in

Rreth 40% e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat për në BE

Në pritje të progres raportit me vendimin mbi statusin e vendit kandidat, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, shpall rezultatet e sondazhit të përvitshëm të sondazhit me të cilin mat perceptimet, pritshmërinë dhe idetë që qytetaret shqiptarë kanë për BE-në dhe integrimin evropian. Rreth 39,2% e qytetarëve shprehen se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat, por 49% mendojnë se Shqipëria nuk është gati për të hyrë në BE

Tiranë, 10 tetor 2012 – Kur pritet që brenda pak orësh të njihemi me përfundimet e progres raportit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, mësohet se rreth 39,2% e qytetarëve shprehen se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat dhe se raporti do të jetë pozitiv, 33,5% shprehen negativisht, ndërsa 27,2% nuk kanë një opinion mbi këtë çështje.

Këtë thotë një sondazh i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, ISHSN, i botuar më 9 tetor, me një kampion prej 1.200 personash në dhjetë qytete të Shqipërisë.  Me të dhënat e këtij sondazhi Instituti do të përgatisë një studim të gjerë që do të botohet në nëntor të këtij viti dhe do të ketë rekomandime për të gjithë aktorët politikë të vendit.

Mes të tjerash në sondazh vërehet se shqiptarët nuk janë optimistë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Pyetjes se kur Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian 40% e shqiptarëve janë përgjigjur se kjo do të ndodhë në vitin 2020, ndërsa vetëm 26,5% janë të mendimit se kjo do të ndodhë brenda 2 viteve të ardhshme.

Nga ana tjetër, 49% e të anketuarve mendojnë se Shqipëria nuk është gati për të hyrë në BE, ndryshe nga 30% që mendojnë të kundërtën.

Po të bëhej nesër një referendum për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 85% e të anketuarve shprehen pro hyrjes (vitin e shkuar ishte 80% ndërsa në vitin 2010, 93%) dhe arsyet janë pritshmëria për rritjen e standardit të jetesës dhe ulja e papunësisë. Këta presin që Shqipëria të bëjë më shumë përpara përsa i përket luftës ndaj korrupsionit,  demokracisë dhe drejtësisë. Ndërkohë 7% e të intervistuarve që janë kundër anëtarësimit, duke dhënë si arsye frikën e rritjes së inflacionit dhe rrezikun që i kanoset identitetit kombëtar shqiptar. 

Ndërsa përsa i përket faktorëve që ndikojnë në integrimin e vendit në BE, 42,3% e të anketuarve mendojnë se e para renditet Qeveria, 20% zgjedhin Parlamentin ndërsa vetëm 18% e tyre mendojnë se përgjegjëse janë partitë politike.

Agim Sulaj fiton çmimin e parë në konkursin ‘Një karikaturë për Europën’

Durrës. Një arbëresh në pallatin tim