in

Barroso në Tiranë: Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, por tani varet nga ju

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka shkuar sot në Tiranë për një vizitë zyrtare, ndër të fundit, si President i Komisionit Evropian, post që pritet ta marrë ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.
Kjo vizitë është e dyta që ai bën në Shqipëri, pas tetë vjetëve nga e para. Duhej të vinte edhe në maj të vitit 2011, por për shkak të situatës së tensionuar politike që pasoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, ajo vizitë u anullua.
Ai nisi vizitën në kryeqytetin shqiptar me një takim me kryeministrin Rama, më pas shkoi përshëndeti Kuvendin e Shqipërisë, ku ishin të pranishëm edhe deputetët e opozitës, përfshirë Berishën që në këtë periudhë nuk merr pjesë në punimet parlamentare, u takua me Presidentin Nishani që e nderoi me dekoratën e lartë të ‘Flamurit Kombëtar’ dhe së fundi mbajti konferencë në Gjykatën për Krimet e Rënda, institucion ky i ngritur me fondet e BE-së.
Barroso në Kuvend: BE nuk do të jetë i plotë pa Evropën Juglindore

Presidenti i Komisionit Evropian Barroso iu drejtua me një fjalë të gjatë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë, përmes së cilës përcolli mesazhe të rëndësishme për politikën dhe qytetarët shqiptarë.

Në hapje të seancës së posaçme kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi historike vizitën e sotme në Tiranë të Presidentit të KE-së, e cila vjen pak ditë pas marrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit në BE.
“Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar në mënyrë të dukshme drejt integrimit euroatlantik. Z. Barroso vjen sot në një vend anëtar të NATO-s dhe vizita e tij ka një kontekst tepër të rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e Kuvendit për mbështetjen e pakursyer dhe punën e palodhur të KE-së, nën drejtimin e Presidentit Barroso, në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim. Në këtë kuadër do ta siguroja Presidentin se parlamenti shqiptar do të jetë platforma e hapur e debatit demokratik dhe e inkurajimit të reformave madhore të vendit, përmes garantimit të gjithëpërfshirjes dhe dialogut politik”, nënvizoi Meta në fjalën e tij. Ai theksoi se “miratimi i statusit të vendit kandidat ishte vendimi i duhur dhe plotësisht i merituar për Shqipërinë, por dhe një lajm i mirë dhe mesazh pozitiv për gjithë rajonin, ku vendi ynë ka një rol të rëndësishëm. Vendimi ishte dëshmi e vazhdimit të angazhimit të BE-së në favor të perpektivës evropiane të rajonit tonë”.

Më pas, kreu i Kuvendit ia dha fjalën Presidentit të KE-së, i cili, fillimisht falenderoi qeverinë, Kuvendin dhe popullin shqiptar për mikpritjen e ngrohtë “në kryeqytetin e bukur, Tiranë”.
“Është nder i veçantë për mua dhe jam mirënjohës që të flas para Kuvendit vetëm disa ditë pas vendimit historik të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ky vendim lë pas një faqe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe shënon nisjen e një faze të re ndërtuese. Ne presim që ky vendim t’u japë një shtysë refomave dhe progresit të Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së”, theksoi Presidenti Barroso.
“Ky vendim, vijoi ai, po ashtu tregon se e ardhmja evropiane e vendeve të Evropës Juglindore nuk është thjesht diçka e shkruar në letër, por është reale, e besueshme dhe angazhimi i BE-së në të ardhmen mbetet zgjerimi, një proces shumë i rëndësishëm në axhendën tonë”, u shpreh kreu i KE-së në fjalën e tij.

