in

Ideja e ndritur e Alfanos: “Vendlindjet të paguajnë për të huajt në burgjet italiane”

Ministri i Brendshëm italian: “Ushqimi e fjetja të jenë në ngarkim të vendeve nga vijnë”. Për Livia Turco (PD), ide të tilla janë kodra mbas bregut

Romë, 22 gusht 2013 – “Jam i mendimit që ushqimi dhe fjetja e të burgosurve imigrantë të paguhen nga vendet e tyre”. E ka thënë sot zëvendës-kryeministri dhe ministri i Brendshëm Angelino Alfano në mbledhjen e Riminit ndërsa flitej për emergjencën e burgjeve.

“Jemi popull mikpritës, pranojmë migrantët afër Maltës, në vend të Maltës, por Italia nuk mund të harrohet nga Europa” ka shtuar Alfano. “Një nga shkaqet që në Itali kemi kaq shumë të burgosur, anuk mund të jetë edhe fakti që Italia është kufiri i BE-së në Mesdhe? Atëherë them se mirëpresim kritikat e BE-së, por ajo nuk mund të kërkojë shumë e të japë shumë pak” ka theksuar ministri i Brendshëm.

Në burgjet italiane mbahen të mbyllur 64.873 persona, nga këta 22.744 janë të huaj, prej të cilëve 2.837 shqiptarë (sipas të dhënave të ministrisë italiane të Drejtësisë për 31 korrikun 2013). Sa i kushtojnë shtetit? Giovanni Battista Durante, sekretar i përgjithshëm i Sappe, sindikata e policisë së burgjeve, thotë se një i burgosur i kushton shtetit 120 euro në ditë. Sipas idesë së Alfanos, Shqipërisë do t’i takonte të paguante për paratë për mëse 2.800 shqiptarët në burgjet italiane. A do të ishte i gatshëm shteti shqiptar t’i paguajë Italisë shpenzimet për ushqimin e fjetjen e tyre, 336 mijë euro në ditë?

A do të ishte i gatshëm shteti shqiptar t’i paguajë Italisë shpenzimet për ushqimin e fjetjen e tyre?

Turco (PD): “Propozim tuhaf dhe i papraktikueshëm”

“Në një çast krize ekonomike si i tanishmi është mirë të ngrihet problemi i kursimit në çdo aspekt. Por megjithatë, propozimi i Alfanos është absolutisht tuhaf dhe i vështirë për t’u zbatuar”. Kështu komenton Livia Turco, presidente e Forumit të imigracionit të PD-së, idenë e ministrit për t’u ngarkuar vendlindjeve shpenzimet për mbajtjen në burg të të huajve.

“Nëse vërtet duhet kursyer në aspektin e politikave të imigracionit, është mirë që ministri i Brendshëm të shohë strukturat e qendrave të identifikimit dhe të dëbimit, që janë jo vetëm çnjerëzore dhe aspak efikase, por edhe shumë të kushtueshme” thotë Turco.

“T’i hyjë punës për të pasur ndihma konkrete nga Europa dhe të lidhë marrëveshjet dypalëshe me vendet nga vijnë flukset. Faktet tregojnë se vetëm kështu administrohet me efikasitet imigracioni” përfundon eksponentja e PD-së.

K.B. / Shqiptari i Italisë

 

Nga shtatori edhe të huajt mund të punësohen në administratën publike

Tahiri merr mbështetjen e Alfanos në luftën ndaj trafiqeve e integrimin europian