Chievo Verona ka blerë për një milion e 250 mijë euro gjysmën e kartelës së futbollistit kosovar Përparim Hetemaj. Gjysma tjetër i mbetet klubit të Brescias ku qendërfushori ka filluar të luajë që më 1 shkurt të vitti 2010.
Përparim Hetemaj ka lindur në Skënderaj më 12 dhjetor të vitit 1986. Por vetëm pak vjet më pas, në 1992 familja e tij është transferuar në Finlandë, fillimisht në Oulu e më pas në Helsinki. Pas një periudhë të kaluar në disa klube finlandeze, Përparimi ka luajtur edhe në Greqi e Qipro. Në kampionatin italian ka luajtur 30 ndeshje e ka shënuar 2 gola. Madje ai ka veshur edhe fanellën e kombëtares finlandeze, megjithëse në zemër ka Kosovën. Në disa intervista ka përsëritur se “nëse do të ekzistonte kombëtarja kosovare, ëndrra e tij do të ishte të luante me të”.
Familja Hetemaj ka nxjerrë dy futbollistë, që të dy luajnë në klubet italiane. Mehmeti luan tek Albinoleffe, kur se Përparimi mbetet në serinë A me Chievo Veronën. Të dy kanë luajtur në disa skuadra europiane, por me sa duket kanë ndalur në Itali. Ku të dy nuk harrojnë familjen: Mehmeti luan me fanellën numër 58, viti i lindjes së nënës, ndërsa Përparimi kishte numrin 56, viti i lindjes së babait.
Por janë shquar jo vetëm burrat e familjes Hetemaj; edhe motra e futbollistëve, Fatbardha nuk ka mbetur prapa. Në prill të këtij viti, megjithëse shumë e re, vetëm 25 vjeç, ajo kishte hedhur kandidaturën për deputete në Parlamentin finlandez. Për fat të keq ajo nuk arriti kuotën prej 5.000 votash që i mjaftonin për t’u bërë deputete, preferencat për të qenë “vetëm” 4. 715 vota.
Ir.Ca.