme.

Redaksia Stranieri in Italia

Leggi in italiano: Cittadinanza italiana: quali sono i requisiti? Vale anche per il figlio maggiorenne?

Merr të birin pa dijeninë e të shoqes dhe zhduket: dënohet në mungesë

Shqipëria në borë e të ftohtë. Situatë e rënduar për zonat e thella malore