in

Elhaida Dani e Riccardo Cocciante, për dy ditë heronj në Shqipëri

 
Fituesja e The Voice of Italy dhe mësuesi i saj janë ftuar për dy ditë në Shqipëri ku janë pritur nga presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, ministri i Kulturës. Presidenti Nishani i akordon Cocciantes titullin e lartë “Naim Frashëri”

Romë, 10 qershor 2013 – Kantautori italian Riccardo Cocciante dhe Elhaida Dani, fituesja e The Voice of Italy kanë qenë në Shqipëri fundjavën e shkuar me ftesë të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, dhe nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha që organizuan këtë vizitë në shenjë vlerësimi dhe falënderimi ndaj kantautorit, për përkushtimin dhe ndjeshmërinë ndaj talentit shqiptar.  

I rrethuar nga gazetarë me të mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, Cocciante që për të parën herë shkonte në Shqipëri, deklaroi se ndihet i lumtur që ka bashkëpunuar për të bërë diçka për artin mes dy vendeve. “Gjithnjë kam menduar që arti s’duhet të njohë kufij, kjo u konfirmua edhe njëherë tjetër pikërisht në spektaklin The Voice, gjatë të cilit italianët u treguan mendjehapur për zgjedhjen e një këngëtareje shumë të mirë. Ky për mua është një çmim i dyfishtë”, tha Cocciante.

Sa për famën e tij në Shqipëri i entuziazmuar është shprehur: “Nuk dija që isha kaq i famshëm këtu. Edhe për këngën “Margherita” s’e dija që këtu është mit. Më bëhet shumë qejfi kuptohet, pasi e kam kompozuar e kam kënduar, dhe është bukur të mësosh që një popull është kaq pranë këtij lloj arti”.

Edhe Elhaidës i është dashur t’u përgjigjet që në aeroport pyetjeve të shumta.

Jeni shprehur që keni realizuar një ëndërr të nënës suaj, ajo ju ka nxitur drejt muzikës?

E kam ditur që ime më donte të bëhej këngëtare, por nuk e pati të mundur, për shkak të regjimit dhe arsyesh të tjera. Ajo më ka shtyrë dhe më mbushte me ëndrrën se unë do të isha në skena të mëdha duke kënduar. Dhe unë kam besuar tek ëndrra e saj dhe emocionohem në veçanti kur ajo emocionohet për suksesin tim. Jam e kënaqur që po jetoj edhe ëndrrën e saj.

Ç’po ndodh me karrierën tuaj, pas fitores në “The Voice”?

Tani po punojmë për të kthyer në italisht këngën e maestros, e cila do të dalë shumë shpejt. Të martën do të realizojmë klipin e kësaj kënge. Po punojmë për albumin tim që do të dalë në korrik, do të ketë disa këngë në italisht, dy në anglisht dhe tri që kam kënduar gjatë udhëtimit tim në “The Voice”. Kam fituar një kontratë me “Universalin”, por nuk mund të them dot asgjë më shumë.

Do të vazhdoni karrierën në Itali?

Shpresoj të vazhdoj në Itali e më gjerë. Do të doja në Itali, sepse është shteti që më mbështeti kaq shumë, si të ishte vendi im. Do të ishte arritje për mua.

Menjëherë pas fitores ju kanë mbërritur shumë urime nga politikanë, jeni ndier e “përdorur”?

Nuk do ta quaja “përdorje”. Ndihem e nderuar që një vajzë 20-vjeçare si unë, që sapo është kthyer nga një eksperiencë shumë e bukur e jetës së saj, të përshëndetet nga personalitete të larta të shtetit. Megjithatë, unë nuk dua të merrem fare me politikë. Unë këndoj, bëj muzikë, kjo është e vetmja gjë që më intereson. I mirëpres urimet, por pa asnjë qëllim politik.

Permesso di soggiorno per studio. Come rinnovarlo?

Unë mësoj shqip – Fëmijët e Scanderbegut të Parmës në festë