in

Homoseksualë të përndjekur në atdhe? U jepet strehimi politik

I njihet statusi i refugjatit një egjiptiani, një iraniani dhe një libianeje për të cilët në Milano u interesuan vullnetarët e Projektit IO: “Kemi besim se do të mund të zgjidhim edhe raste të tjera të ngjashme”. Dell’Amico (Arcigay): “Komisionet territoriale gjithnjë më të vëmendshme”

Romë, 10 nëntor 2011 – Në atdhe nuk mund të jetonin lirshëm homoseksualitetin e tyre, rrezikonin përndjekjen, arrestimet, edhe dënimin me vdekje. Tani mund të jetojnë të qetë në Itali.

U përmbyll mirë historia e një egjiptiani, iraniani dhe një libianeje që në muajt e shkuar kishin kërkuar strehim në Itali. Komisionet territoriale të Milanos dhe Gorizias që kanë shqyrtuar kërkesat u kanë njohur statusin e refugjatit, duke demonstruar edhe njëherë që nuk janë vetëm luftërat e përndjekjet politike që justifikojnë dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare.

Tre të rinjtë janë ndjekur nga Progetto IO “Immigrazione e Omosessualità” që në Milano është promovuar nga Arcigay, Arcilesbica, Ala Onlus dhe të tjera shoqata aktive në sferën e imigracionit, që ndjek raste të ndryshme të këtij lloji (e-mail progettoio[at]arcigaymilano.org). “Këto rezultate na japin besim edhe për zgjidhjen e rasteve të tjera të ngjashme” shkruajnë vullnetarët në një komunikatë.

“Ndihmojmë kërkuesit e strehimit të dokumentojnë historinë e tyre personale, çfarë i shtyu të kërkojnë mbrojtje, duke vënë kështu në dukje aspektet e lidhura me orientimin e tyre seksual. Më pas ndërtojmë një dosje mbi vendlindjen e ky material përdoret nga komisioni territorial për të vlerësuar kërkesën e strehimit” thotë një nga përgjegjësit e Projektit IO, Diego Puccio.

Migrantët homoseksualë e kanë rrugën edhe më të vështirë së të tjerët. “Këtu diskriminohen dy herë, si imigrantë e si homoseksualë. Po të tregojnë orientimin e tyre seksual, humbasin mbështetjen e komunitetit të tyre, pra rrjetin që zakonisht i ndihmon për të gjetur punë e shtëpi apo edhe që e ndihmon në çaste të vështira ekonomike. Pa llogaritur që çfarë ndodh këtu u përcillet familjeve në atdhe” nënvizon Puccio.

Ndaj lind nevoja të gjendet mbështetje jashtë komunitetit. “Vitet e fundit shtë rritur shumë vëmendja e shoqatave ndaj imigrantëve gay, lesbike, biseksualë dhe transeksualë. Përvoja të ngjashme me atë të Projektit IO të Milanos po marrin jetë edhe në qytete të tjera të Italisë” thotë Giorgio Dell-Amico, përgjegjës i imigracionit dhe i azilit të Arcigay-t.

Në fund të muajit, do të mbahet një konferencë dedikuar “Mbrojtjes ndërkombëtare për orientimin seksual dhe identitetin e gjinisë”, të organizuar nga Rete Lenford. Tema është mëse aktuale: “Komisionet territoriale – konfirmon Dell-Amico – janë gjithnjë e më të ndjeshëm në vlerësimin e rasteve të homoseksualëve që u largohen përndjekjeve në vendlindje. Kur situatat janë të qarta, nuk ngurojnë më t-u njohin statusin e refugjatit ose të mbrojtjes humanitare”.

Elvio Pasca

 

Të rinjtë, simpatizantët e sotëm të populizmit në Europë

Djali rrezikon jetën. Merr një vizë të falsifikuar e vjen të kurohet në Itali