in

Skënderbeu i Albanos

Albano mund të renditet krah Mit’hat Frashërit e Lef Nosit, Colin L. Powell e Emirit të Katarit Hamad bin Khalifa Al Thani. Që të gjithë janë vlerësuar nga një president i Shqipërisë me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Pas tingujve të himnit të flamurit e para atyre të Libertà të Al Banos, mes disa dhjetëra të ftuarve, më 23 maj në hotel Regina Baglioni në qendër të Romës u dekorua me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pikërisht këngëtari Albano Carrisit.

Motivi? Është “një ndër dashamirësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që përmes veprës dhe shpirtit human, në mënyrë të pareshtur ka kontribuar në promovimin dhe përparimin e faktorit shqiptar”, lexohet në diplomën që shoqëron dekoratën.

Sepse i ati e ka quajtur Albano në nder të vendit ku e çuan të luftonte gjatë luftës së dytë botërore, “por ku nuk ka vrarë asnjë” saktëson Albano ndërsa tërheq dekoratën. Sepse në vitin 1989 ka dhënë dy koncerte në Shqipëri e “kontribuoi në ndezjen e asaj shkëndije që çoi në rrëzimin e diktaturës” kujton Ambasadori i Shqipërisë Neritan Ceka. Sepse, tregon vetë Albano, “siç më ka thënë njëherë presidenti Bamir Topi, isha “i pari artist perëndimor që shkeli atë hapësirë të ndaluar, duke u bërë në njëfarë mënyre fara e lirisë për popullin shqiptar”.

Albano Carrisi kujton edhe që Urdhri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i është vlerësimi i dytë që merr nga Shqipëria: i pari është një statujë dedikuar atij para disa vjetëve që kish gjetur kur shkoi atje, dhe që ai kish lënë sepse sipas tij “gjëra të tilla bëhen pas vdekjes. Le ta tërheqin pasardhësit e mi kur unë të mos jem më”

Me gjithë meritat si artist të Al Bano Carrisit, që në art e mban të ndarë emrin e tij, dhe dashamirësinë e tij ndaj shqiptarëve e vendit tonë, titulli i lartë i dhënë nga presidenti i Shqipërisë duket i tepruar. Po të shohim ç’thotë ligji mbi dekoratat në Republikën e Shqipërisë, mësojmë që “Urdhri Gjergj Kastrioti Skënderbeu u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për ndihmesë të qenësishme ose akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin e përparimin e Republikës së Shqipërisë. Ky urdhër do të jetë i artë”. Meqë për “akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin e përparimin e Republikës së Shqipërisë” nga anë e Albanos as që mund të flitet, duhet të jetë “ndihmesa e qenësishme” që ka bindur presidentin Nishani t’i japë këtë Urdhër këngëtarit.

Se për ç’nivele ndihmese mund të fitohet një titull i tillë, është mirë të kujtojmë kujt tjetër i është akorduar ky vlerësim. Shohim se Albano ka tani të njëjtën dekoratë që i është dhënë edhe Mit’hat Frashërit apo Lef Nosit, Azem Hajdarit apo Fatmir Sejdiu. Por edhe Fatos Nanos, Colin L. Powell, apo Hamad bin Khalifa Al Thani. Kush është i fundit? Emiri i Katarit dhe është dekoruar “për merita të shquara në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Katarit”.

K.B. Shqiptari i Italisë

Letërsia shqiptare në Panairin e Librit në Torino, një eksperiencë e bukur për t’u përsëritur

Çeku familjar. INPS jep kufijtë e të ardhurave nën të cilët merret kontributi