Duke folur për Komunitetin Evropian, Barroso tha se është gjithnjë e më i fortë, sidomos pas asaj që ndoshta ishte kriza më e thellë ekonomike me të cilën ishte përballur. Progresi i BE-së dhe zgjerimi i tij kanë shkuar gjithmonë në paralel me njëri tjetrin. “Unë vetë kam jetuar në diktaturë për 14 vitet e para të jetës sime dhe kam përjetuar atë shpresë që na ofronte Evropa prandaj unë ndihem afër jush. Ju e lidhni perspektivën e aderimit me konsolidimin dhe modernizimin e institucioneve tuaja”, tha ndër të tjera kreu i KE-së.
Barroso në vijim të fjalës së tij në parlamentin shqiptar tha se tani është arritur bashkimi i  Lindjes me Perëndimin, pas dekadash ndarjesh dhe bashkimi, por Bashkimi i Evropës nuk do të jetë i plotë pa Evropën Juglindore. “Nga Tirana në Sarajevë, nga Beogradi në Prishtinë, qytetarët e shohin BE-në si një dritë shprese dhe garantuese të një politike ekonomike dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë ata”, tha ai.

Sipas Presidentit të KE-së, për plotësimin e të gjitha kushteve për anëtarësim në BE, kërkohet angazhimi i politikës. “Mund ta them këtë pasi kam qenë në krye të BE-së dhe se këto reforma ia vlejnë. Unë do ju them se do ketë një vëmendje të veçantë për Shqipërinë. Dhe do ju shohin në një mënyrë më realiste, si një vend i ardhshëm që do të aderojë në BE. Si anëtarë të këtij Kuvendi, keni një rol të rëndësishëm, që të përgatiteni për t’u anëtarësuar në BE. Ju nuk po i ndërmerrni këto reforma për të kënaqur BE-në, por për qytetarët tuaj. Një gjyqësor më efikas do të ketë një ndikim pozitiv për shqiptarët. Aplikimi i standardeve evropiane, do të ketë pasoja pozitive”, nënvizoi ai.

Duke u ndalur tek reformat ekonomike, Barroso tha se “sado të vështira të jenë, do të kontribuojnë për të rregulluar stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë. Më lejoni të pranoj angazhimet e Shqipërisë në reformën ekonomike, siç është ajo me FMN-në. Të jeni të sigurt që KE do të bashkëpunojë nga afër me institucionet financiare për t’ju dhënë mbështetje financiare. Unë besoj se roli i tyre është tepër i rëndësishëm, siç është në disa projekte të integrimit rajonal. Ndaj, unë ju uroj për angazhimet tuaja të fortë, për bashkëpunimin rajonal. Jo vetëm tregtia e lirë është një shtysë për bashkëpunim rajonal, ku Shqipëria luan një vend aktiv, e bën atë një vend që tërhiqet nga investitorët”.

Më tej në fjalën e tij zyrtari i lartë evropian theksoi se “Shqipëria është Evropë dhe integrimi i saj në BE duhet të jetë një projekt për secilin prej nesh, për brezin tonë, pasi realizojmë një aspiratë historike”.

“Konsensusi në vend i të gjitha partive politike është shumë i rëndësishëm. Këtu në Kuvend vijnë dhe përfaqësohen të gjitha idetë dhe kjo është salla e demokracisë. Unë e vlerësoj rolin tuaj, dhe e vlerësoj debatin demokratik. Një gjë që se kam pritur kurrë gjatë opozitës ishte që të kisha mbështetjen e qeverisë. Por, në disa sektorë është e mundur që të realizohet një konsensus real, përtej pikëpamjeve politike”, vijoi më tej Barroso.

Në vijim të mesazheve të tij, Presidenti i KE-së tha se procesi i integrimit është një proces paqeje, ndaj dhe BE e ka marrë këtë çmimin Nobel. Ai u shpreh optimist se Shqipëria do bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. “Unë besoj, se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, besoj se ky hap, i statusit të vendit kandidat, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i këtij populli, të cilin e respektoj shumë. Unë besoj se ju mund të merrni të mirat e anëtarësimit në BE, por mund të jepni dhe kontribute për të dhënë stabilitet në këtë rajon.

KE do vazhdojë të punojë bashkë me ju, me mbështetje në politikat financiare, duke ofruar miqësi, që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen evropiane. Faleminderit!”, e mbylli fjalën e tij në Kuvend, Presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso.

Shqipëria në programin “Creative Europe” të BE-së

Barroso në Gjykatën për Krimet e Rënda: Përqendrohuni te krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta