in

Fan Noli në fe

Çfarë lidhjeje kishte Fan S. Noli me fenë? Vlerësimet e rëndomta publike që dëgjohen mbi Nolin dhe fenë e tij mund të renditen përmbledhtas si: “Noli nuk besonte, por u bë  prift për Shqipërinë”, “nuk besonte, por u bë prift për arsye ekonomike”, “e bëri për karrierë” e të tjera si këto. Të gjitha kanë njëfarë shpjegimi… Por ato pjesë në veprën e Nolit që janë më përfaqësore, më përfshirëse për përvojën fetare të tij, nuk janë cituar nga mëtuesit e Nolit tjetër.

Nga Atë Foti Cici

“Hear, o Israel!”
 (Noli, 1964)

Çfarë lidhjeje kishte Fan S. Noli me fenë?  E nisim këtë bisedë me parakushtin se cilësia fetare e një njeriu nuk mund të çanësohet saktësisht e plotësisht nga askush, sado e mprehtë që të jetë mendja e tij. Edhe sikur të gjenden mënyra për të zbërthyer e çkodizuar imtësisht jetën private të dikujt, edhe sikur të vihet në veprim një mendje me metoda tejdepërtuese, prapëseprapë, përvoja fetare e qenies njerëzore lëviz më brenda se intimja e më thellë se nën’ndërgjegjja (As ne klerikët jemi të aftë të përkufizojmë vetveten, përpjesat e përvojës sonë të mirëfilltë fetare, e pa le më të orvatemi t’a bëjmë këtë tek të tjerët). Madje dhe lidhjet ndërpersonale brenda fesë synojnë në përshkrime e përvijime të përvojës fetare, sesa në përkufizime të saj.
Mbas kësaj përligjjeje, kuptohet se përse nuk gjejmë referenca të mirëfillta mbi fetarinë e një njeriu, sesa dëshmi të pjesshme, dytësore, nga kalime për qëllime të tjera, ku përkatësia a përvoja fetare përpjestojnë  ngjyrime e jo përkufizime të jetës a veprës së tij. Në rastin e Nolit përvoja njerëzore pështjellohet njësoj, nga njëra anë,  ndërsa ndërlikimet e dhuntive dhe të përzgjedhjeve të tij e kanë bëjnë atë më të debatueshëm; nuk kam hasur ndonjë rast të ngjashëm në letrat tona kulturore, jo vetëm që të jetë fjaluar kaq shumë për statusin e tij fetar, por që kjo temë të jetë bërë nistore në një debat të mirëfilltë. Vetëm me këtë paradhënie justifikohet dhe pjesëmarrja jonë në debate të tilla: respekti ndaj naivitetit si realitet i trashëguar kulturor.  

Midis qiellit dhe tokës

Vlerësimet e rëndomta publike që dëgjohen mbi Nolin dhe fenë e tij mund të renditen përmbledhtas si: “Noli nuk besonte, por u bë  prift për Shqipërinë”, “nuk besonte, por u bë prift për arsye ekonomike”, “e bëri për karrierë” e të tjera si këto. Të gjitha kanë njëfarë shpjegimi, se një pjesë e tyre ka dalë nga leximet përzgjedhëse/fragmentare të shkrimeve të Nolit, i cili tek-tuk ka thënë diçka nga këto (Në fakt, disa prej tyre duheshin thënë). Por ato pjesë në veprën e Nolit që janë më përfaqësore, më përfshirëse për përvojën fetare të tij, nuk janë cituar nga mëtuesit e Nolit tjetër. Kjo dhe për faktin se interdisiplinimi i jetës kulturore të pasdiktaturës nuk përfshin lexime të mirëfillta nga përfolësit, prandaj dhe është vështirë për të shquar. Kur ne të fesë kërkojmë të trajtojmë aspekte jashtëfetare, jam i bindjes se kjo duhet të bëhet vetëm atje ku perceptimi ynë është i drejtpërdrejtë. A mendojnë njësoj sekullarët?   

Parë nga jashtë ortodoksisë Noli nuk i plotëson kushtet e kandidimit për prift, prandaj dhe lexuesit përkatës me të drejtë mund të mendojnë tek po më lexojnë: “Ky është prift dhe po orvatet të na mbushë mendjen se Noli ishte besimtar…”. Trajtuar nga brenda besimit ortodoks, e veçanta me Nolin qëndron tek shpejtësia e vendimeve të tij, përderisa kapërceu shumë shkallë njëherësh: nga anëtar i rëndomtë i religjionit ortodoks, u bë prift pa studime teologjike, dhe madje duke u ndjerë qysh në fillim si “prelat” i kishës ortodokse. Le të kujtojmë këtu aplikimin në Harvard, qysh në vitin e parë të priftërisë: “Do të vazhdoj të jem prift në qoftë se nuk do të bëhem peshkop”. Prandaj dhe lexuesit besimtarë ortodoksë kanë të drejtë të mendojnë tani: “Ky kërkon të bëjë fetar një aventurier të vetëshpallur”. Por të dy gjykimet/reagimet nisen nga rrethanat e sotme, prandaj dhe janë të bashkëmenduara.

