Artur N.: “Avioni i linjës Bergamo-Tiranë i të martës së shkuar u nis të mërkurën. Askush nuk më lajmëroi”
Romë, 17 janar 2014 – “Avioni i linjës Bergamo-Tiranë i mëngjesit të të martës u nis mbrëmjen e të mërkurës. Askush nuk më lajmëroi. As me telefon e as me mail” kështu shkruan Artur N., lexues i Shqiptariiitalise.com. Ndërsa më 15 janar Blue Panorama nxjerr një komunikatë në të cilën flet për “bilanc pozitiv” të 50 ditëve të para të fluturimeve nga shtatë aeroporte të Italisë drejt Rinasit. Në komunikatën e saj, kompania italiane flet edhe për përpikmërinë e orarit: “Në 90% të rasteve e kemi respektuar”.
Për Artur N. rezident në Brescia, përvoja me Blue Panoramën nuk është po aq “pozitive”: mëngjesin e të martës është nisur për në aeroportin Bergamo Orio al Serio për të marrë avionin që në orën 9.30 do të nisej për Tiranë. Për çudi, nuk gjen asnjë bankë me logon e kompanisë për të bërë check-in. Në zyrën e informacionit të aeroportit mëson se fluturimi i tij është për mbrëmjen e të mërkurës, në orën 19.30.
“Më pas mora në telefon call-center-in e kompanisë në të cilin ma prenë shkurt se fluturimi ishte shtyrë e se më kishin lajmëruar me e-mail. kjo gjë nuk është aspak e vërtetë, për arsye pune e kontrolloj rregullisht atë e nuk kisha asnjë mesazh nga kompania ajrore. Gjë që më konfrmuan edhe pasagjerë të tjerë që vinin nga vende të ndryshme të veriut të Italisë e që ashtu si unë nuk kishin pse gënjenin e të bënin kot dhjetëra km rrugë për hiçgjë” thotë Artur N. për redaksinë.
“E marr me mend që mund të ndodhë ndonjë e papritur e fluturimi te ketë vonesa, por është e pamendueshme të mos lajmërohen pasagjerët, pse jo edhe me telefon, numrin e të cilit e kërkojnë me detyrim kur bën biletën online” përfundon denoncimin e tij Arturi.
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)