Bujar Nishani takon në Bruksel emigrantët shqiptarë që i shprehin shqetësimet e tyre ndaj shtetit. “Emigracioni i jep aq kontribut Shqipërisë sa që një e treta e popullit shqiptar me banim jashtë atdheut ta ketë një ministri”
Krijimi i një ministrie për emigracionin, mësimi i gjuhës shqipe, e drejta e votës, lehtësimi i procesit për marrjen e një certifikate apo i shtetësisë shqiptare, janë disa nga problemet që hasin shqiptarët jashtë atdheut, që një grup emigrantësh në Belgjikë i shprehu më 19 shtator presidentit të republikës, Nishani gjatë një takimi të mbajtur në Bruksel.
“Shteti e ka për detyrë që të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për emigrantët. Ajo që unë do të bëj është që do t’ia transmetoj menjëherë qeverisë, shqetësimet tuaja” u ka premtuar emigrantëve Nishani.
Emigrantët i kanë treguar për probleme konkrete që hasin në marrëdhëniet me ambasadat e konsullatat: “Kam dëgjuar nga drejtori i Gjendjes Civile se është kompjuterizuar gjendja civile, mirëpo konsullata apo konsulli thonë: “unë nuk kam akses”. Kjo me thënë të drejtën është pak alarmante, sepse konsulli, ambasadori janë përfaqësues seriozë të shtetit e të mos kenë akses sa një punonjëse e gjendjes civile, që është trashur duke marrë prej 20 vjetësh atje në Shkodër, në një komunë, është pak paradoks”, u ankua një prej tyre.
“Hapim një numër telefoni celular në Shqipëri dhe ta mbyllin ata. Askujt nuk i shkon në mendje t’u thotë atyre kompanive se sa harxhon një klient atje për një vit, ne e harxhojmë për dy muaj. Emigracioni e jep aq kontribut sa që një e treta e popullit shqiptar me banim jashtë atdheut ta ketë një ministri”, tha një tjetër.
Por presidenti u tregoi migrantëve për ekzistencën e drejtorisë së Diasporës në ministrinë e Jashtme: “Në Shqipëri, ne në fakt nuk kemi një ministri, por ka një institut, një drejtori të posaçme pranë Ministrisë së Jashtme, pra departament të posaçëm, i cili merret tërësisht me çështjet e diasporës. Por që pavarësisht si ndërtohet ky institucion, ne kemi nevojë ta kemi më dinamik”.
(sipas TCh)