in

Censusi: Shqipëria ka 8% më pak banorë se 10 vjet më parë

Instat jep të rezultatet përfundimtare të Censusit. Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë ka reduktuar në 2.821.977 persona popullsinë në Shqipëri

Tiranë, 13 dhjetor 2012 – Shqipëria ka zyrtarisht 2 milionë e 821 mijë e 977 banorë. Kjo është shifra që jep sot INSTAT mbi censusin e zhvilluar në tetor  2011.

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT-it, rreth 83% e të anketuarve janë deklaruar me kombësi shqiptare, 14% nuk kanë preferuar të deklarohen, 0,87% kanë deklaruar kombësinë greke ndërsa  0,3% kanë deklaruar se janë romë, 0,2% janë deklaruar me kombësi maqedonase .

Bie në sy se krahasuar me shifrat e censusit të vitit 2001 ka një rënie të popullsisë banuese me 8%. Numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3.069.275. Madje popullisia është edhe 9 mijë e 764 më e ulët se shifra që INSTAT publikoi në dhjetor të 2011, 2 milionë e 831 mijë e 741 shqiptarë, bazuar në rezultatet paraprake.

Rënia e popullsisë me 8% në dhjetë vetë

Shkak i uljes së numrit të popullsisë janë rritje e emigracionit dhe ulja e lindshmërisë. “Nga rezultatet përfundimtare të censusit të popullsisë dhe banesave 2011 rezulton se popullsia rezidente është 2.821.977. Numri total i refuzimeve është 21.839 persona. Krahasuar me censusin e vitit 2001 vërehet një rënie e banorëve me 8%. Analizat pararake na dëshmojnë se emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen.” – ka deklaruar Ines Nurja, drejtoresha e Institutit të Statistikave.

Kombësia. 83% janë shqiptarë, 14% nuk shprehen për kombësinë, 0,87% grekët

Sipas INSTAT-it, 83% e të anketuarve janë deklaruar me kombësi shqiptare, ndërsa 14% nuk kanë dashur të shprehen për kombësinë e tyre. 0,87% kanë deklaruar kombësinë greke, 0,30% kanë deklaruar romë, ndërsa 0,2% janë deklaruar me kombësi maqedonase.

Rezultatet e censusit që lidhen me kombësinë, pritet të rindezin debate të forta veçanërisht mes shoqatave të minoritetit grek që janë shprehur kundër censusit.

Besimi fetar Vetëm 56,7% janë deklaruar myslimanë, katolikët më të shumtë se ortodoksit

Një rezultat që bie në sy janë shifrat mbi besimin fetar. Të dhënat e mbledhura nga Censusi tregojnë se 13,79% nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Për tri komunitetet më të mëdha fetare në Shqipëri, shifrat janë këto: 56,70% janë deklaruar myslimanë, 10,03% katolikë dhe 6,75% ortodoksë. Për herë të parë katolikët kapërcejnë në numër ortodoksit. Ateistë janë deklaruar 2,5%, bektashinj 2,09%, ndërsa evangjelistë 0,14%. Të krishterë të tjerë 0,1%, besimtarë të pa karakterizuar 5,53%, besime të ndryshme 0,2%.

Gjuha shqipe, gjuha amtare e 99% të popullsisë

Një risi e këtij censusi është përfshirja në formular e pyetjeve mbi gjuhën amtare. 99% e të pyeturve ka si gjuhë amtare shqipen, më pas vjen gjuha greke me 0,54%, gjuha maqedonase me 0,16, rome dhe arumune me 0,14 %, egjiptianë 0,12%, malazezë 0,01%, të tjerë 0,1%.

Lexo edhe: Shqipëria, vendi që po mpaket: çdo ditë largohen 125 vetë
 

 

Cittadinanza italiana: quali sono i requisiti? Vale anche per il figlio maggiorenne?

Merr të birin pa dijeninë e të shoqes dhe zhduket: dënohet në mungesë