Ekstradohen nga Italia shqiptarët në kërkim ndërkombëtar, Arben Xhaferri, 36 vjeç, si dhe Miftar Xheleshi, 29 vjeç. Duhet të vuajnë në Shqipëri, përkatësisht, 10 dhe 12 vjet burg secili
Romë, 23 gusht 2012 – Italia ka ekstraduar në Shqipëri dy persona, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Sipas lajmërimit të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol në Tiranë, “ditën e sotme, rreth orës 12.30, u krye ekstradimi nga Roma drejt vendit tonë i Arben Lutfi Xhaferri, vjeç 36, lindur në Kavajë, si dhe Miftar Bashkim Xheleshi, vjeç 29, lindur në Bulqizë”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me vendimin nr. 99, datë 22.10.2003, e ka dënuar Arben Xhaferrin me 10 vjet burg për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Xhaferri është shpallur fajtor, pasi në bashkëpunim me një tjetër, gjatë vitit 1997, nëpërmjet mashtrimit, duke i premtuar për martesë, ka sjellë në Itali shtetasen F. M., 17 vjeç, ku më pas e ka detyruar të ushtrojë prostitucion.
Ndërsa Miftar Xheleshi, lindur në Bulqizë, është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër me 12 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me armë”. Ai është shpallur fajtor pasi në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka vjedhur me armë një banesë në Dibër të Madhe, Maqedoni, duke marrë një shumë prej 5.400 eurosh dhe disa bizhuteri floriri.