in

Gallup: Shqipëria, vendi evropian më pak miqësor me homoseksualët

Studimi i kompanisë së sondazheve Gallup vë në dukje se vetëm 28% e popullsisë në botë mendon se vendi i tyre është miqësor me homoseksualët. Në Evropë vendet më miqësore, por Shqipëria renditet e fundit: vetëm 3 ndër 100 shqiptarë të intervistuar mendojnë se Shqipëria

Romë, 28 gusht 2014 – Në Shqipëri, vetëm 3% e popullsisë mendon se qyteti ku ata jetojnë është “vend i mirë”  për homoseksualët. 71% mendojnë të kundërtën. Me këto rezultate Shqipëria renditet e fundit në mbarë Evropën ku mazhoranca e banorëve mendojnë se homoseksualët ndihen mirë në vendet e tyre. Nuk mund të thuhet se është më mirë në këtë aspekt Kosova, ku vërtet 7% e kosovarëve mendojnë se vendi i tyre është miqësor me homoseksualët, por janë 83% të tjerë që mendojnë se Kosova nuk është vend i mirë për ta.

Është përfundimi i një sondazhi të kryer nga Gallup me më shumë se 100 mijë të rritur të intervistuar në 123 vende të ndryshme të botës në vitin 2013. Sondazhi vë në dukje se vetëm 28% e popullsisë në botë mendon se vendi i tyre është miqësor me homoseksualët. Por situata ndryshon shumë nga vendi në vend, e shkohet nga Holanda ku 83% e popullsisë mendon se vendi është gay-friendly te Pakistani apo Senegali, ku këtë gjë e mendon vetëm 1% e të intervistuarve.  (Këtu gjeni renditjen e plotë të gjitha vendeve)

Të dhënat tregojnë se vendi ku banorët e vet mendojnë se homoseksualët mund të jetojnë mirë mes tyre është Holanda (me 83%), i pari vend në botë që ka njohur ligjërisht, që në vitin 2001, martesën mes personash të të njëjtës gjini.

Pasojnë Islanda (82%), Kanadaja (80%), Spanja (79%), Mbretëria e Bashkuar (77%), Irlanda me (75%) dhe Belgjika (74%), edhe këto – me përjashtim të Irlandës – vende që e lejojnë tashmë martesën e homoseksualëve. Në Itali, ku flitet prej kohësh për njohjen në një farë mënyre të lidhjes në çift të personave të të njëjtës gjini, pa u bërë akoma asgjë, vetëm 63% e të intervistuarve mendojnë se ajo është vend i mirë për homoseksualët. Përqindje që gjithsesi e rendit Italinë mbi Gjermaninë, Francën e Austrinë – sa për të përmendur disa vende të tjera të BE-së – ku shifra është edhe më e ulët.

Vendi më armiqsor ndaj homoseksualëve, sipas sondazhit, është Senegali ku vetëm 1% e të intervistuarve pohojnë se vendi ku jetojnë është “vend i mirë” për homoseksualët. Ndërsa plot 98% mendojnë të kundërtën. Në Senegal të kesh marrëdhënie seksuale me një person të të njëjtës gjini është vepër penale e dënueshme deri me 5 vjet burg e deri me 3.000 dollarë gjobë.

Nuk janë shumë më mirë edhe vende të tjera afrikane ku marrëdhëniet mes personash të të njëjtës gjini janë thuajse tabu. Bën përjashtim në kontinent vetëm Afrika e Jugut, i vetmi vend në kontinent që, nga 2006, ka legalizuar martesën homoseksuale. E megjithatë edhe këtu thuajse gjysma pranojnë që vendi i tyre është miqësor: 51% përgjigjen se Afrika e Jugut nuk është vend i mirë për homoseksualët.

Da Mare Nostrum a Frontex Plus: arretra la linea dei pattugliamenti

Merkel u tërheq veshin krerëve të Ballkanit: Qytetarët tuaj të mërzitur nga korrupsioni