Në kuadër të vizitës 3-ditore në Itali të Presidentit të Shqipërisë, e ndarë në 5 etapa Antrodoko, Rieti, Prato, Pistoja dhe Firence, mund të veçohen disa pika kulmore. Një nga këto ishte takimi në Pistoja ku Presidentit Topi iu dha Çmimi i Paqes “La Pira”
“Festa e Shqiptarëve” siç e quajtën gazetat lokale, filloi që në mëngjes të 21 nëntorit, me çmimet e prozës dhe të poezisë, dhënë mes autorëve të tjerë, edhe shqiptarit Cezarin Toma për poezinë “Noi”.
Më arritjen e Presidentit mbasdite, klima u bë edhe më e përzemërt, falë shqiptarëve të Pistojës që pritën ngrohtësisht presidentin që u shpreh: “Nuk e prisja një ndjenjë kaq patriotike dhe identifikuese nga shqiptarët e Pratos dhe Pistojës të larguar prej kohësh nga Shqipëria”.
Në të njëjtën ditë iu dha çmimi edhe Pietro Grasso-s (Prokuror kombëtar Anti-Mafia), Don Luigi Ciotti-t (Themeluesi i Shoqatës “Gruppo Abele”), Aldo Sarotto-s (Piccola Casa della divina Providenza, Cottolengo), Luigi Cardini-t (President i dhuruesve të gjakut FRATRES), Ati Hugo Rios (Kimbondo Pediatrik Foundation, Kongo), dhe grupit muzikor “Gen Verde” (shprehje artistike e Movimento Focolare).
Gjatë ceremonisë të zhvilluar në katedralen e Pistojës, Presidenti Topi mbajti një fjalim të cilin e ndau në dy pjesë: të parën ua adresoi autoriteteve italiane, duke përfshirë Presidentin Napolitano, për të çdo gjë që është bërë dhe për inkurajimin për detyrat e ardhshme. pjesën e dytë – në gjuhën shqipe – ia drejtoi komunitetit shqiptar. Duke përmendur arritjet, tha se “do të realizohet dhe ajo që historikisht ka qenë realitet, pra që Shqipëria i përket Europës, sepse rajoni është ambient paqeje si kurrë më parë. Popujt ballkanikë kanë vuajtur më shumë se çdo popull tjetër në Evropë, prandaj këtij çmimi i vihet një etiketë e re, që është angazhimi për të ardhmen”. Në këtë frymë iu dhurua Presidentit dhe flamuri evropian nga komuniteti shqiptar në Pistoja. Kreu i shtetit theksoi më pas që “përveç emocionit, është dëshira për t’ia dedikuar çmimin shqiptarëve banues në Pistoia dhe në mbarë Itali, ku janë integruar me dinjitet”.
Para dhe pas ceremonisë Presidenti Topi i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Itali, Llesh Kola, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Rrok Logu, u prit në sallat e Bashkisë së Pistojës dhe të pallatit të ipeshkvit, nga autoritete të larta të pushtetit vendor, politikës, si zëvendës presidenti i Senatit Vannino Chiti, nga përfaqësues të biznesit dhe kulturës shqiptare dhe italiane. Në takime, një vëmendje e veçantë iu kushtua nga Presidenti Topi ndryshimeve të arritura gjatë këtyre viteve: “20 vjet tranzicion për t’i arritur pikave të dëshiruara dhe për të shndërruar marrëdhëniet Itali-Shqipëri në bashkëpunim dhe dialog dyanësh”. Presidenti nënvizoi faktin që shumë gjëra kanë ndryshuar: Shqipëria ishte shumë larg Italisë në sensin e një mungese të plotë të transportit dhe komunikimit, por tani pothuajse çdo qytet dhe zonë e Italisë është e lidhur në njëfarë mënyre me Shqipërinë, dhe duke përfituar nga rasti ftoi italianët “të njohin një vend fantastik siç është Shqipëria, dhe të krijojnë mundësi bashkëpunimi ekonomik”. Presidenti përfundoi duke shprehur mirënjohjen për Presidentin e Italisë Napolitano, Senatin dhe popullin italian për mikpritjen.
Kyetari i Bashkisë së Pistojës, Renzo Berti theksoi që shqiptarët jo vetëm janë komuniteti më i madh i provincës, por kanë arritur t’i përshtatën realitetit të saj për një bashkëjetesë paqësore dhe produktive. Senatori Chiti u shpreh që “tashmë kufijtë e vjetër janë shndërruar në një lidhje të re, një ndërtim efektiv”. Një kritikë e veçantë iu dha politikave për imigracionin të ndërmarra kohët e fundit nga parlamenti italian ose nga sentencat ligjore, të konsideruara “skandaloze” nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, ky jeta e një imigranti vlen 1/10 e një italiani. “Këtu nevojitet një klmë barazie pikë së pari në aspektin legjislativ italian dhe pastaj në ndërgjegjen kolektive të këtij populli” përfundoi ai.
Një takim miqësor dhe institucional ngjyroset me një start-up të bazuar mbi të drejtat e arritura dhe mbi fytyrën e re të emigrantit
Për të identifikuar më mirë domethëniet e një vizite të tillë, së pari duhet kujtuar neni 86 i Kushtetutës shqiptare që njeh Presidentin si kryetar të Shtetit dhe si përfaqësues të unitetit të popullit. Dhe kur flitet për unitetin duhet theksuar që aktualisht 30% të shqiptarëve janë të shpërndarë nëpër botë. Së dyti një eveniment i tillë është i rëndësishëm për të dhënë një mesazh të ri në të cilin edhe shqiptarët jashtë Shtetit bëhen protagonistë të çështjeve politike. Por që kërkon edhe politika themelore për rikthimin e emigrantëve dhe “thithjen e trurit” në vendin e tyre.
Por duke i lëne çështjet politike ajo që a transmetua ishte pikërisht një qasje e re për ndërtimin e të ardhmes. Mesazhet “drejtësi dhe barazi, ndalim i indiferencës, duke tejkaluar kufijtë gjeografik, hapat dhe shkallët e arritura, pakt social, fuqi civile, rast apokaliptik, bashkë-qytetarë shqiptarë, legalizim dhe ndërtim” etj. janë fjalë që u përdorën disa herë gjatë këtyre takimeve dhe që të tingëllojnë në vesh duke të krijuar një ndjesi protagonizmi për kohën tonë dhe bindin si pjesë e ndryshimit që po ndodh. Të gjitha personalitetet e ftuara theksuan rëndësinë dhe kontributin e imigrantëve në territorit italian, si dhe nevojën për solidaritet dhe bashkëpunim. Këto janë pjesët në të cilat u ndalën “lojtarët e Paqes” për të përhapur horizontet, duke ndryshuar fytyrën e një populli, dhe për t’i dhënë fund një feje të përjashtimit siç nënvizoi senatori Chiti. Nënkryetari i Senatit italian përkujtoi faktin që “mentaliteti i vjetër duhet braktisur në prani të fëmijëve shqiptarë të lindur në Itali”. Chiti pohoi se ka një ëndërr: “të zbuloj burimin e të gjitha të vërtetave që shuajnë etjen e ditëve më të hidhura”. Kryetari i Bashkisë së Pistojës Berti shtoi: “udhëtimi ynë ka pasur faza dhe shkalla të ndryshme, dhe tani ne kemi veshur këpucë të reja për t-iu futur rrugës së respektimit, tolerancës, si dhe barazisë mes popujve”.
Afërdita Shani, Firence