Një sasi tejet e madhe droge zbulohet në portin e Durrësit me destinacion Italinë. I vihen prangat shoferit të kamionit, Besnik Çelshima, 49 vjeç.
Tiranë, 18 shtator 2012 – Shërbimet e policisë kufitare kanë goditur një tjetër rast të trafikut të lëndëve narkotike nga Durrësi drejt brigjeve të Italisë, dhe në pranga është vënë transportuesi i saj, shoferi i kamionit, Besnik Çelshima, 49 vjeç.
Sasia prej një toni e 24 kg (dhe jo 600 kg, siç u tha fillimisht) lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u gjet e fshehur mes paletave me tulla në një kamion të një kompanie transportesh. Kamioni është bllokuar teksa po kryente procedurat e imbarkimit në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari dhe autoritetet kufitare kanë ndaluar menjëherë drejtuesin e mjetit ndaj të cilit rëndon akuza për trafik lëndësh narkotike.
Ndërkohë po hetohet për të zbuluar prejardhjen e drogës apo persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.