Peticioni “5.000 firma për jetën” kundër gjakmarrjes do t’i paraqitet institucioneve lokale, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të shërbyer si presion për luftën kundër gjakmarrjes
Tiranë, 8 tetor 2013 – Në Shkodër është mbyllur me sukses, fushata “5.000 firmave për jetën” e vullnetarëve të komunitetit Papa Gjoni XXIII Operacione Colomba, që kishte për qëllim mbledhjen e 5.000 firmave kundër gjakmarrjes. Përmes një konference për shtyp të organizuar nga grupi i vullnetarëve italianë dhe shqiptarë, ata shprehën kënaqësinë se objektivi i tyre është tejkaluar. Peticionin e përpiluar me këtë rast, e kanë firmosur 5.759 persona, kryesisht në qytetin e Shkodrës dhe në veri të vendit, por edhe në Tiranë, Durrës, etj.
Giulia Zurini, koordinatorja e projektit, bëri të ditur se këto firma të mbledhura janë një shenjë e mirë e shoqërisë civile. Sipas saj peticioni do t’i paraqitet institucioneve lokale, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shërbyer në një farë mënyre si presion për të evituar fenomenin e gjakmarrjes.
Zurini theksoi se “e veçanta e këtij peticioni të nënshkruar nga 5.759 shtetas të moshës mbi 16 vjeç, është se ato zotoheshin që nuk do të përdornin dhunë kundër jetës në rastet e hasmërive. Ndërkohë që i kërkohet shtetit që të ndërhyjë në zgjidhjen e luftës kundër ngujimit, duke vënë në funksion ligjet e shtetit për sigurinë e njeriut”.
Përfaqësues të shoqatës “Papa Gjoni XXIII Operazione Colomba”, bënë të ditur se projekti “5.000 firma për jetën kundër gjakmarrjes!”, është një mesazh dhe motivi i një nisme tepër të veçantë që djem e vajza, burra dhe gra, shqiptarë dhe italianë kanë ndërmarrë që prej 7 Qershorit 2013 kundër fenomenit të frikshëm të gjakmarrjes.