Viktima është një shqiptar 36 vjeç, rezident në Cernusco
Romë, 27 maj 2013 – Një fatkeqësi në punë, në Cernusco sul Naviglio, komunë pranë Milanos, i ka marrë jetën një emigranti shqiptar 36 vjeç. Rreth orës 10.30, në një kantier ndërtimi në rrugën Baracca, struktura metalike e skelës është shkëputur nga muri e është shembur duke marrë me vete edhe 36 vjeçarin që ishte mbi të duke suvatuar në pesë metra lartësi.
Sipas informacioneve të para nga ekipi mjekësor që ka shkuar në vendngjarje, punëtori ka vdekur menjëherë. Agjentët e policisë lokale dhe personeli i ASL-it të zonës po punojnë për zbardhjen e arsyeve të shembjes së strukturës dhe për verifikimin e respektimit të normave të sigurisë në punë në kantier.