in

Egnatia. Rruga që nis nga Roma

Nuk ka dokumente të shkruara dhe shenja të qarta arkeologjike që dëshmojnë për ekzistencën e qytetit të Elbasanit në periudhën e hershme antike, ndërsa popullimi i zonave rreth tij nga ilirët vendas, vërtetohet më së miri nga gjurmimet arkeologjike, si Tumat (kodërvarret) në fushën e Pazhokut, në fshatin Shalës afër Cërrikut apo objektet prej terakote (baltë e pjekur), që i përkasin periudhës helenistiketë zbuluara në fundin e liqenit të Seferanit në Belësh, të cilat banorët vendas paganë ia blatonin perëndeshës Afërditë. 

Ndonëse qyteti i Elbasanit u njoh në histori në periudhën e Ilirisë, mendohet se në kohën e pushtimit romak në vitet 229 – 168 p.e.s. ky qytet u shkatërrua prej tyre, për të rilindur më vonë. 

Rruga Egnatia

Historiania Ortenca Dakli deklaron se Rruga Egnatia mori emrin e realizuesit të kësaj vepre gjigande të antikitetit, i cili ishte gjykatësi romak në Selanik, i quajtur Cnaeus Egnatius, i biri i Caius prokonsull në Selanik. Rruga u ndërtua nga romakët për qëllime ushtarake dhe tregtare gjatë mësymjeve të tyre në Hiri, Maqedoni dhe Greqi”.

Kjo rrugë, në një gjatësi 535 milje, e gjerë rreth 10 metra, e ndërtuar me gurë, shërbente për transport udhëtarësh dhe mallrash. Përgjatë saj kishte sheshe dhe vendpushime të ngjashme me stacionet e sotme. Burimi më i besuar deri me sot mbi këtë rrugë është itinerari i Bordosë, i shkruar nga një murg i panjohur në vitin 333 e. s. gjatë kthimit të tij nga Jeruzalemi.

Ai ka shënuar stacionet dhe distancat nga njëri stacion te tjetri. largësitë janë matur me udhëtime gjysmëdite. Stacionet ku ai ka fjetur i ka shënuar si “mansio” dhe ato ku ka ndërruar kuajt si “mutatje”. Mendohet se stacionet ishin 30-40 milje larg njeri-tjetrit dhe shërbenin për pushim, ushqim etj” vijon Dakli. 

Rruga Egnatia, e cila kalon edhe në Elbasan, zë fill në Durrës me dy degëzime, njëra të shpie në Apoloni dhe tjetra vijon nga Ura e Dajlanit-Shkëmbi i Kavajës-Kavajë, kalon lumin e Darit mbi një urë-Rani i Gores-Bishti i Zhurit-Peqin. Nuk ka shenja për stacione të mundëshme nga Durrësi deri në Peqin. 

Nga Peqini deri në Elbasan ka vetëm një stacion i quajtur Add Quintum i cili ndodhet në fshatin Bradashesh. Më pas kjo rrugë shtrihet në Elbasan-Mengël – Labinot – Fushë Mirakë (stacioni Genesis), kalon në anën tjetër të Shkumbinit dhe njëkohësisht i shmanget bregut të lumit duke u ngjitur nëpër male – Babje (stacioni Ad Dianam – Tempulli i Dianës), Spathare – Dardhë – Gurrat e Zeza – Qukës – kalon sërish lumin Shkumbin – Fusha e Domosdovës – Qafë – Thanë e më tej në Strugë – Ohër – ­Manastir (sot Bitola, Maqedoni) – Selanik (Greqi) dhe vijon deri në Stamboll e përtej. 

Degëzimi i Apolonisë, bashkohet me pjesën kryesore pikërisht në qytetin e Peqinit.  Një arterie tjetër e kësaj rruge pasi përshkonte Korçën dhe Beratin, futej në zonën e Dumresë (Belësh-Shalës­-Cërrik) dhe bashkohej me degën kryesore pikërisht në lumin Shkumbin, ku ka qenë ndërtuar edhe një urë, bazamentet e së cilës, ndonëse të rrënuara, ruhen ende në shtratin e këtij lumi dhe pikërisht në fshatin Topçias ose ku bashkohet derdhja e përroit të Zaranikës me lumin e Shkumbinit. Kjo rrugë ka pasur nëndegëzime edhe në zona të tjera të Elbasanit. 

“Për herë të parë, këtë rrugë e përmend Polibi në vitin 120 p.e.s. dhe më pas Straboni. Ky i fundit thotë se rruga kishte dy degëzime, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Apolonia. Po nga Straboni mësojmë se një pjesë e rrugës quhej rruga e Kandavisë ( Kandavia quhej atëherë një mal me emër ilir në malësinë e Polisit në Elbasan). Kjo rrugë, e ndërtuar nga romakët, është vazhdim i rrugës Appia dhe niste në Romë për të vazhduar drejt Beneventum-it e Brindisit e deri buzë detit Adriatik.

Udhëtimi në këtë rrugë, në atë periudhë bëhej me karvanë me kafshë”, shton historiania Ortenca Dakli. Rruga e famshme romake, Egnatia, nga Durrësi në Bizant, lidhte Romën me Konstandinopolin, duke kaluar nëpër Ohër e Selanik. Skampa ishte stacioni i parë i rëndësishëm i saj pas Durrësit, me një kështjellë, e cila, në shekullin IV, kishte 28 kulla dhe 3 hyrje. Rreth një muaj më parë, me një fond prej 1 milion euro dhënë nga Bashkimi Europian, kanë nisur punimet me qëllim  rikthimin në identitet.

Miranda Sadiku

Rreh e përpiqet ta hedhë nga dritarja partneren shtatzënë

Recanati. I zoti i shtëpisë qëllon me armë kundër hajdutëve dhe vret njërin