Është kapur në Romë thuajse 8 vjet pas tragjedisë së 9 janarit 2004 kur 28 shqiptarë humbën jetën në Kanalin e Otrantos, Altin Belulaj, një nga organizatorët e udhëtimit me gomone, të cilin gjykata e Vlorës e ka dënuar me 20 vjet burg

Ai kishte gjetur mënyrën për të qëndruar në Itali pa kaluar nëpër zyra konsullatash për vizë apo nëpër zyra komisariatesh për leje qëndrimi. Dokumentet e rreme që u ka treguar karabinierëve, kartë identiteti dhe patentë, ishin rumune, me emrin Florin Dorel Munteanu.
Pasi kanë kuptuar që dokumentet ishin të falsifikuara, karabinierët kanë kontrolluar shenjat e tij të gishtërinjve që nuk i kanë lënë më rrugë shpëtimi 31 vjeçarit: është Altin Belulaj që duhet të kryejë 20 vjet për mbytjen e gomones me 36 vetë, ngjarje e 9 janarit 2004 në të cilën humbën jetën 28 vetë. Mbi 31-vjeçarin rëndon mandat arresti ndërkombëtar i lëshuar në vitin 2005 nga Gjykata e Apelit e Vlorës me akuzën e favorizimit dhe kapërcimit ilegal të kufirit.
Belulaj, i shoqëruar nga një bashkatdhetar 42 vjeç, është pikasur nga karabinierët e stacionit Roma Appia në lagjen Statuario. Mbi 42-vjeçarin rëndon një urdhër burgosjeje i gjykatës së Tranit i vitit 2004 për trafik droge. Janë mbyllur që të dy në burgun Regina Coeli të kryeqytetit.
Tragjedia e 9 janarit 2004, ndër më të rëndat e kanalit të Otrantos, i mori jetën 28 shqiptarëve, thuajse të gjithë nga veriu (u gjetën 20 trupa, 8 persona të tjerë janë deklaruar të humbur). Për këtë ngjarje janë dënuar 9 vetë por nga këta, janë në kërkim ndërkombëtar ende katër vetë, pa llogaritur Belulajn e kapur më 11 nëntor. Sipas listës së botuar në faqet internet të Interpol-it, i mungojnë drejtësisë shqiptare: Nazmi Hykaj, i dënuar me 25 vjet burg (sot 49 vjeç); Cukal Delija, 25 vjet burg (42 vjeç); Zef Markun, 25 vjet burg (50 vjeç); Elton Tafili, 20 vjet burg (37 vjeç).


