in

Çerdhet, në krahinën e Venetos rregulla të reja kundër bijve të imigrantëve

Ligji u njëh përparësinë prindërve që banojnë apo punojnë në Krahinë prej 15 vjetëve. “Privilegjojmë lidhjen me territorin”

Romë, 17 shkurt 2017 – Përparësi bijve të të qytetarëve të Venetos denbabaden në listat për çerdhet. Fëmijët që kanë fatin e keq të kenë mamin e babin imigrantë, nga jashtë Italisë apo edhe nga një krahinë tjetër e Italisë, do të përfundojnë në fund të listës.

Është rezultati i një ligji të miratuar të martën nga Këshilli Krahinor i Venetos me mazhorancë legiste. Deri tani të vetmit që kishin përparësi e njohur në përpilimin e renditjeve të çerdheve, ishin fëmijët me paaftësi. Teksti i paraqitur nga Maurizio Conte dhe Giovanna Negro (Lega) parashikon që menjëherë pas tyre të renditen fëmijët me “prindër rezidentë në Veneto prej të paktën 15 vjetëve”, edhe jo të njëpasnjëshëm, ose që punojnë në Krahinë prej të paktën 15 vjetëve.

Edhe pse nuk bëhet dallim sipas shtetësisë, është e qartë për të gjithë se cilat do të jenë familjet e para që do të penalizohen nga kriteri i ri: tashmë 20% e të sapolindurve në Veneto i kanë të dy prindërit të huaj. Por do të kenë probleme me kriterin e ri edhe familjet italiane të transferuara së fundi në krahinë. Me pak fjalë, rregulli i ri i modelit trumpian godet pa dallim shtetësie të gjithë ata që në Veneto jetojnë prej pak vitesh.

“Jemi të mendimit se duhen privilegjuar ata qytetarë që tregojnë se kanë një lidhje serioze me territorin e Krahinës sonë” shpjegoi Negro. Sipas këshilltarit Conte, “është e drejtë të jepet akoma një sinjal sidomos tani që qeveria ka hedhur poshtë njohjen e popullit të Venetos si minorancë. Është e drejtë t’u jepet përparësi të drejtash atyre që jetojnë e vazhdojnë të kenë besim në tokën e vet. Dhe e drejta e çerdhes është një shërbim i rëndësishëm në mbështetje të familjes”.

“Është ligj legist e thellësisht i ideologjizuar që ndikon në autonominë e Komunave dhe pengon përpilimin e renditjeve që respektojnë nevojat reale të familjeve që duhet të fusin bijtë në çerdhe. Është një normë e gabuar dhe jemi shumë të shqetësuar për pasojat negative që mund të ketë: nga fakti që Veneto do të jetë më pak tërheqëse për çiftet e reja në përjashtimin e shumë familjeve në nevojë” ngre zërin Claudio Sinigaglio (PD).

Tani sytë janë kthyer nga Qeveria. Ajo mund të vendosë, në fakt, të hedhë ligjin krahinor në gjyq në Gjykatën Kushtetuese.

EP

 

Ermal Meta: “Në kërkim të lumturisë”

Kosovë. 9 arsye për të festuar 9-vjetorin e pavarësisë