in

Diaspora dhe përpjekjet për njohje

Emigrantët, me njohjet e profesionalizmin e tyre, krijojnë rrjete që i favorizojnë investimet dhe zhvillimin në përgjithësi, sikurse e ndihmojnë vendin e tyre me dërgesa sociale e kulturore. Kjo vlen, natyrisht, edhe për Shqipërinë. Mirëpo, a u është njohur migrantëve ky rol i rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik, si në vendet ku jetojnë, ashtu edhe në vendin e origjinës?
Nga Rando DEVOLE 

 

Kontributi i migrantëve nuk kufizohet vetëm me zhvillimin e vendeve ku ata kanë vendosur të jetojnë e të punojnë. Ndihma e emigrantëve shkon edhe në drejtim të vendit nga ku janë nisur. Diaspora, si tërësi e migrantëve dhe pasardhësve të tyre, që janë të lidhur me vendin e origjinës, përbën vërtet një “urë lidhëse” me vendin e prejardhjes, ndërsa ndihma e tyre rezulton e konsiderueshme dhe shumëplanëshe.

Edhe pse studiuesit nuk kanë dyshime se kontributi pozitiv i diasporës shtrihet në shumë fusha, nga ekonomia në kulturë, jo gjithnjë klasa drejtuese dhe opinioni publik e kanë përvetësuar këtë konstatim. Pavarësisht se vëmendja ndaj faktorit pozitiv të diasporës është monopolizuar shpeshherë nga remitancat financiare, roli i saj shkon përtej parave që ata u dërgojnë familjeve në atdhe. Emigrantët, me njohjet e profesionalizmin e tyre, krijojnë rrjete që i favorizojnë investimet dhe zhvillimin në përgjithësi, sikurse e ndihmojnë vendin e tyre me dërgesa sociale e kulturore. Kjo vlen, natyrisht, edhe për Shqipërinë[1].

Mirëpo, a u është njohur migrantëve ky rol i rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik,  si në vendet ku jetojnë, ashtu edhe në vendet e origjinës? Pavarësisht nga deklaratat zyrtare dhe shprehja e vullnetit të mirë, kjo përgjithësisht nuk ka ndodhur, e gjithsesi njohja nuk ka qenë automatike, e natyrshme, por ka kërkuar shpjegime e veprimtari bindëse, ndaj një opinioni publik shpeshherë të frikësuar ose indiferent.

Në rast se në vendet e ashtuquajtura pritëse migrantët janë parë më shumë si problem se sa si energji pozitive, duke përfunduar jo rrallë në shënjestër të spekulimeve politike, në vendet e origjinës ata janë parë në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe indiferentizmin. Në Shqipëri, me përjashtim të deklaratave, ndonjë përpjekjeje sporadike dhe strategjive të miratuara zyrtarisht, nuk ka pasur veprime konkrete e me impakt të fortë në favor të përfshirjes së emigrantëve, ose të ashtuquajturës diasporë në zhvillimin e vendit.

Jo vetëm studiuesit, por edhe Komisioni Europian, pra në nivel politik, e ka pranuar zyrtarisht rëndësinë e rolit të emigrantëve, duke pranuar, midis të tjerash, ekzistencën e lidhjes midis anëtarëve të diasporës dhe vendeve të origjinës; si dhe domosdoshmërinë e transformimit të diasporave në elemente zhvillimi[2].

Emigrantët shqiptarë, nga fillimi i procesit migrator, që filloi pas kolapsit të regjimit totalitar, janë përballur si me stigmatizimin negativ në vendet e mbërritjes, ashtu edhe me indiferentizmin e shtetit dhe institucioneve shqiptare. Këto dy aspekte duhen parë në thelb si skajshmëri në luhatjet e qëndrimit ndaj migrantëve, ndryshmëria, alteriteti dhe identiteti i të cilëve shpeshherë nuk shikohen si oportunitete pozitive, por si diçka e huaj dhe si shqetësim social.

Nuk duhet harruar se identiteti është i lidhur ngushtë me marrëdhëniet me tjetrin. Njeriu dhe grupet shoqërore formohen në marrëdhëniet ndërsubjektive, pra nëpërmjet ndërveprimit me qenie të tjera njerëzore. Këtu, në vijim të arsyetimit, na ndihmon koncepti i njohjes, ose i pranimit (en. recognition, it. riconoscimento), që në filozofi dhe në shkencat sociale njihet prej kohësh si i ndërlidhur me përmasën e reciprocitetit[3]. Të tjerët na njohin, na pranojnë, nëpërmjet vlerësimit, simpatisë, njohjes së aftësive, të të drejtave, etj.

