in

Aktorja hollivudiane Eliza Dushku viziton Shqipërinë

Aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, viziton për disa ditë Shqipërinë, për një dokumentar për të promovuar vlerat artistike, kulturore dhe turistike të Shqipërisë


Tiranë, 6 gusht 2011 – Aktorja amerikane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, mbërriti sot në Shqipëri, në kuadër të një dokumentari që do të zhvillojë për të promovuar vlerat artistike, kulturore dhe turistike të Shqipërisë. Në këtë projekt, në bashkëpunim me aktoren është edhe fotografi shqiptar Fadil Berisha si edhe aktori shqiptar Blerim Destani dhe soprano Inva Mula.

Aktorja Eliza Dushku rikthehet për herë të tretë në Shqipëri pas 5 vitesh, kur erdhi në vitin 2007 dhe pas vizitës që ka kryer në vitin 2000. Dushku gjithashtu firmosi gjatë mbërritjes në aeroport kërkesën e saj për të pasur pasaportë shqiptare. Megjithëse ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo kurrë nuk ka nguruar të tregojë publikisht se ajo është me prejardhje shqiptare.

Eliza Patricia Dushku ka lindur më 30 dhjetor 1980 në Boston, Massachusetts. Prindërit e Elizës janë profesorë, babai Philip R. Dushku nga Korça, ndërsa nëna është daneze dhe jep mësim në universitetin e Suffolk-ut në Boston. 

Ajo filloi karrierën si aktore filmash në filmin “That Night” kur ishte vetëm 11 vjeç, në rolin e Alice Bloom. Gjatë viteve 1996 – 1998 përfundoi shkollimin në gjimnazin “Watertown Highschool” dhe dëshironte të vazhdonte studimet, mirëpo pas ofertave për rolet në filmat Buffy dhe Angel vendosi të vazhdonte karrierën si artiste. Ka luajtur përkrah aktorëve të famshëm si Robert de Niro, Al Pacino, Arnold Schwarzeneger, Jamie Lee Curtis, Halle Berry, Leonardo Di Caprio dhe James Belushi, në filma si “This Boy’s Life” dhe ”True Lies”. 
U bë e njohur me rolin Faith në TV serinë “Buffy” dhe nga TV seria Angel. Në vitin 2003 xhiroi filmin serial “Tru Calling”, në të cilin Eliza mban rolin kryesor. Eliza ka luajtur në disa gjini të filmit: komedi, thriller, horror, si dhe në seriale dhe telefilma, ndër më të suksesshmit në SHBA, ku mund të përmendet “The Big ang Theory”, “Wrong Turn” apo “City by the Sea”, përkrah aktorit të famshëm Al Pacino.
 

Presidenti Topi: “Italia partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë”

Shqipëria, çifligu i Cianos / 6