in

Gjuha shqipe dhe vlera e saj në edukimin e fëmijëve të emigrantëve

Problemi kryesor i një popullsie të emigruar është raporti me gjuhën e saj amtare. Edhe për familjet e emigrantëve shqiptarë çështja e përvetësimit të gjuhës shqipe prej fëmijëve të tyre përbën një problem të ndërlikuar, dhe në zgjidhjen e këtij problemi ata nuk duhet të lihen vetëm, por duhet të ndihmohen me të gjitha mënyrat nga shoqëria shqiptare dhe ajo e vendit ku banojnë

Nga Dr. Ina Arapi, Vjenë

Me valën e madhe të emigracionit që përfshiu Shqipërinë pas kthesës politike në vitet ‘90 u bënë aktuale edhe problemet e emigracionit në shoqërinë shqiptare. Në shoqërinë kosovare këto probleme ishin shfaqur  që në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur shumë individë dhe familje u shpërngulën me forcë nga trojet e tyre ose emigruan në Evropën perëndimore për një jetë më të mirë. Problemi kryesor i një popullsie të emigruar është raporti me gjuhën e saj amtare. Edhe për familjet e emigrantëve shqiptarë çështja e përvetësimit të gjuhës shqipe prej fëmijëve të tyre përbën një problem të ndërlikuar, dhe në zgjidhjen e këtij problemi ata nuk duhet të lihen vetëm, por duhet të ndihmohen me të gjitha mënyrat nga shoqëria  shqiptare dhe ajo e vendit ku banojnë.

Në përgjithësi gjatë historisë shqiptarët si popull janë shquar për një ndërgjegje shumë të lartë gjuhësore. Megjithëse gjatë mijëvjeçarëve ata kanë pasur të bëjnë me gjuhët më prestigjioze të kohës si latinishtja e greqishtja, ata vazhduan të flasin në gjuhën e tyre. Po kështu ata nuk pranuan ta zëvendësojnë shqipen me gjuhë të tjera pushtuese si turqishtja dhe më vonë serbokroatishtja, megjithëse ato mund t’u sillnin favore në planin social dhe shtetëror. Një shembull i veçantë në këtë rast është përdorimi i gjuhës shqipe në ambiente të caktuara edhe sot nga komunitete shqiptarësh që kanë emigruar para shumë kohe nga Shqipëria si arbëreshët e Greqisë e të Italisë, por edhe shqiptarët e emigruar në Ukrainë, Bullgari etj. Këto raste mund të konsiderohen si një dukuri social-gjuhësore.

Kjo tendencë po duket qartë edhe në kohën tonë. Megjithëse ballafaqohen me një situatë tepër komplekse, për familjet shqiptare që kanë emigruar jashtë shtetit çështja e përvetësimit të shqipes dhe të nivelit në të cilin duhet bërë ky përvetësim prej fëmijëve të tyre përbën një problem.

Duke pasur parasysh nivelin e studimeve në këtë fushë dhe përvojën personale shumëvjeçare në shkolla austriake të llojeve të ndryshme besoj se përvetësimi i gjuhës amtare ka një vlerë të pazëvendësueshme për zhvillimin dhe edukimin e përgjithshëm të fëmijëve emigrantë për këto arsye:

1. Së pari, komunikimi me fëmijët në gjuhën amtare të prindërve ka rëndësi themelore për zhvillimin e botës shpirtërore dhe emocionale të fëmijëve. Sado mirë që ta flasin prindërit gjuhën e huaj, ata asnjëherë nuk do të jenë në gjendje që t’u transmetojnë fëmijëve në atë gjuhë të gjithë kompleksin e ndjenjave dhe emocioneve të tilla njerëzore si dashuria, përkëdhelja, siguria, kënaqësia, pakënaqësia, mospranimi, mospajtimi, dhimbja, vuajtja, zemërimi, urrejtja etj. Nuk duhet të harrojmë që çdo gjuhë zhvillohet paralelisht jo vetëm me zhvillim ekonomik e teknik të shoqërisë, por edhe me zhvillimin emocional të saj. Si çdo popull, edhe shqiptarët e kanë fiksuar botën e brendshme shpirtërore në radhë të parë në gjuhë duke qenë bile në këtë drejtim edhe origjinalë. Ruajtja e mënyrave të vjetra foljore si dëshirorja dhe habitorja, të cilat popujt e tjerë indoevropianë i kanë humbur me kohë, është një ndër treguesit e shumtë në këtë pohim. Komunikimi me fëmijët në një gjuhë të thjeshtëzuar çon në një reduktim me pasoja të botës së tyre emocionale dhe shpirtërore.

