in

Apeli shpall të pafajshëm 6 shqiptarë e u ul dënimin dy të tjerëve. Ishin dënuar për trafikim vajzash

Gjykata e apelit ka përmbysur sot vendimin e gjykatës e shkallës së parë për tetë shqiptarë. Më 6 shkurt 2013 ishin dënuar për shfrytëzim të prostitucionit, përfshirë atë të të miturve, për mbajtje në skllavëri, sekuestrim të personit, favorizim të emigracionit klandestin dhe të dhunës seksuale, që të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Romë, 24 nëntor 2014 – Akuzoheshin se bënin pjesë në një organizatë kriminale që nga 1997 deri në 2002 ka sjellë në Itali vajza shumë të reja në moshë të cilat “i bindnin” me tortura e përdhunime të dilnin në rrugë si prostituta. Gjykata e krimeve të rënda të Latinës kishte pranuar versionin e prokurorisë dhe më 6 shkurt 2013 i dënoi me heqje lirie nga 9 deri në 20 vjet.

Sot ai dënim është përmbysur nga Apeli. Janë ulur dënimet në 10 vjet për Gëzim Xhakjen dhe 8 vjet për Ardjan Kostën ndërsa gjashtë të tjerët, Nderim Salliu, Gëzim Bullari, Marko Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu dhe Adriatik Suli janë shpallur të pafajshëm apo sidoqoftë janë lënë të lirë për parashkrim të veprave penale të kryera prej tyre.

Sipas gjykatësve të Apelit, nuk ekziston vepra penale e kryerjes së krimit në bashkëpunim, por vetëm ato të imigracionit klandestin, e shfrytëzimit të prostitucionit të të miturve dhe e trafikimit të vajzave.

Panorama që doli në dritë nga hetimet, e që prokuroria dhe dëshmitaret sollën në shkallën e parë të gjykimit ishte e rëndë e bëri shumë bujë. Episodet për të cilat ata u dënuan në shkurt 2013 kishin ndodhur në vitet 1997-2002 në Latina, Sezze, Perugia, Frosinone dhe Sparanise. Disa vajza – të gjitha të reja në moshë, ndonjëra e mitur, shqiptare, maqedonase, moldave dhe rumune – ishin torturuar pa mëshirë, përdhunuar dhe ishin detyruar të dështojnë me ndihmën e një gjinekologu të Latinës. Gjykatësit për krimet e rënda të Latinës pranuan asokohe shumë nga akuzat e prokurores Eleonora Tortora dhe dënuan të tetë shqiptarët, Nderim Salliu, Gëzim Gaxhja, Gëzim Bullari, Marko Kosta, Adrian Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu e Adriatik Suli për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit, përfshirë atë të të miturve, të mbajtjes në skllavëri, të sekuestrimit të personit, të favorizimit të emigracionit klandestin, të dhunës seksuale dhe të bashkëpunimit në krim.

Bonus Bebe. Lega provon sërish t’ua heqë të drejtën imigrantëve: “Vetëm italianëve”

Savona. Vjedhje në banesa e aktivitete tregtare, arrestohen 5 të rinj shqiptarë