in

Bonus Bebe. Mund ta kërkojnë edhe ata që kanë lejeqëndrim “normal”

Sistemi online i INPS-it nuk u rezervohet vetëm titullarëve të kartës së qëndrimit. Patronatet imigrantëve: “Nisini kërkesat, nëse jua kthejnë mbrapsht do të hapim gjyq”.

Romë, 1 qershor 2015 – Me mijëra pritën bonusin bebe për muaj me radhë, por kur ky mbërriti as që i mori në konsideratë. Është fjala për të gjithë të huajt me qëndrim të rregullt që nuk kanë kartën e qëndrimit (apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë) por një lejeqëndrim të thjeshtë. Megjithatë akoma nuk është thënë fjala e fundit.

Ligji që parashikon bonusin (deri në 160 euro në muaj për tre vjet për prindërit e rinj) thotë që mund ta marrin edhe qytetarë jokomunitarë, me kusht që të kenë lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën karta e qëndrimit, një lejeqëndrim për strehim politik apo për mbrojtje humanitare.

Por ligji është në kundërshtim me një direktivë evropiane në fuqi, që përcakton barazinë e trajtimit me shtetasit italianë të të gjithë të huajve me leje qëndrimi për punë apo që u lejon të punojnë (pra aktualisht lejeqëndrimi unik sipas dekretit legislative 40/2014) në përfitimin e të gjitha ndihmesave e shërbimeve sociale. Ndaj bonusi bebe duhet t’u takojë edhe atyre që kanë lejeqëndrim për punë të varur, të pavarur, në pritje punësimi apo për motive familjare.

INPS-i, në qarkoren e vet me detajet mbi bonusin, iu përmbajt ligjit italian (mes kushteve, karta e qëndrimit), por pastaj e la një deriçkë të hapur: sistemi i tij online u lejon edhe atyre që kanë lejeqëndrim të ndryshëm nga karta e qëndrimit të përpilojnë e të nisin kërkesat. Për këtë arsye, patronatet po këshillojnë imigrantët titullarë të një lejeqëndrimi të vlefshëm për punë të nisin kërkesat.

Është kështu, për shembull, për patronatet Inca Cgil. Por edhe Anolf e Inas të Milanos shkruajnë: “Sipas orientimeve të jurisprudencës në çështje të imigracionit, që edhe në të shkuarën ua ka shtrirë edhe titullarëve të lejeqëndrimit përfitime të ngjashme bonusi bebe duhet t’u njihet e t’u jepet edhe atyre që kanë leje të vlefshme për të punuar. Ndaj edhe për të gjithë këta, INPS-it do t’i nisen kërkesat përkatëse.

Ç’përgjigje do të kenë këto kërkesa? “Duket sheshit se në situatën aktuale do të hidhen poshtë. – shpjegojnë nga Inca Cgil – Ndaj do të jetë e nevojshme të nisim ankesa administrative dhe gjyqësore”. “Meqë ëshë e mundur që kërkesat nuk do të pranohen, do të angazhohemi të mbrojmë të huajt në apelin e mundshëm” premtojnë nga Anolf e Inas Milano.

Me pak fjalë, këshillohet që të niset sidoqoftë kërkesa, që është falas, duke respektuar afatet: brenda  brenda 90 ditëve nga lindja/birësimi,  deri më 27 korrik për fëmijët e lindur/birësuar nga 1 janari deri më 27 prill 2015. Nëse do të hidhet poshtë, mund të apelohet vendimi, e ka shumë mundësi të fitohet, por shpresa më e madhe është që ndërkohë qeveria ose INPS të ndërrojnë mendim, duke iu përshtatur më në fund normativës evropiane e duke u dhënë të gjithë imigrantëve të drejtën e bonusit.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Altin Prenga porta Profumi e Sapori d’Albania all’Expo di Milano

Lumë parash nga deti