2. Frika e shprehur shpesh se mësimi i gjuhës amtare pengon përvetësimin perfekt të gjuhës së vendit ku jeton emigranti, është në shumë drejtime e pabazuar. Fenomeni i bilinguizmit siç quhet në gjuhësi, pra përvetësimi i menjëhershëm i dy ose më shumë gjuhëve nuk është një gjë e re. Me këtë fenomen njerëzimi është konfrontuar ndoshta që në fillimet e tij. Mjafton të përmendim faktin se të gjitha shtresat e larta të çdo shoqërie të zhvilluar kanë synuar t’i edukojnë fëmijët e tyre si dygjuhësh, p.sh. aristokracia e dikurshme në gjuhën franceze, ndërsa në kohën tonë në gjuhën angleze. Nga kontakte disavjeçare me shkolla anglishtfolëse në Vjenë nuk mund të konstatoj që mësimi paralel i gjuhës angleze t’u ketë krijuar vështirësi fëmijëve për përvetësimin e gjuhës gjermane ose gjuhëve të tjera amtare. Përkundrazi. Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se sa më mirë ta njohë fëmija gjuhën amtare, aq më mirë i përvetëson ai edhe gjuhët e huaja. Dhe kjo është e qartë. Një fëmijë, i cili që i vogël është mësuar të manovrojë midis dy realiteteve të ndryshme gjuhësore, sigurisht që ka zhvilluar edhe kapacitetet e duhura psikike për përvetësimin e tyre. Këta fëmijë kanë më vonë lehtësira edhe në përvetësimin e gjuhëve të tjera të huaja. P.sh., një fëmijë që jeton në Greqi dhe që flet edhe shqip e ka më të lehtë përvetësimin e anglishtes, qoftë dhe vetëm për shkak të fjalëve të përbashkëta romane që ka shqipja me këtë gjuhë. Por ky është një shembull shumë i thjeshtë. Fenomeni i zotërimit të një gjuhe është procesi psikik më kompleks dhe më i ndërlikuar që kryhet në trurin njerëzor. Nëpërmjet gjuhës fëmijës i transmetohen edhe shumë njohuri që lidhen me shoqërinë përkatëse, nocione e koncepte të tjera, përvoja, tradita  etj. që në rastin konkret janë specifike për shoqërinë shqiptare. Pra duke jetuar në këtë realitet shumëgjuhësor qytetari i ardhshëm zhvillon jo vetëm aftësitë e tij psikike, por edhe ato njohëse. Shkenca mendon se mësimi i një gjuhe të re lidhet me aktivizimin e qelizave të reja të mbyllura më parë në trurin njerëzor.

3. Përvetësimi i gjuhës amtare është gjithashtu i rëndësishëm për statusin social të individit. Njohja e gjuhës shqipe do të thotë jo vetëm njohja e vendit të origjinës, por në radhë të parë ruajtja e lidhjeve shekullore familjare. Do të thotë mundësi komunikimi me të afërmit duke filluar nga gjyshërit e kushërinjtë deri tek ata që do të linden më vonë. Shoqëria moderne e ka nxjerrë në pah më tepër se kurrë rëndësinë e familjes. Duke jetuar në një botë të hapur njeriu rrezikon të humbasë, të izolohet dhe të shkëputet nga ajo çka është më kryesorja për të, nga komunikimi me njerëzit e tjerë. Familja është ajo që të jep mbështetjen kryesore në jetë, sidomos në momentet e vështira. Prandaj sot të qenit pjesëtar i një familjeje të konsoliduar, paraqet një prioritet shumë të madh. Një njeri i vetëm s’është asgjë, pavarësisht nga vendi ku ndodhet ai. Po kështu një njeri pa të shkuar, është si një vend pa të shkuar. Sa më e lashtë të jetë një shoqëri, aq më e qëndrueshme dhe më e përshtatshme për individin është ajo.

4. Së fundi mësimi i shqipes lidhet edhe me disa lehtësira që mund të ketë fëmija në të ardhmen. Ne sot jetojmë në një shoqëri multikulturore dhe në kohën e globalizmit. Shqipja është ende një gjuhë e rrallë, por kontaktet e vendit me vendet e tjera po vijnë duke u shtuar me shpejtësi. Njohja e mirë e saj do të thotë prioritet për fëmijën, do të thotë shanse më të mira punësimi, do të thotë aktivitet në një fushë relativisht të kufizuar. Sigurisht kjo varet dhe nga vendi ku jeton fëmija emigrant. Në vendet fqinje si Greqia, Italia, Austria e vende të tjera me lidhje tradicionale me Shqipërinë ky favor është më i madh. Por edhe në vende larg Shqipërisë ky favor lidhet me faktin që atje shqipja është një mall që mungon. Në fund të fundit do të jenë këta fëmijë që do të shërbejnë si urë lidhëse midis atdheut të dikurshëm të prindërve dhe atdheut të tyre të ri.

Për ne që jetojmë në Austri është një favor i madh fakti që pas shumë e shumë vitesh përvoje  autoritetet shkollore austriake e kuptuan domosdoshmërinë e përvetësimit të gjuhës amtare dhe e integruan atë në planin mësimor. Nga shtatori i këtij viti do të jetë i mundur edhe mësimi i shqipes në shkollat e mesme të përgjithshme si gjimnazet etj. Për shumë gjuhë të tjera kjo është bërë me kohë. Prandaj prindërit shqiptarë duhet të fillojnë të pyesin që tani në drejtoritë e shkollave dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet që edhe fëmijët e tyre të kenë mundësinë e përvetësimit edhe të gjuhës së tyre amtare shqipe.

Viaggio in Albania e nelle terre dell’Adriatico

Marrëveshja e integrimit. Pikët e lejeqëndrimit kontrollohen on-line