Por edhe ana e kundërt, p.sh. urrejtja, mosvlerësimi, antipatia, mund të vlerësohen gjithashtu si mënyra komunikimi, pra si rrjedhojë, njohjeje. Sikundër është edhe indiferenca. Kjo e fundit, që do të thotë mosnjohje e mospranim, është shumë e rëndë për njerëzit e mund të shkaktojë vuajtje e reagim nga ana e tyre. Njohja e tjetrit është aq e rëndësishme, saqë shpeshherë njerëzit parapëlqejnë të gjykohen negativisht se sa të trajtohen me indiferencë[4].

Pa hyrë në trajtimin e thellë të konceptit të lartpërmendur[5], mund të themi se njerëzit ndjejnë si nevojë jo vetëm identitetin personal, por edhe atë social. Njohja ka format e veta pozitive dhe negative. Ajo realizohet vetëm në përmasën e dialogut dhe ka të bëjë direkt me ndërtimin e identitetit, që duhet konceptuar gjithnjë si diçka në lëvizje e në transformim të vazhdueshëm.

Në këtë perspektivë, mund të thuhet se migrantët shqiptarë, nga fillimi i migracionit e deri më sot, janë gjendur midis dy fronteve të ndryshme; i pari është paraqitur me forcën e paragjykimeve (në vendet pritëse) dhe tjetri me heshtjen mospërfillëse (në vendlindje). Këto rrethana margjinalizuese janë përshkuar padyshim me dhimbje nga ana e migrantëve, pavarësisht se kjo vuajtje na rezulton si e padukshme ose si e pavetëdijshme. Kjo situatë jo gjithnjë çon në përpjekje për t’u pranuar (njohur) në vendet e huaja ose në vendin e origjinës, por fakt është se ato po bëhen më të legjitimuara, ndërkohë që diasporat mund të shndërrohen në aktorë politikë[6].

Veprimtaritë e diasporës shqiptare, nga ato në favor të integrimit, tek ato në ndihmë të vendlindjes, nga veprimtaritë në territor tek ato në hapësirën virtuale, kanë vuajtur pjesërisht ose tërësisht nga mungesa e njohjes. Në qoftë se do ta bënim të tonën tezën e njohur të Charles Taylor – sipas të cilit identiteti ynë plazmohet pjesërisht nga njohja ose njohja e munguar ose, shpesh, nga shpërnjohja (nënvleftësimi) nga ana e njerëzve të tjerë dhe si rrjedhim një individ ose një grup mund të pësojë dëme reale[7] – do të thoshim se emigrantët shqiptarë janë prekur, në një mënyrë ose në një tjetër, nga politikat që janë zhvilluar në shumë vende pritëse, por edhe në vendlindje. Me fjalë të thjeshta, paragjykimet në disa vende perëndimore, qoftë në nivel mediatik, i kanë dëmtuar shqiptarët, sikurse i ka dëmtuar indiferentizmi dhe harresa e vendlindjes së tyre.

Nga ky këndvështrim, prania e emigrantëve në Samitin e Diasporës[8], që u zhvillua në Tiranë nga 18-20 nëntor 2016, duket si dëshirë për njohje të rolit të tyre nga ana e vendlindjes ose vendit të origjinës. Pjesëmarrja e emigrantëve në Samit, edhe pse e pamatshme nga pikëpamja përfaqësimtare, tregoi pikërisht dëshirën e madhe të shqiptarëve me banim jashtë shtetit për të treguar jo vetëm ekzistencën, por edhe veprimtarinë e tyre konkrete, si dhe vullnetin për të marrë pjesë në zhvillimet e Shqipërisë dhe shqiptarisë[9]. Natyrisht, përpjekjet për njohje mund të vihen re lehtë edhe në aktivitete të tjera të promovuara direkt nga diaspora dhe anëtarët e saj.

Fakti që shumë emigrantë do të kishin dashur të ishin të pranishëm në “Samit”, e të tjerë akoma nuk vajtën për arsye nga më të ndryshmet, midis të tjerash angazhimet e programuara, mundësitë financiare, skepticizmi ndaj qëllimeve të nismëtarëve, problemet organizative, etj. konfirmon gjithnjë dëshirën që roli i tyre t’u njihet e t’u respektohet nga institucionet e vendit. Nga arsyet e shumta të mungesës së shumë protagonistëve në diasporë është për t’u përjashtuar gjithsesi indiferentizmi ndaj vendit dhe identitetit të vet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjithë shqiptarët në diasporë kërkojnë medoemos të kenë lidhje me vendlindjen, ka plot prej tyre që lidhjet po i humbin tashmë, por kjo është çështje që duhet trajtuar veçmas[10].

