Sipas hetuesve, 29-vjeçari është përgjegjës, bashkë me të tjerë, i disa vjedhjeve dyqanesh, dhe bashkëpronar me Luca Risso, i fejuari i Ruby Rubacuori, i restorantit “Fellini”
Romë, 6 tetor 2011 – La Repubblica e Genovas boton sot një shkrim mbi arrestimin e 29 vjeçarit shqiptar Eduart Musabelliu, për vjedhje, në bashkëpunim me disa të tjerë. Lajmi fiton njëfarë rëndësie në faqet e kronikës më tepër për faktin që emri i Musabelliut lidhet me atë të Ruby-t – marokenia për të cilën është në proces gjyqësor Silvio Berlusconi – pasi shqiptari është bashkëpunëtor i ngushtë i të fejuarit të saj, Luca Risso, madje është arrestuar në lokalin “Fellini”, sesa për “bëmat” e të riut.
Hetimi duket se ka nisur në Piemonte e është shtrirë më pas në Liguria. Në fakt shqiptari, i njohur në ambientin italian me emrin Eddy, është arrestuar nga karabinierët e Verbanias në restorantin Fellini që ndodhet në rrugën XII Ottobre në Genova, më 29 shtator. Hetuesit nuk thonë asgjë mbi arrestimin e tij pasi hetimet vazhdojnë: karabinierët janë në kërkim të katër të tjerëve. Sipas tyre, shqiptari është anëtar i një bande që vidhte dyqane dhe kamionë (përfshirë mallin që ata transportonin).