Vazhdon prej katër ditësh aksioni i forcave të rendit në Lazarat e për të shkruan edhe Leonard Berberi në Corriere della Sera, që vë në dukje, që në titull, se ndeshja me armë po transmetohet drejtpërdrejt në televizione të ndryshme
“Gjithçka transmetohet e tregohet live në tv, ditë e natë. – shkruan Berberi në Corriere – Telekamerat e shtatë televizioneve, duke përmbysur programet ditore, ndjekin hap pas hapi avancimin, edhe pse i ngadaltë, të policisë shqiptare. Disa prej “të pamposhturve” të Lazaratit kanë ndërhyrë mëe telefon në transmision e nuk kanë munguar as skenat e dorëzimit të ndonjë prej të kërkuarve përpara telekamerave”.
Detajet e tjera të artikullit janë tashmë pak a shumë të njohura. Është dita e katërt e aksionit policor në Lazarat, -“Republika evropiane e marihuanës”, siç e quan edhe Corriere della Sera, – që sheh të angazhuar rreth 800 forca të policisë, që avancojnë me uniforma antiplumb e automjete të blinduara. “Orë pas ore po marrin nën kontroll fshatin, nga i cili del hashashi që shitet kryesisht në Itali e Greqi e që sjell fitime për 4,5 miliardë euro, sipas të dhënave të financierëve italianë”.
Objektivi i forcave të rendit është të arrijnë te shtëpitë e fundit në veri të fshatit ku gjenden akoma të “pamposhturit” që vazhdojnë të qëllojnë. Të plagosurit janë katër, policët janë akoma në shënjestër e frika është shtrirë edhe në Derviçan, fshati ngjitur ku kanë mbërritur plumbat.
Deri tani janë sekuestruar 11,3 tonë marihuanë, janë djegur 70 mijë bimë për një vlerë rreth 35 milionë eurosh, janë shkatërruar dy laboratorë droge e janë bastisur shtëpi në të cilat janë gjetur armë e municione të ndryshme. “Me kalimin e orëve – thotë Corriere della Sera – reduktohen edhe mundësitë e gjetjes akoma të drogës pasi banorët e fshatit kanë nisur që të martën të djegin vetë parcelat e mbjella. E dëshmon këtë gjë edhe tymi që ngrihet nga zona të ndryshme ku forcat e policisë ende nuk kanë mbërritur”. Corriere përsjell gjithashtu apelin e kryetarit të komunës banorëve për të dorëzuar armët e për të mos dalë nga shtëpia, si dhe atë të forcave të rendit drejtuar banorëve të fshatrave përreth që të mos hyjnë në Lazarat.
Mes deklaratave politike, Corriere sjell atë të ministrit të Brendshëm Tahiri “Do të shkojmë përpara deri sa çdo centimetër katror të vihet nën kontrollin e shtetit” dhe atë të kryeministrit Rama nga Berlini që duke theksuar se asnjë nga qeveritë e mëparshme nuk kish ndërmarrë një aksion të tillë pohon edhe se “Kultivimi i kanabisit mbështetej nga qeveria pararendëse”.
Lexo artikullin të plotë në Corriere della Sera: Albania, la polizia assedia il villaggio della marijuana: battaglia in diretta tv
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)