in

Ibrahim Kodra përkujtohet në Tiranë e Milano në 95-vjetorin e lindjes

Në Galerinë Kombëtare të Arteve është  mbajtur një takim me artistë dhe intelektualë me rastin e përvjetorit të lindjes së mjeshtrit. Ndërsa në Milano, gjithnjë në nder të tij, Fondacioni Ibrahim Kodra do të organizojë nga 14 maji një ekspozitë

Tiranë 23 prill 2013 – Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra, në përkujtim te jetës dhe veprës së tij, pasditen e 22 prillit, në Galerinë Kombëtare të Arteve, u zhvillua një bisedë me artistë dhe intelektualë.

Mund të konsiderohet si “babai” i pikturës moderne shqiptare, por Ibrahim Kodra nuk njihet sa duhet nga ata që zgjedhin ta studiojnë. Kjo është arsyeja pse në 95-vjetorin e lindjes së piktorit te njohur nga Ishmi, por që jetoi e krijoi nga mosha 20vjeçare e deri sa u nda nga jeta në Milano, kritiket zgjedhin të bëjnë apel. Sipas Suzana Varvaricës dhe Ylli Drishtit, krijimtaria e gjerë 60-vjeçare e Kodrës, duhet të pasqyrohet në një monografi. Studiuesit shprehen se në shtëpinë muze të Kodrës në Milano ka mjaft materiale mbi jetën e tij, të cilat duhet të përfshihen në një botim në bashkëpunim mes shqiptarëve dhe italianëve. Njohësit e mjeshtrit shprehen se pas vitit 2003, pikturat apo veprat e Kodrës kanë ngjallur interes edhe tek koleksionistët shqiptarë, duke krijuar kështu një grup adhuruesish që tashmë koleksionojnë firmën Ibrahim Kodra.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Krijimet e tij artistike u prezantuan për publikun shqiptar, vitin që lamë pas, në kuadër të 100-vjetorit. Fondacioni “Ibrahim Kodra” në Milano disponon vetëm pak prej qindra tablove të kompozuara nga Kodra, ndërkohë që shumë prej tyre janë shitur kur ai ka qenë ende gjallë.

Në nder të 95-vjetorit të lindjes së tij, Fondacioni Ibrahim Kodra në Milano do të organizojë një ekspozitë kolektive me titullin “Oltremare” ku përveç veprave të Kodrës do të ekspozohen edhe ato të Agim Mukës, Artan Shabanit, Alfred Mirashi Milotit, Vénera Kastratit, Alban Met-hasanit, Shpati Hodojt, Stefany Savinos, Arjan Shehajt, Ervin Zykës.

Ekspozita do të çelet më 14 maj në shtëpinë muze të artistit ku ka selinë fondazioni (Piazzale Lagosta 2, Milano) dhe do të mund të vizitohet deri më 28 maj.

Piktura e Ibrahim Kodrës është një bashkim i çuditshëm botësh; botës së tij origjinale, të mbartur nga vendlindja, me motivet dhe historinë e saj, shpesh herë të etiketuar si orientale nga shtypi italian, dhe skemave artistike perëndimore që kishin marrë jetë me avangardat e fillimit të shekullit të njëzetë. Ky bashkim, kjo përzierje e bën Kodrën një artist tepër të veçantë për periudhën kur ai jetoi dhe punoi.               

Kubizmi i Kodrës nuk është një përpjekje për ta shpërbërë objektin por për ta ribërë atë, duke e kthyer pikturën e tij në një mjet precizioni të lartë, në funksion të të kuptuarit dhe të gjykuarit të artit dhe kulturës perëndimore, duke zgjedhur rrugën e përballjes kritike me këtë të fundit.

Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me njė bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai e lë Romën dhe shkon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Gjatë jetës së tij ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Belograd, Nju Jork, krijon raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Shagall, Matis, Fontana, Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Montale dhe Sereni, nga Bertoni tek Munari, dhe Marotta.

Ai u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2006. Piktori Ibrahim Kodra kthehet i vdekur në atdhe. Në aeroportin “Nënë Tereza” zbresin nga avioni që vinte nga Milano, arkivolin e tij. Me nderime dhe ceremonial shtetëror përcillet për në vendlindje. Varri i tij ngrihet mbi një kodër në fshatin Ishëm.

Giorgio Napolitano, presidenti i italianëve të rinj

Onorina Myslymi: “Il trucco del trucco? Ve lo svelo su youtube”