Nisma e re e shoqatës Besa në mbështetje të komunitetit shqiptar në Romë e Lazio
Romë, 9 korrik 2020 – Në këtë çast të vështirë të krijuar nga pandemia që bëri të detyrueshëm largësimin fizik mes personave, braktisjen e bankave të shkollave e të mësimit tradicional nga fëmijët e të rinjtë, që po hedh kudo hijen e krizës së thellë ekonomike, shoqata Besa ka vendosur të mbështesë fëmijët, të rinjtë e familjet shqiptare në Lazio përmes një sporteli, tani për tani “virtual”, të quajtur “Besa Help Center – S.O.S. Ragazzi e Famiglie Albanesi”. Sporteli lind falë projektit “Tutti a Scuola” me në krye Cesv (Centro di Volontariato del Lazio), që mes një sërë organizmash të krahinës së Lazios ka si partner edhe shoqatën shqiptare Besa të Romës të drejtuar nga Edmond Godo.
Sporteli ofron ndihmë në tri drejtime.
I pari është Informacion të vazhdueshëm e të saktë rreth shërbimeve publike e private, ndihmave në mbështetje të familjeve dhe të rinjve në territorin e Romës dhe Lazios.
I dyti është Orientim dhe Ndërmjetësim i të gjithë të interesuarve në përdorimin e shërbimeve e të burimeve territoriale të ofruara nga rrjeti i shërbimeve publike të minibashkive, sistemit shëndetësor lokal dhe shkollave në Romë e Lazio.
Siç shpjegon kryetari i shoqatës Edmond Godo, “në këtë moment të veçantë e të jashtëzakonshëm të krijuar nga emergjenca shëndetësore, vëmendje e veçantë i kushtohet informimit – përmes faqes facebook të shoqatës dhe linjës telefonike të vënë në dispozicion – të të gjithë të interesuarve rreth politikave sociale e shëndetësore që po ndërmerr qeveria italiane por edhe Bashkia e Romës e Rajoni Lazio, pa harruar të gjitha çështjet “e zakonshme”që kanë të bëjnë me imigracionin nga mundësia e pajisjes me lejeqëndrim, te regjistrimi i rezidencës, pranë sistemit shëndetësor krahinor apo i fëmijëve e i të rriturve në shkolla e kurse formimi”.
I treti drejtim, po aq i rëndësishëm sa të dy të tjerat, ndoshta më delikat, është Mbështetja Psikologjike që ka për qëllim mbështetjen e specializuar të të rinjve e të familjeve në këtë çast historik të jashtëzakonshëm. “Shoqata jonë ka vënë në dispozicion një hapësirë, tani për tani telefonike, – vazhdon Godo – në të cilën dy psikoterapeute të diplomuara e të specializuara në universitetet e Romës dhe të regjistruara në Urdhrin Italian të Mjekut ofrojnë konsultim psikologjik për të rinjtë e prindërit e tyre që në këtë moment të vështirë mund të kenë humbur disi busullën, të kenë vështirësi të ngrenë kokën apo thjesht duan të kenë fjalën e një specialisti, aq më mirë nëse në gjuhën mëmë. Gjithçka, duke mbrojtur anonimitetin e plotë të qytetarëve që i drejtohen sportelit”.
Sporteli “Besa Help Center” është një shërbim krejtësisht falas që ofrohet përmes profilit Facebook të shoqatës Comunità Albanese in Italia Besa dhe linjës telefonike 371-44.85.234, aktive të hënë, të mërkurë e të premte, nga ora 15:00 deri në orën 17:00.