Familja e 22-vjeçarit Vukaj, i gjetur i vdekur nën një urë në Casalmaggiore në vitin 2003 nuk pranoi asnjëherë hipotezën e vetëvrasjes. Më në fund i njëjti ekspert që ka ndjekur rastin e Unabomber, Alberto Riccadonna, është i bindur që djali është masakruar. Prokurorisë së Cremonas i kërkohet rihajpa e çështjes
Romë, 6 maj 2012 – Bledar Vukaj është gjetur i vdekur nën një urë të lumit Po në hyrje të Casalmaggiores më 25 mars 2003. Vdekja e tij ka mbetur mister deri më sot. Edhe pse për Prokurorinë e Cremonës çështja e Bledarit nuk është çështje e pazgjidhur dhe nuk fsheh asnjë mister: djali 22-vjeçar, me të ardhme në futbolli, me familje të konsoliduar dhe me të ardhmen të gjithë përpara, i mori jetën vetes. Vetëvrasje, kështu ka shkruar prokurori në kërkesën e tij për arkivimin e çështjes. Bledari mund të jetë hedhur vetë nga ura natën duke gdhirë 25 marsi 2003.
Por këtë version nuk e ka pranuar asnjëherë familja. “Bledari nuk kishte asnjë arsye pse të vriste veten. Për më tepër, me dhjetëra rrethana e kundërshtojnë atë” është shprehur gjithmonë i ati, Françesk Vukaj, që nuk ka reshtur kurrë së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për vdekjen e të birit.
Rasti i Bledarit deri më sot është hapur e rimbyllur disa herë. Familja ka denoncuar shpesh përmes shtypit mangësitë në hetime, në autopsinë si edhe në rindërtimin e orëve të fundit të jetës së djalit.
Në gjithë këta 9 vjet, Françesk Vukaj nuk është dorëzuar kurrë, dhe ditët e fundit ka paraqitur në Prokurorinë e Cremonës një padi “kundër kujtdo që do të konsiderohet fajtor për vrasjen e të birit” dhe ka kërkuar zhvarrimin e kufomës për rishqyrtim. Këtë herë ka në në anën e tij konsulencën teknike të Alberto Riccadonnas, ekspert legal që ka ndjekur çështje të bujshme si ajo e Unabomber. Asokohe ekspertizën e tij ka sjellë njohjen ligjore të pafajësisë (në vitin 2009) të inxhinierit Elvo Zornitta, i vetmi i pandehur për krimet e Unabomber.
Riccadonna mbron i denë e të atit, duke dalë në përfundimin se “Bledar Vukaj është goditur disa herë dhe me egërsi për ta vrarë (ndoshta edhe është shtypur nga ndonjë mjet mekanik) dhe më pas është hedhur nga disa vetë nga majat e shkëmbinjve buzë lumit Po dhe jo nga ura, për të simuluar vetëvrasjen”.
Pozita kaq e qartë e marrë nga eksperti mbi vdekjen e Bledarit, ndoshta mund të bindë më në fund prokurorinë të rihapë çështjen. Kërkohet sërish të hidhet dritë mbi shumë aspekte të paqarta të ngjarjes: pse një trup që ka rënë nga 18 metra lartësi nuk paraqet thyerje të gjymtyrëve apo të kolonës vertebrore? Pse Bledari ka dy të prera në qafë, sikur ta kishin goditur me diçka të fortë? Pse ka djegie të çuditshme të zeza në trup? Cila ka qenë dinamika e saktë e dy aksidenteve që Bledari ka pasur më 24 mars 2003, pak para se të vdiste, dhe pse ishte trembur e ishte larguar për 60 km? Gjatë viteve të fundit, dy avokatët që mbronin familjen Vukaj, Maria Pia Sacco e Donata Cappelluto, kanë marrë letra kërcënuese që të linin këtë rast, me tone të rënda raciste kundër shqiptarëve. Edhe drejtori i La Voce di Parma, Fabrizio Castellini, ka marrë një zarf me plumba dhe kërcënime të ngjashme me ato të avokateve. Asokohe, i kontaktuar nga “Bota Shqiptare” e interesuar mbi çështjen e Bledarit, Castellini thoshte se nuk kishte asnjë dyshim që dikush është i interesuar që hetimi të mos thellohej.
E për të gjitha këto Françesko Vukaj kërkon prej vitesh që të hidhet dritë. Që në vitin 2005 kish nisur një dosje të plotë edhe në redaksinë e gazetës Bota Shqiptare, në bazë të të cilës redaksia u përgatit “Çështja Bledar Vukaj – Vetëvrasje apo vrasje?”.