in

Festimet e ambasadës italiane në Tiranë në 100 vjetor të pavarësisë

Nga 3 nëntor -14 dhjetor 2012 një sërë veprimtarish të larmishme, të Ambasadës së Italisë dhe të Institutit italian të Kulturës në Tiranë do t’u bashkohen festimeve për 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Aktivitetet nisën me shfaqjen e filmit Anijatë regjisorit Roland Sejko, i cili më datë 3 nëntor gjatë Festivalit të Filmit Shqiptar çeli zyrtarisht aktivitetet e organizuara nga Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Arbëria e lashtë për Shqipërinë e re

Gjatë edicionit të XV të Panairit të Librit në Tiranë, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga data 14 deri në datë 18 nëntor, Instituti Italian i Kulturës do të marrë pjesë në festimet e Njëqind vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me një sërë nismash kushtuar Arbëreshëve. Programi i pasur me aktivitete me titull Arbëria e lashtë për Shqipërinë e re’: homazh kulturor i Arbëreshëve të Italisë në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Programi, i hartuar në bashkëpunim me profesorët Francesco Altimari (Universiteti i Calabria-s) dhe Matteo Mandalà (Universiteti i Palermo-s), zhvillohet nën kujdesin e Fondacionit “Francesco Solano” dhe të shoqërisë Albacall.

Takimi letrar rreth librit Lule Shehi të poeteshës arbëreshe Enza Scutari, në program ditën e enjte 15 nëntor, në orën 16.00, do të ndiqet nga prezantimi i trilogjisë Stinët e Hora-s të shkrimtarit Carmine Abate. Shkrimtari arbëresh, fitues i edicionit të 50° të Çmimit Campiello me romanin La collina del vento (Kodra e erës), e përkthyer tashmë në shqip nga Toena, do të takojë lexuesit ditën e enjte, 15 nëntor, në orën 11.00, pranë stendës së shtëpisë botuese Toena dhe të premten, 16 nëntor, në orën 11.00 pranë stendës së Institutit Italian të Kulturës, me një fjalim me titull Nga Stinët e Hora-s tek Kodra e erës. Vëllimi Stinët e Hora-s, i sapo botuar në Itali nga Mondadori, përfshin romanet Il ballo tondo (1991), La moto di Scanderbeg (1999) dhe Il mosaico del tempo grande (2006).

Ndër aktivitetet e parashikuara veçojmë paraqitjen e numrit monografik të revistës ‘Il Veltro’, kushtuar ndikimit të marrëdhënieve me Italinë në lindjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, si dhe konferencën me temë ‘Arbëreshët, roli i shtypit dhe çështja shqiptare në Itali mes Tetëqindës dhe Nëntëqindës’, që do të mbahen në datën 17 nëntor, nga ora 16.00 deri në orën 18.00 pranë Sallës së Konferencave të Pallatit të Kongreseve dhe pas fjalës përshëndetëse të kryebashkiakut të San Cosmo Albanese Cosmo Azzinari dhe të profesor Altimarit do të vijojnë fjalimet e prof. F. Guida, F. Cacciamo, A. Basciani, A. D’Alessandri, F. Fabbricatore, V. Duka, M. Mandalà, me moderimin e drejtoreshës së Arkivës së Shtetit, Nevila Nika.

Gjatë prezantimit të librit të Francesco Caccamo-s, ‘Odisea arbëreshe: Terenzio Tocci mes Italisë dhe Shqipërisë’, do të përkujtohet figura e Terenzio Tocci-t – më parë figurë e spikatur e Rilindjes arbëreshe së bashku me Nazario Sauro-n e Ricciotti Garibaldi-n dhe më pas ministër i Ekonomisë në Shqipëri në vitin 1939 dhe kryetar i Dhomës së Deputetëve në vitin 1940 – dhe do të marrin fjalën autori, prof. A. De Oto dhe nipi i Tocci-t, Terenzio D’Alena.

Pasditja kushtuar mbështetjes së lëvizjes kulturore arbëreshe në Pavarësinë e Shqipërisë do të përmbyllet me recitalin me titull Ballkani dhe Arbëria me pjesë letrare të autorëve shqiptarë (I. Kadare, L. Starova, A. Podrimja, V. Zhiti) dhe arbëreshë (G. De Rada, Z. Serembe, C. Abate, E. Scutari, G. Schirò di Maggio), realizuar nën kujdesin e Nando Pace-s e Monica Rovito-s.

