in

Çeku për familjet e mëdha. “Mjafton një lejeqëndrim i vlefshëm për punë”

Një direktivë evropiane, shpjegon ASGI, hedh poshtë kriterin e kartës së qëndrimit. Kërkesat paraqiten në Komuna brenda datës 31 janar

Romë, 17 janar 2015 – Deri 141,02 euro në muaj për 13 muaj. Është ndihma që Komunat italiane u njohin familjeve me të paktën tre bij të mitur e me të ardhura të ulëta.

Kërkesa për “çekun për familjet me shumë pjesëtarë” paraqitet në Komunë brenda datës 31 janar të vitit që pason atë për të cilin kërkohet mbështetja ekonomike. Kanë mbetur vetëm dy javë kohë nga data e fundit e vlefshme për paraqitjen e kërkesave, prandaj është mirë të mësohet kush e ka të drejtën e këtij çeku.

INPS që paguan çekun (edhe pse kërkesat paraqiten në komuna) shkruan në faqet e tij internet se çeku u takon “bërthamave familjare të përbëra nga shtetas italianë dhe të Bashkimit Evropian rezidentë” ose nga “shtetas të vendeve të treta që janë qëndrues afatgjatë”. Pra nga ajo që shkruan INPS, jokomunitarëve u nevojitet karta e qëndrimit apo lejeqëndrimi BE për qëndrues afatgjatë.

Sipas ASGI-t (Associazione per gli Studi Giuridici sull’Immigrazione), kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Në bazë të direktivës komunitare 2011/98 që Italia duhet të kishte përvetësuar më 25 dhjetor 2013, por edhe pse nuk e bëri, nga ajo datë direktivën duhet gjithsesi ta vërë në zbatim.

Direktiva u njeh “të gjithë punonjësve jokomunitarë të njëjtat shërbime e ndihma asistenciale që u njihen edhe qytetarëve të Shtetit ku kanë emigruar”. Mes këtyre të drejtave janë për shembull, karta për blerjet, çeku i Komunave për mëmësinë dhe ai për familjet me shumë pjesëtarë.

Pra kriteri i lejes së qëndrimit BE për qëndrues afatgjatë nuk qëndron. Mjafton një leje qëndrimi normale që lejon punësimin siç janë për shembull ato për punë, pritje punësimi, për motive familjare apo për mbrojtje humanitare.

“Kush ka një leje qëndrimi që i lejon punësimin dhe përmbush kriteret e tjera mund të paraqesë kërkesë në Komunë brenda 31 janarit” thotë për Stranieriinitalia.it avokati Alberto Guariso, anëtar i Këshillit drejtues të ASGI-t. Shoqata ka nisur një fushatë informuese për të tuteluar të drejtën e imigrantëve për shërbime sociale.

Ka komuna si Brescia e Verona, që i kanë përvetësuar risitë e direktivës 2011/98, të tjera janë detyruar ta bëjnë nga gjykatat të cilave u janë drejtuar qytetarët e huaj. “Por e rëndësishme është që kërkesa të paraqitet brenda afatit, përndryshe më pas është e vështirë të kërkosh të drejtat e tua” nënvizon Guariso.

Çfarë ndodh nëse punonjësi në sportel refuzon të pranojë kërkesën? “Duhet të niset me postë rakomande brenda afatit. Më pas, – shpjegon ASGI – nëse kërkesa refuzohet apo i interesuari nuk merr asnjë përgjigje, ai mund t’i drejtohet shërbimit anti diskriminime të shoqatës sonë”. 

Shkolla italiane. Kanë nisur regjistrimet. Gjithçka bëhet online, ja se si

Mbush 18 vjeç, mund të përtërij lejen e qëndrimit për motive familjare?