Mania e shifrave ‘rekorde’ të qeverisë Berisha infekton edhe Muzeun Historik Kombëtar, sipas të cilit armët e Skënderbeut janë vizituar nga 1,5 milionë vetë në pak më shumë se një muaj. Janë rreth 37 mijë vizitorë në ditë. Duke lënë pas në shifra edhe Muzetë e Vatikanit, në periudhat e tyre më të mira.
Tiranë, 6 janar 2013 – Armët e Skënderbeut? Edhe më interesante se Cappella Sisitina e Michelangelos, kupolë e artit botëror dhe një ndër muzeumet më të vizituarë në botë.
Ka mjaftuar përvjetori i pavarësisë dhe jo pak, por 1 milion e gjysmë vetë kanë bërë paradë para përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut të sjella posaçërisht nga Viena. Fillimisht të dhënat zyrtare flasin për shifra normale: “Që në ditën e parë ekspozitën e armëve dhe përkrenares e vizituan 400 vetë dhe brenda dy ditëve numri shkoi 7.500”. – shkruan ATSh duke iu referuar burimeve te Muzeut. Ndërsa duke bërë një bilanc të vizitave deri më 5 janar, një javë para se armët të rinisen për në Vjenë, zyrtarë të Muzeut Kombëtar deklarojnë se “që prej datës 23 nëntor e deri më 5 janar armët i kanë vizituar rreth 1 milion e 500 mijë vetë”. Kjo do të thotë se në këto 40 ditë armët janë vizituar nga mesatarisht çdo ditë nga rreth 37.000 persona, apo mbi 5.350 çdo orë.
Shifra i shtohet rekordeve të famshme të qeverisë Berisha apo edhe të atij vetë, si renditja e Shqipërisë në vend të katërt në botë për mirëqenie, si notimi i kryeministrit verën e shkuar për 141 minuta, e të tjera rekorde të kryera apo që presin të ndodhin gjatë vitit në të cilin sapo kemi hyrë.
Për të kuptuar më mirë sa të fryra janë këto shifra mjafton të kujtohet që Cappella Sistina në Vatikan, një nga vendet më të vizituara të botës, sipas drejtorit të Muzeve të Vatikanit, Antonio Paolucci, pret 5 milionë vizitorë në vit, dhe në periudhat me fluks më të lartë turistësh, arrin të ketë deri 20 mijë vizitorë në ditë, që vijnë me taborë nga gjithë bota. Pesë mijë më pak se ata që sipas rekordistëve shqiptarë janë vënë në radhë për të hyrë në Muzeun Historik Kombëtar.
k.b.