in

“Arratia e Shqiponjave”. Fotografitë e anijes Vlora të Luca Turit në ekspozitë në Bari

Është hapur në Teatrin Petruzelli të Barit ekspozita me 50 fotografi të Luca Turit, të zbarkimit të 20 mijë shqiptarëve të anijes Vlora në Bari. Do të mbahet hapur deri të premten më 16 shtator

Romë, 13 shtator 2011 – Mijëra personat e ngjeshur në anijen Vlora, që edhe kur mbushnin sheshin e portit të Barit e vazhdonin të linin plot anijen: imazhi që më mirë se çdo gjë tjetër jep idenë e zbarkimit në masë të shqiptarëve në brigjet e Puglies 20 vjet më parë. Foto që ka hyrë në histori, që edhe sot e kësaj dite të emocionon e të lë gojëhapur.

Profile, lot e buzëqeshje,  lodhje dhe ngazëllim, frikë dhe shpresë, të shqiptarëve që 20 vjet më parë u larguan nga Shqipëria mbushën plot e përplot anijen Vlora dhe mbërritën në portin e Barit, ashtu si vetëm pak muaj më parë, mëse 20 mijë të tjerë bënë me anijet që gjetën porteve shqiptare për të mbërritur në Brindisi.

Dhe pikërisht mbërritja e Vlorës në portin e Barit, në orën 8.30 të 8 gushtit 1991 është fiksuar në 50 fotografi bardhezi apo me ngjyra të fotografit dhe kino-operatoorit barez Luca Turi, të mbledhura sot në një ekspozitë të organizuar nga komisioni i kulturës së Komunës së Barit në teatrin Petruzelli të kryeqendrës së Puglies.

Iniciativë “për të mos harruar – thotë kryetari i komisionit Filippo Melchiorre – viktimat e shumta të detit, si 190 personat që u mbytën pak ditë më parë në Zanzibar”.

Në atë ditë të nxehtë gushti, një masë mbresëlënëse njerëzish vërshoi mbi bankinat e portit të Barit. Ishin refugjatë shqiptarë që largoheshin nga Shqipëria e sapodalë nga regjimi komunist. Të ngjeshur si sardele në bark të Vlorës. Atë ditë, fotoreporteri Luca Turi fiksoi me aparatin e tij një ngjarje që do të mbetet përjetë në histori dhe që pas dy dekadash, Bari kujton me një ekspozitë me titull “Arratia e shqiponjave”.

50 panele me foto tregojnë fazat e ndryshme të mbërritjes së shqiptarëve: nga ankorimi i anijes në port, deri tek ndihma e parë të plagosurve e më pas te mbyllja në stadiumin Vittoria të Barit. Fotografitë janë ndarë në katër zona tematike. E para tregon mbërritjen e Vlorës. E dyta mbajtjen e refugjatëve në stadiumin e Barit. E treta u kushtohet fëmijëve të anijes Vlora. Ndërsa e katërta tregon solidaritetin e popullit të Barit, ndihmat që barezët u sollën mijëra të dëshpëruarve.

Të shumta konsiderimet për Luca Turin sot gjatë përurimit të ekspozitës: “fotograf historian i çastit” sipas kritikut të të përditshmes Gazzetta del Mezzogiorno, Patruno, “dëshmitar i solidaritetit të barezëve” për këshilltarin komunal Barattolo.

Në përurimin e ekspozitës edhe komandanti i anijes Vlora, Halim Milaqi, të cilit i është dhënë një pllakë përkujtimore. Ia dorëzoi Anna Delfino, e veja e kryetarit të atëhershëm të komunës së Barit, Enrico Delfino, që ato ditë gushti të 1991-shit u përball me një emergjencë të paparë për qytetin e tij.

 

Kalimash. Shembet galeria, vdesin dy miratorë

Vlorë. Çfarë shtyu nënën të vrasë foshnjën e saj