Parë nga rrethanat kishtare të atyre viteve, veçse, Noli nuk u bë prift nga e mosqena. Kishte arsim të mesëm kishtar, gjë që për atë kohë ishte diçka e madhe, njihte mirë muzikën kishtare bizantine dhe dinte mirë një gjuhë të mbretëruar liturgjike siç ishte greqishtja. Meqë nuk ekzistonte libër shërbesash në shqipe, asnjë shqiptar nuk mund të bëhej prift vetëm me shqipen, pa ditur të meshojë në një gjuhë të huaj liturgjike, prandaj dhe kisha ruse e pranoi kandidaturën e Theofanit në sajë të greqishtes, përderisa ai nuk njihte as rusishten e as sllavishten kishtare. Por përderisa prifti i ri do t’iu shërbente shqiptarëve, kandidati dinte mirë gjuhën shqipe, të cilën atëherë po provonte t’a shkruante, dinte disa gjuhë të tjera, ndërsa po mësonte anglishten, e cila po shtrihej si gjuhë zyrtare e misionit ortodoks rus në Amerikën e Veriut. Të mos harrojmë se asokohe në Amerikë qarkullonin priftërinj mërgimtarë që dinin pak të këndonin, më pak të lexonin e fare më pak të shkruanin.  

Një klerik me një ngarkesë të tillë intelektuale e spirituale nuk mund të quhet as i papërshtatshëm në arsim e as i padenjë në kishë. Por as mund të themi se Noli ishte një prift i mirëfilltë, siç mund të përfytyrohet dikush sot; një klerik i dedikuar në detyrat kishtare dhe asgjë më tepër. Shqetësimi intelektual i Nolit për situatën e kombit të tij kishte pasojat e veta dhe në përpjestimet me fenë e tij. Rrëshqitja e pjesës njerëzore të kishës ortodokse, specifika e saj në raport me shqiptarët, të gjitha këto dhe të tjera, ngatërrojnë edhe mendjen më të sistemuar. Pastaj leximet e filozofisë, mësimi i gjuhëve të huaja dhe tejkalimi i sasisë së bibliografisë për një student greqishtfolës (siç ishte Noli para se të shkonte në Amerikë), shoqërimi dhe identifikimi me bashkëkohës intelektualë, të cilët mungonin në kishën greke që ai njohu, të cilës dhe i përkiste ato vite, edhe këto të gjitha e patën bërë Nolin të reagojë kundër fesë së institucionalizuar. Por kjo nuk është jashtë caqeve të përvojës fetare.
Përvoja fetare e Nolit nisi qysh pa mësuar të shkruajë, atëherë kur po mësonte të psallte në kishë me të atin psallt. Spiritualiteti i Nolit filloi me gjyshen që i mësonte të agjërojë, që nganjëherë, siç e shkruan ai në vitet 50, zgjatej me ditë të tëra. Një përvojë e tillë intuitive sa më tepër t’a përndjekësh aq më shumë të përndan nga harresa. Vetënjohja e hulumtimi nuk është e thënë të të bëjnë me domosdo gjysmëhyjni. Kështu filloi Noli me Niçen.

Që të influencohesh nga Niçja e të bësh referenca të hapura kundër aspektit institucional të kishës, dhe madje të dëshirosh ndonjëherë edhe përballjen me godinën e saj, kjo është e pritshme për një adoleshent “të tejpjekur”, siç e ka parë veten Noli qysh në skicat e Athinës që botoi në greqishte: “Dhe ti, dashuri e zemrës sime, eja dhe puthi faqet e ndezura të shpirtit tim, që të pikojë dhe të derdhet mjalti që është bërë helm nga tejpjekuria…” (Shpirti im i përgjumur si Nili).

Edhe pak më vonë, prapë kjo kuptohet si pjesë e dialogut dhe e luftës së tij me vetveten dhe me botën përreth. Sa spontane është kjo për një njeri që kërkon të arrijë në thelbin e përvojës njerëzore, siç ishte Noli i viteve 10, aq dhe e pritshme është për një plak që e sheh jetën tashmë si “kotësi”, siç ishte Noli i viteve 50.

