Përballje në tv mes dy kandidatëve të turnit të dytë të parazgjedhjeve të Qendrës së majtë. Ja çfarë thanë mbi imigracionin
Romë, 29 nëntor 2012 – Në përballjen e mbrëmshme televizive mes kandidatëve finalistë të parazgjedhjeve (primarie) të Qendrës së majtë, Pierluigi Bersani dhe Matteo Renzi, është folur edhe për imigracionin.
“Klandestinë apo migrantë të parregullt, si i quani? Për ju imigracioni është çështje sigurie apo një mundësi më shumë?” ka pyetur drejtuesja e debatit Monica Maggioni.
“Nevojitet që migrantët të mos kthehen në klandestinë – thekson sekretari i PD-së, Bersani – Ne, duke e trajtuar legalitetin me shpulla kemi krijuar një ushtri të parregulltish ndaj duhet të kthehemi të jemi një vend i qytetëruar që disiplinon flukset dhe njeh të drejta qytetarie kur shtë çasti i duhur, për t’i integruar realisht, me pak fjalë një vend që bën të njëjtat gjëra që kanë bërë vende të tjera që kanë pasur përvoja të këtij lloji. E më pas do të vijë çasti kur do të reflektojmë mbi tëmbyturit në Mesdhe dhe do të na vijë turp, do të vijë edhe ai çast”.
Në një tjetër çast të debatit Bersani ka pohuar me forcë që reforma e shtetësisë do të jetë një nga gjërat e para që do të bëjë po të fitojë zgjedhjet: “Një vajzë a djalë, bir imigrantësh që studion këtu me bijtë tanë është italian, sipas meje që ditën e parë”.
“Jam dakord me sekretarin – është përgjigjur kryebashkiaku i Firences Renzi – i quajmë migrantë e jo klandestinë, por themi edhe që ligjet e këtij vendi janë absurde. E dini që një ndërmarrje që merret me modën në Itali, në Firence, nuk mund të zgjedhë një designer, një shkollë formimi nuk mund të thërrasë profesionistë të lartë sepse kemi Bossi-Finin që u pret rrugën, deri edhe atyre që mund të sjellin inteligjencë?Gjëja e parë që duhet bërë është ndryshimi i Bossi-Finit dhe të qenit të aftë ta bëjmë sa më shpejt”.