in

Arbëreshët e Vakaricit nderojnë Ambasadorin Kola me titullin e Qytetarit të Nderit

Më 23 prill, ambasadorit Llesh Kola i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Komunës arbëreshe Vakarici (Vacarizzo Albanese)

Ditën e shtunë, në datën 23 prill 2011, në Komunën arbëreshe Vakarici (Vacarizzo Albanese), në Provincën e Kozëncës, në Kalabri, u organizua ceremonia e e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi”, Ambasadorit të RSH-së në Itali, zotit Llesh Kola, me motivacionin: (në shqipen arbëreshe) “Për vullnetin, të vetishëm të Shqiponjës Dykrenare të vjetër simbol shqiptarësie, t’i kthente njëkohësisht sytë nga koha e kaluar, që i bashkon popujt tanë, ashtu si nga e ardhmja, duke na e treguar gjithëve një rrugë të përbashkët me paqe, njëzëshmëri dhe vëllazëri”.

Vaccarizzo Albanese është një qytezë arbëreshe në Kozenca, e themeluar rreth vitit 1470 nga grupe arbëreshësh të ardhur në Kalabri pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vitin 1863 i është vënë shtesa “albanese” për të nderuar origjinën e banorëve.
“Arsyet për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Ambasadorit Kola qendrojnë në rolin e tij institucional si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Itali, bazohen në origjinën tonë, të kaluarën tonë, si edhe në konsideratat kyçe për të tashmen dhe, në veçanti, për të ardhmen tonë” – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Vakaricit, zoti Aldo Marino, i cili mori fjalën në emër të Këshillit bashkiak. Ishin të ftuar dhe merrnin pjesë në këtë ceremoni banorët e Vakaricit dhe të komunave përreth, politikanë të Rajonit të Kalabrisë si Deputeti PD Cesare Marini dhe ish-Deputeti e ish-Konsull Nderi i RSH-së në Kalabri Mario Brunetti, Këshilltari rajonal për Kulturën, Këshilltari i qytetit të Koriliano Kalabros për Kulturën dhe Turizmin, Kryetarët e Komunave arbëreshe, përfaqësues fetarë dhe akademikë, si Prof. Franceco Altimari, Pro-Rektor i Universitetit të Kalabrisë dhe Drejtor i Departamentit të Gjuhës Shqipe.

“Zoti Kola, – vijoi më tej Kryebashkiaku i Vakaricit – në detyrën e tij institucionale, ka treguar gjithmonë një vëmendje të thellë për popullin arbëresh në përgjithësi, dhe për komunitetin tonë në veçanti. Dhënia e titullit “Qytetar Nderi” Ambasadorit Kola – theksoi z.Marino – është kështu një njohje e së kaluarës sonë të lashtë të përbashkët, e gërshetuar me një falenderim të punës personale të tij në thurjen e marrëdhënieve mes kombeve tona, mbi të gjitha, në konsolidimin e një të ardhme që do të na shohë gjithnjë e më shumë vëllezër, brenda një Evrope më të gjerë, ashtu sikurse ai është treguar vëllazëror ndaj komunitetit tonë”.

Ambasadori Kola është “Qytetari i dytë i Nderit” i Vaccarizzo Albanese, e cila për herë të parë nderoi me këtë titull në vitin 1993 Prof. Eric P. Hamp, gjuhetar amerikan, PhD ne Universitetin e Harvardit, profesor në Universitetin e Çikagos, në Universitetin e Kalabrisë per qellime studimore, dhe ka bere studime ne gjuhët indo-evropiane, kryesisht ne gjuhen shqipe dhe ate kelte, etj.

Duke marrë fjalën, pas dorëzimit të pergamenës, Ambasadori Kola shprehu kënaqësinë e tij të veçantë dhe deklaroi se “natyrisht ky titull është një nder i veçantë. Por ky çmim është vlerësim dhe mirënjohjeje per Ambasadën, për diplomacinë shqiptare, për Shqipërinë”. Ai u shpreh krenar që ndodhej mes arbëreshëve, të cilët kanë luajtur një rol të veçantë jo vetëm në konsolidimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë, por kujtoi me këtë rast rolin e rëndësishëm që ata patën në Bashkimin e Italisë.

Martesat për interes: ligj kundër nuseve-badante

Parma: Binjakëzimi i parë mes shkollave të shqipes në diasporë