Nga ana tjetër, pjesëmarrja, ose dëshira për pjesëmarrje, i heq automatikisht alibinë institucioneve shqiptare për t’u fshehur pas gjithfarë justifikimesh dhe i vë ato përballë përgjegjësisë, për t’u përgjigjur në mënyrë konkrete kërkesave të diasporës; aq më tepër që deri më sot politika shqiptare ka mbetur vetëm në nivelin e deklaratave vullnetmira dhe të retorikës, kur nuk ka pasur qasje përdoruese ndaj saj. Në një farë mënyre, pjesëmarrja e emigrantëve dhe problemet e ngritura prej tyre tingëllojnë si qortim për apatinë e deritanishme të shtetit shqiptar, që mbetet ende në provë lidhur me angazhimin e vet konkret për çështjet e diasporës.

Sado e pjesshme të ketë qenë pjesëmarrja e diasporës në Samit, ajo shpreh, së bashku me mospjesëmarrjen si pasojë faktorësh të ndryshëm, diçka më shumë për dëshirën e migrantëve për të qenë palë në zhvillimin e vendit e të kulturës shqiptare në botë, duke kërkuar njohjen e rolit dhe të protagonizmit të vet, si në planin formal ashtu edhe në planin thelbësor, me bindjen se bashkëveprimi mund të sjellë veçse të mira të ndërsjella.

___________________________________

[1] Rando Devole, Fije që lidhen, “Peizazhe të fjalës”, 13 dhjetor 2010
[2]
Commission of the European Communities, Brussels, 30.11.2005, COM (2005) 621 final Communication from the Commission to the Council and the European Parliament, Priority actions for responding to the challenges of migration: First follow-up to Hampton Court
[3] Për një përmbledhje të konceptit në studimet sociologjike shih Franco Crespi, Identità e riconoscimento nella sociologia contemporanea, Laterza, Bari 2004.
[4] Aty, f. XIV.
[5] Koncepti i njohjes (en. recognition, it. riconoscimento) është shumë i gjerë dhe u ka tërhequr vëmendjen prej kohësh studiuesve e filozofëve, të cilët e kanë trajtuar nga perspektiva politike, si dhe në kuadrin e shoqërive moderne. Shih për më tepër veprat e Axel Honneth dhe veprën Multiculturalismo. Lotte per il riconoscimento me autorë Jürgen Habermas dhe
Charles Taylor. Këndvështrimi ynë lidhet kryesisht me vendlindjen e emigrantëve, ndaj nuk e përfshin trajtimin e mëtejshëm të konceptit të njohjes, në kuadrin e shoqërive shumëkulturore, të drejtave të pakicave, ose në rrafshin kulturor, juridik e politik.
[6] Nauja Kleist, In the name of diaspora between struggles for recognition and political aspirations, “Journal of Ethnic and Migration Studies”, 34:7, 1127-1143, 2008.
[7] Shih Jürgen Habermas e Charles Taylor, Multiculturalismo. Lotte per il riconoscimento, Feltrinelli, Milano, 1999, f. 9.
[8] Rando Devole, Relativiteti i “Samitit” dhe i “Diasporës”, “Shqiptari i Italisë”, 15 dhjetor 2016.
[9] Rando Devole, Samiti sapo filloi, “Peizazhe të fjalës”, 12 dhjetor 2016.
[10] Identiteti është gjithnjë një proces dinamik. Shoqëritë shumëkulturore dhe globalizmi i kanë ndërlikuar disa aspekte. Megjithatë, siç na kujton Seyla Benhabib – e cila e sheh kërkesën për njohjen kulturore gjithnjë nga pikëpamja e shoqërive pritëse -, kulturat riprodhohen nëpërmjet narrativave dhe prodhimeve simbolike, që nyjëtohen nëpërmjet pjesëmarrjes në praktika sociale komplekse. Edhe tema si diversiteti, barazia, territorialiteti, qytetaria, shtetësia, demokracia, etj. nuk mund të shihen jashtë dialogut kulturor. Shih Seila Benhabib, La rivendicazione dell’identità culturale, Il Mulino, Bologna 2005. Në këtë pikë vihet re kollaj roli i urës kulturore, që mund të luajnë diasporat, por që presupozon edhe një dialog konstruktiv e dinjitoz me vendin e origjinës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të huajt dhe ndihmesat sociale, nga bonusi për foshnjet te çeqet familjare

Marie Claire: Gusht 2017, në rivierën shqiptare