in

Çështja Bledar Vukaj – Vetëvrasje apo vrasje?

Zhdukja e provave

Skenari i sajuar i vrasjes së të birit dhe frika mos vrasësit nuk do të gjenden kurrë me arkivimin e çështjes është çka e bën  Françesk Vukajn të mos dorëzohet para versionit të vetëvrasjes, të mos pranojë mënyrën si janë kryer hetimet, të kalojë kalvarin e tmerrshëm që duhet të jetë rishikimi i autopsisë së trupit të të birit 22-vjeçar. Është i bindur Vukaj, ashtu si edhe avokati i tij apo ndonjë gazetar i guximshëm i “La Voce di Parma” se e vërteta e vdekjes së Bledarit fshihet mes atyre “treguesve” që kurrë s’bëhen dot provë derisa dikush t’i hetojë thellë. E vetmja provë që mund të ndryshonte tërësisht hetimet nuk është hetuar. Është një tufë flokësh që Bledari ka në duar në momentin kur gjendet i vdekur “Duart gati të mbledhura mbi fytyrë… dhe ishin të lyera me gjak me shumë fije floku të ngjitura në duar.” shkruan procesverbali i karabiniervë me gjetjen e kufomës. Ishin të Bledarit apo të dikujt tjetër ato fije floku në duar? Dikush që vret veten duke u hedhur nga ura shkul më parë flokët dhe i mban në dorë apo ndoshta viktima mbante me vete një provë që të çonte tek identiteti i vrasësve? Pikëpyetje që do të mbeten të ngrehura. Asnjë hetim nuk është bërë mbi flokët që Bledari mbante në duar, ashtu siç nuk është bërë asnjë analizë mbi rrobat që kishte veshur në kërkim njollash gjaku të ndryshme nga të tijat. Asnjë hetim mbi makinën e tij, asnjë analizë mbi gurët e përgjakur. Që një ditë u zhdukën mistershëm.

U zhdukën pas gati një viti, pasi, ndoshta përbënin një provë për të kontrolluar nëse thepat e tyre përputheshin me plagët që kishin lënë në kokën apo në trupin e Bledarit. Hetuesit nuk e ndoqën atë vazhdë hetimi të bindur siç ishin për versionin e vetëvrasjes. Nuk ka qenë aq i bindur dikush tjetër i cili ka nxituar të zhdukë pikërisht ata gurë nga zalli sapo një trupë e emisionit “Chi l’ha visto”, e vënë në lëvizje nga kërkesa e Françesk Vukajt, është shfaqur në Casalmaggiore.

Politikanët shqiptarë mësyjnë Italinë

Diploma e Bossit e marrë në Shqipëri kthehet në parodi