Në qoftë se nuk do të ekzistonte përvoja e sinqertë fetare, një plak si Noli mund të merrej me gjithçka, veçse me përkthime intensive biblike e liturgjike, të cilat madje jo vetëm që i përktheu disa herë, për disa dhjetëvjeçarë, herë në shqipe e herë në anglishte, e prapë anasjelltas, por dhe i përdorte ditë për ditë, dhe madje i bënte ato pjesë së mësimdhënie me brezin e ri, duke përgatitur kore kishtare, etj. Flasim për konsuminin e një jete të tërë në një fushë që me gjithë shpërndarjet e përftuara nuk ishte tjetër veçse fe. Ndoshta dhe vetë peshkop Theofani ia ka bërë vetes këto pyetje që i bëjnë atij sot dhe ka thirrur.

Dëgjo, o Izrael!

Libri i fundit në anglishte Psallmët, 1964, i cili është për Fan Nolin “kënga e mjellmës”, shenjohet: “Dëgjo o Izrael!” (dëgjo, e Perëndi), duke e cituar nga një libër tjetër i Dhjatës së Vjetër. Kjo dëgjohet si thirrja e tij e fundme, detyrimi ndaj vetvetes, përgjigjja ndaj njerëzve dhe guximi fisnik ndaj qiellit: “Dëgjo, o Zot!”  Duke lexuar Nolin kaq drejtpërdrejt, si mund të besojmë vlerësimin tjetër të bashkëkohësve se Noli nuk ishte fetar, as ateist, por “agnostik”.

Dihet se Noli ishte një  prelat i moderuar, një “reformator i kishës” (Faik Konica). Vetë Konica, i cili dikur, emocionalisht, e pati quajtur qëndrimin moral të Nolit në shoqëri si “puritanizma e Nolit”, ka vëzhguar se brenda caqeve të fesë së tij Noli nuk ishte aspak puritan. Përkundrazi, ai ishte i zoti të rezistonte hendekun midis kishës ortodokse dhe brezit të tij.   

Vlerësimet e cekëta të disa shqiptaro-amerikanëve se Noli ishte “agnostik” mund të përgjigjen vetëm nëse ata mund t’i përgjigjeshin pyetjes: çfarë do të thotë “agnostik”? Mëkatet e një njeriu nuk dëshmojnë gjithmonë mosbesimin e tij në Zot, për të mos thënë se ato janë pjesë e betejës së jetës, a ndoshta përikja për shkak të mizantropisë së bashkëkohësve të tij gjykatarë. Mëkatëria e Nolit, brenda a jashtë thonjëzave, nuk duhet të pështjellojë e të merret si mungesë besimi, sepse besimtarët janë njësoj subjekte të mëkatit ashtu si edhe jobesimtarët. Klerikët po ashtu. Cilësia e Nolit si klerik dhe të qënurit e tij besimtar janë dy tema krejt të ndryshme. Tanimë vijmë tek kreu i cilësisë së tij si “kryeprift”, por ajo është një çështje që ka pasoja vetëm brenda religjionit të tij dhe nuk justifikon përfoljen e as përjashton argumentimin tonë. Prandaj dhe ata kishtarë që përpiqen të mbajnë peng të dhëna mbi jetën personale të Fan Nolit në thelb janë më qesharakë se përfolësit e tij.

Duke vërejtur përzgjedhjet e Nolit në përkthimet kishtare në shqipen e tij kulturore, e duke rezistuar gjithë jetën e tij kishtare, nuk mund të mos vëzhgojmë përpjekjet e tij për veçorizimin e klerikut vendor për shqiptarët. Një gjë e tillë, që kërkonte më shumë se një jetë, nuk mund të bëhej nga një ateist a “agnostik”. Po të ishte ashtu, meqë kjo është diçka e mundshme, e përderisa kemi një trashëgimi kaq të pasur këto vite, le të urdhërojnë përfolësit e të vazhdojnë udhën e lënë përgjysmë nga Noli, për të përmbushur kombëtarizimin e ortodoksisë shqiptare, qarkun e saj të plotë në historinë tonë kulturore.

Nga gjithë ky arsyetim, jo vetëm që Noli del i krishterë por na duket dhe ortodoks. Edhe pse u arsimua në Harvard, Zoti i tij nuk ishte biblik, por liturgjik, ritual, kulturor. Kjo duket tek përkthimi i Dhjatës së Re në anglishte i cili nuk u krye nga teksti kritik, siç do të bënte një filolog i Harvardit, por nga teksti zyrtar i kishës greke, duke e theksuar që në titull, siç do të bënte një teolog ortodoks, ndonëse në vitet 60 kur botoi këtë libër, ai i kishte dhënë asaj lamtumirën. Bibla e Nolit është kishtare, me shënimin dhe vulën e tij qysh në faqe të parë, “për përdorim në kishat shqiptare dhe në shkollat e katekizmës”. A mund të jenë referenca të tilla shpërfillëse për jetën dhe veprën e Nolit?

Bota Shqiptare 121, janar 2005

“Perëndia” dhe “Zoti” në gjuhën shqipe

Shkarkimi i Kreshnik Spahiut. Miratohet ngritja e Komisionit hetimor