Muzikë

Pasditen e së dielës, datë 18 nëntor, muzikologu i njohur Quirino Principe dhe kompozitori Francesco Veneruccido do të paraqesin pranë stendës së Institutit Italian të Kulturës një ‘Hyrje në Opera’, ku do të prezantojnë operën Skënderbeu – Kalorësi i dashuruar të Antonio Vivaldi-t,  bashkëprodhim italo-shqiptar që do të vihet në skenë në orën 19.00 pranë Teatrit të Operës dhe Baletit.  Është një dramë muzikore me tre akte kompozuar nga Antonio Vivaldi me libret të Antonio Salvi-t, vënë në skenë me rastin e përurimit të Teatrit Pergola në Firence në vitin 1718 dhe më pas e humbur. Rekuperimi dhe plotësimi i pjesëve muzikore dhe ripërpunimi i libretit të ruajtur tërësisht është realizuar falë bashkëpunimit tashmë të konsoliduar mes Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës dhe Akademisë së Verona-s për Operan Italiane.

Krahas mjeshtrave Quirino Principe dhe Francesco Venerucci,  për palën italiane morën pjësë në rekuperimin e veprës edhe M° Giorgio Brunello (bashkë-dirigjent), Carlo Saletti (regji), Andrea La Cagnina (skenografi), Giancarlo Cauteruccio (multimedia). Vepra, bashkëprodhim i Teatrit të Operas dhe Baletit, Akademisë së Verona-s për Operan dhe Institutit Italian të Kulturës do të rikthehet në skenë në datat 19 dhe 20 nëntor 2012.

Teatër

Në datat 21 dhe 22 nëntor, në Tiranë si dhe në Elbasan, në Teatrin Skampa, Instituti Italian i Kulturës do të paraqësë shfaqjen teatrale Italianesi’, shkruar dhe interpretuar nga Saverio La Ruina, e cila tregon tragjedinë e panjohur të burgimit të italianëve të dënuar si “armiq” të regjimit komunist, të rikthimit të vështirë në Itali 40 vjet më pas dhe të dënimit për t’u ndier pa identitet, italianë në Shqipëri dhe shqiptarë në Itali.

Kinematografi

Festivali i Filmit TIFF do të hapet dhe mbyllet me kinemanë italiane: ditën e premte, datë 23 nëntor, do të paraqitet për herë të parë në Shqipëri, filmi dokumentar ‘La nave dolce (Anija e ëmbël),  në prani të regjisorit Daniele Vicari. Filmi është paraqitur jashtë konkurimit në Festivalin e 69° të Kinemasë në Venezia, ku është vlerësuar me çmimin Francesco Pasinetti për dokumentarë.

Gjithmonë nga Festivali i Venezia-s mbërrin filmi ‘È stato il figlio’ (Fajtor është i biri) i regjisorit Daniele Ciprì, në prani të të cilit do të mbyllet Festivali TIFF në datën 2 dhjetor.

Artet figurative

Pas mbështetjes së koncertit të rëndësishëm që Orkestra e të Rinjve do të mbajë më datë 26 nëntor 2012, pranë Teatrit të Operas dhe Baletit në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës së Fiesole-s, nën drejtimin e M°. Aldo Ceccato, Istituti Italian i Kulturës do të mbyllë aktivitetet e vitit 2012 me ekspozitën e stampave fotografike nën kujdesin e Shoqërisë së Gjeografisë Italiane me titull ‘Peizazhe të Shqipërisë, Vështrimi i gjeografëve dhe udhëtarëve italianë në gjysmën e parë të shekullit XX’, nga Arkivi i Shoqërisë së Gjeografisë italiane. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 7 deri në datën 14 dhjetor 2012 pranë Muzeut Kombëtar në Tiranë.

Ajo do të pasurohet me paraqitjen e filmit dokumentar ‘Albania, il Paese di fronte (Shqipëria vendi përballë), realizuar nga regjisori Roland Sejko në vitin 2009 me materiale historike të Insitutit Luce dhe arkivave shqiptarë.

Ekspozita dhe dokumentari, që përshkon historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet me Italinë nga shpallja e Pavarësisë deri në rënien e regjimit të Enver Hoxhës, do të paraqiten edhe në qytetet të tjera të Vendit.

M. Alla

Ndonjëherë është mirë të ikësh nga Shqipëria

Meshari i Gjon Buzukut në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë