Është kapur në Romë thuajse 8 vjet pas tragjedisë së 9 janarit 2004 kur 28 shqiptarë humbën jetën në Kanalin e Otrantos, një nga organizatorët e udhëtimit me gomone, për të cilin gjykata e Vlorës kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në vitin 2005
Karabinierët e Romës kanë arrestuar shqiptarin 31 vjeç të akuzuar për organizimin në vitin 2004 të një prej shumë “udhëtimeve të shpresës” të shqiptarëve, dhe pikërisht atë të 9 janarit 2004 që përfundoi tragjikisht me vdekjen e 21 personave në kanalin e Otrantos. Për të ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar.
I kërkuari, i shoqëruar nga një bashkatdhetar 42 vjeç, është pikasur nga karabinierët e stacionit Roma Appia në lagjen Statuario. I kanë kërkuar dokumentet, që rezultuan të falsifikuara, e për këtë arsye e çuan në kazermë. Nga një verifikim i shenjave të gishtërinjve, rezultoi që mbi 31-vjeçarin rëndon një mandat arresti ndërkombëtar i lëshuar në vitin 2005 nga Gjykata e Apelit e Vlorës me akuzën e favorizimit dhe kapërcimit ilegal të kufirit, krim që në Shqipëri ndëshkohet nga kodi penal me 25 vjet burgosje. Ndërsa mbi 42-vjeçarin rëndonte një urdhër burgosjeje i gjykatës së Tranit i vitit 2004 për trafik droge.
Tragjedia është ajo e 9 janarit 2004 kur 31 vjeçari i kapur bashkë me bashkëpunëtorë të tjerë organizuan udhëtimin me një gomone të 36 personave. Nga këta, 28 humbën jetën (u gjetën 20 trupa, 8 të tjerë janë të humbur).