in

Barroso në Tiranë: Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, por tani varet nga ju


Barroso: Gjykata për Krimet e Rënda të përqendrohet në krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, gjatë vizitës që zhvilloi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian, u shpreh se ajo duhet të ketë në qendër të punës së saj luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrusionit në nivele të larta.

“Java e kaluar ka qenë lajm i mirë për Shqipërinë, e në veçanti për integrimin e vendit në BE. U arrit një moment historik kur Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat, që është rezultat i përpjekjeve të vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ishte puna e bërë në të gjitha fushat, përfshirë edhe përpjekjet pozitive e bëra në gjyqësor dhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo gjykatë ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më është thënë se kohët e fundit kompetencat e kësaj gjykate janë shtuar më tej, duke përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë, apo edhe gjyqtarëve. Duhet vënë theksi pikërisht në dënimin e këtyre veprave penale, krim i organizuar dhe korrupsion”.

Ne, vijoi Presidenti i KE-së duke pasur parasysh korrupsionin në nivel të lartë, “besojmë që nevojitet bashkëpunim i përforcuar mes institucioneve. Gjykata duhet të punojë dhe të bashkëpunojë ngushtë edhe me ILDKP-në (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive), pasi edhe pse ka një rol të rëndësishëm, e vetme nuk do të funksiononte”.

Rama: Të kalojmë nga një sistem drejtësie primitive në një drejtësi evropiane

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se mbështetjet e BE-së për ndërtimin e institucioneve kanë qenë të shumta, por fakti që Barroso vendosi të vizitojë këtë instituicion të ndërtuar me kontributet e BE-së, është më shumë se simbolik.

“BE përmes Komisionit ka bërë në gjithë këto vite shumë për vendin tonë. Kontributet e drejtpërdrejta për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve kanë qenë të shumta. Dhe dita që presidenti Barroso ka zgjedhur të vizitojë këtë institucion të ndërtuar me kontributet e KE, është më shumë se sa simbolike dhe lidhet me sfidën e jashtëzakonshme që kemi të gjithë së bashku për të kaluar nga një fazë e një drejtësie primitive në një fazë të drejtësisë evropiane”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se duhet kaluar në një faze tjetër të drejtësisë. Nga një drejtësi primitive duhet kaluar në një fazë të re, drejt një drejtësie evropiane. Drejtësia sot është në një fazë ku na kritikojnë miqtë dhe partnerët tanë evropianë, tha Rama.

“Duam të kalojmë në një fazë ku drejtësia të jetë një sfidë e fituar. Shqipëria në këtë gjendje të sistemit të drejtësisë nuk mund të bëhet anëtare me të drejta të plota të BE. Ndaj ne duhet ta adresojmë jo si një reformë të koalicionit qeverisë, por si reformë e të gjithëve. Është një reformë e të gjithë aktorëve, ku pa praninë e të gjithëve nuk mund të funksionojë. Duhet të ndërmerren të gjithë hapat e domosdoshëm që të kalojmë në një fazë të re në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë është një sfidë që ne do ta fitojmë së bashku falë ekspertizës së BE, misionit EURALIUS, dhe mekanizmave të tjerë që plotësojmë mozaikun e përpjekjeve për të realizuar këtë reformë”, u shpreh Rama.

Duke risjellë në kujtëse vizitën në Gjermani dhe takimin me Kancelaren Merkel, Kryeministri u shpreh se, “do të mbetet i paharrueshëm takimi me Kancelaren Merkel, kur ajo gjatë takimit më tha, dakord Shqipëria mund të jetë kështu si thua ti, ne do ta mbështesim që Shqipëria të marrë statusin kandidat. Por dua të më shohësh në sy dhe të më thuash nëse me këtë sistem drejtësie, a mund të anëtarësohet Shqipëria në BE?”.
“Jo me këtë sistem drejtësie Shqipëria nuk mund të jetë anëtare me të drejta të plota në BE. Reforma në drejtësi është një reformë e shoqërisë, e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, pa të cilët sistemi nuk mund të ndryshojë. Një reformë ku roli i aktorëve është i pazëvendësueshëm. Një reformë për të evidentuar problemet. Një reformë për të ndërrmarrë masat dhe për të kaluar në një fazë të re”.

Rama u shpreh se duhet punuar shumë, “që drejtësia të mos jetë një pazar ku ai që ka para blen mallin dhe ai që nuk ka para kthehet në shtëpi duar bosh dhe që çekiçi i gjyqtarit të jetë instrumenti përmes të cilit populli kërkon drejtësi dhe merr drejtësi”.

 

Shqipëria në programin “Creative Europe” të BE-së

Barroso në Gjykatën për Krimet e Rënda: Përqendrohuni te krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta