in

Bari. Për vrasjen e Flori Mesutit arrestohet 22-vjeçari Francesco Caldarola

Barezi është dorëzuar vetë në polici. Akuzohet për vrasje me dashje me rrethanat rënduese të motiveve të dobëta

Romë, 3 shtator 2014 – Francesco Caldarola, barez 22 vjeç, është arrestuar mëngjesin e 2 shtatorit. Hetuesit dyshojnë se është ai që vrau më 29 gusht 25-vjeçarin Flori Mesuti.

Caldarola, që kërkohej nga policia nga 30 gushti, është paraqitur vetë në Kuesturë ku agjentët i kanë dhënë masën e arrestit.

Caldarola është dhëndri i një bosi të zonës, Giuseppe Mercante, dhe vëllai i madh i 15-vjeçarit të cilit Mesuti i dha një shuplakë. Sipas rindërtimit të ngjarjes së 29 gushtit nga Prokuroria, mbi bazën e dëshmive dhe të provave fotografike, Mesuti është qëlluar pasi është afruar e ndjekur nga pas për disa metra. Sipas hetuesve, ka qenë pikërisht Caldarola ai që ka hapour zjarr mbi 25-vjeçarin.

Tani mësohet edhe që Mesuti është përpjekur të ndajë një grup të miturish shqiptarë nga vëllai 15-vjeçar i Caldarolës, që më pas ka ndërhyrë për të marrë hak për shuplakën që i është dhënë të vëllait. Mësohet gjithashtu se pak ditë më parë, 15-vjeçari Caldarola është zënë me djemtë shqiptarë dhe ka rrahur njërin prej tyre, madje edhe nënën e tij që kish ndërhyrë në mbrojtje të të birit. Më 29 gusht, një zënie e re, dhe përsëri i mituri shqiptar është rrahur. Kur ka parë këtë gjë, Mesuti, që ishte aty me të ëmën e djalit të rrahur, ka ndërhyrë duke i folur ashpër 15-vjeçarit Caldarola dhe ndoshta i ka dhënë edhe një shpullë.

Francesco Caldarola, i marrë në pyetje nga prokurori, nuk ka pranuar të flasë. Është çuar në burgun e Barit me akuzën e vrasjes me dashje me rrethanat rënduese të motiveve të dobëta.

Lexo edhe:
Bari. Përpiqet të ndajë disa të mitur që zihen, qëllohet për vdekje 25 vjeçari
Kryebashkiaku i Barit: “Qytetarë, reagoni e padisni vrasësit e Flori Mesutit”

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Premio Anna Cenerini Bova: 2.000 euro al giovane dell’anno

Mogherini: Tirana po tregon një dëshirë të pabesueshme për reforma