in

Gazzetta di Parma: “Komuniteti shqiptar i Parmës, realitet shembullor”

Shoqata Scanderbeg e Parmës sapo ka mbushur 8 vjet jetë. E gjatë kësaj periudhe ka spikatur mes shoqatave të shqiptarëve në Itali por edhe atyre të komuniteteve të huaja në provincën e Parmës për veprimtari të shumta, mes të cilave ia vlen të përmendet skuadra e suksesshme e futbollit e krijuar prej saj apo shkolla shqipe që mbahet hapur vullnetarisht prej disa viteve, pa harruar ditët shqiptare të organizuara thuajse çdo vit nga shoqata apo veprimtaritë e veçanta për prezantime personazhesh, librash, filmash e spektaklesh të ndjekura me interes nga shqiptarë e italianë.
Për këto arsye, shpesh shoqata Scanderbeg ka zënë shpesh faqet e mediave lokale. I fundit në kohë mbërrin shkrimi i Massimo Pinardi në Gazzetta di Parma. Nën titullin “Komuniteti shqiptar i Parmës, realitet shembullor”, Pinardi, që shoqatën e njeh tashmë prej vitesh, shkruan shprehimisht: “Shoqata Scanderbeg me përvojën e saj nuk e ka shoqen në realitetin e provincës së Parmës dhe mendoj që duhet të merret si shembull në nivel krahinor dhe kombëtar”.

Sjellim më poshtë shkrimin me pak shkurtime të përkthyer në gjuhën shqipe nga Debora Lika, 12-vjeçare, bijë emigrantësh, e lindur në Parma që gjuhën shqipe e ka mësuar pikërisht duke ndjekur shkollën Scanderbeg.

Komuniteti shqiptar i Parmës, realitet shembullor

Në ditët e shkuara, është mbajtur festa e shoqatës Scanderbeg, shoqatë e shqiptarëve të  Parmës dhe të provincës.

Një festë e bukur në zemër e lagjes Oltretorrente me veprimari kulturore, ekspozitë fotografike dhe nisma interesante në emër të identitetit kombëtar, të kulturës dhe krenarisë të së qenit pjesë e një komuniteti të ngulur fort në traditat dhe në historinë e saj më të mirë.

Shqiptarët përfaqësojnë një ndër komunitetet e huaja më të mëdha në numër në provincën e Parmës dhe janë të integruar shumë mirë në shoqëri: punojnë, studiojnë, janë sipërmarrës, merren me sport sport (futboll) dhe jetojnë dinamikat e botës tonë brenda kohës sonë.

Janë një realitet i bukur që kam njohur fill nga momenti që vura këmbën në Bashkinë e Parmës si administrator, duke i takuar kam parë shpirtin pozitiv që karakterizonte pionierët e parë të komunitetit shqiptar në Parma që dëshironin të paraqiteshin në mënyrë pozitive dhe me shumë krenari.

Shoqata Scanderbeg me përvojën e saj nuk e ka shoqen në realitetin e provincës së Parmës dhe mendoj që duhet të merret si shembull në nivel krahinor dhe kombëtar.

Për mua dhe për këdo që shkruan për ta, të bësh një artikull dhe të vendosësh në radhë fjalë të bukura dhe vlerësime të drejta është shumë e lehtë aq sa rrezikon të biesh në retorikë e të thuash gjëra të ditura.

Për miqtë e Scanderbegut nuk ka qenë e nuk është kështu. Që kur vendosën që të bëheshin një realitet shembullor dhe i rëndësishëm në Parma, edhe për të mundur paragjykimet e padëshirueshme dhe përbuzëse ndaj tyre, kanë punuar fort, kanë bërë shumë sakrifica (edhe ekonomike) profesionale dhe familjare, me angazhim të lartë.

Sot institucinet lokale dhe krahinore e marrin me seriozitet, dhe e përfshijnë shoqatën Scanderbeg në nismat për promovimin e praktikave të integrimit të mirë, në tavolinat për të përpunuar projekte për bashkëpunim mes komuniteteve të ndryshme të huaja dhe mes të huajve dhe italianëve.

Shqipëria, që është larg Italisë vetëm pak dhjetëra kilometra është duke njohur, që nga kur fitoi lirinë dhe demokracinë, një stinë rritjeje dhe progresi, që sjell mirëqenie ekonomike në familje.

Shumë sipërmarrës italianë lokalë dhe kombëtarë bëjnë biznes nga krahu i tjetër i Adriatikut shpesh në bashkëpunim me ndërmarrjet shqiptare.

Sot Shqipëria po ecën me shpejtësi për të hyrë në Bashkimin Evropian, një projekt që mund të realizohet në kohë të shkurtër. I ka të gjitha për të qenë në komunitetin e vendeve evropiane, që vetëm pak vite më parë kanë qenë të ndarë nga një mur ideologjik i pakalueshëm i ngritur mbi rrënojat e  Luftës së Dytë Botërore.

Italia, që është pjesë integruese dhe protagoniste e kushtetutës së Komunitetit Evropian dhe që sot me kryeministrin Renzi mban Presidencën e Këshillit të BE-së, ka rastin e shkëlqyer të shpejtojë procedurat në mënyrë që Shqipëria të jetë pjesë e saj sa më shpejt dhe me kokën lart. Ta shfrytëzojë këtë rast, pa asnjë hezitim.

U bëjmë urimet miqve të Scanderbeut dhe komunitetit të tyre të bukur. I ftojmë që të vazhdojnë të punojnë siç po bëjnë për rritjen e shoqatës së tyre dhe përforcuar marrëdhëniet mes institucioneve lokale dhe komunitetit të madh shqiptar në Parma.

Massimo Pinardi – Gazzetta di Parma e datës 24 korrik 2014

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Në Itali, familjet emigrante Bakiu dhe Haxhiu përpara pasqyrës

Mbyllen katër përfaqësi diplomatike shqiptare