in

Intelektualët letër të hapur Kryeministrit: “Mbroni gjuhën shqipe”

Njëzet gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë, përkthyes e botues i kanë shkruar së fundi kryeministrit Rama për t’i kërkuar mbrojtjen e gjuhës shqipe. Firmëtarët e kësaj letre janë kundër diskutimit që po bëhet në Akademinë e Shkencave për rishikimin e gjuhës së njësuar dhe kërkojnë mosndryshim të gjuhës së vendosur në kongresin e 1972-it dhe përdorimin e saj të drejtë në institucionet shtetërore.

Intelektualët shprehin shqetësimin se në 23 vjetët e fundit shqipja e njësuar po rrënohet. Nga njëra anë, përdorimi i saj në të gjitha fushat është lënë plotësisht jashtë çdo kontrolli, në kundërshtim të hapur me praktikën e vendeve të qytetëruara. Nga ana tjetër, autoriteti më i lartë i shkencës shqiptare, Akademia e Shkencave, në vend që të ngrinte zërin e saj për këtë rrënim të kulturës kombëtare dhe të shpenzonte të gjithë fondin e vet financiar të dhënë nga shteti në mbrojtje të gjuhës shqipe, është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit, të vetmit mjet ku populli shqiptar i të gjitha trevave gjen mundësinë pakrahasimisht më të lartë të identifikimit dhe të komunikimit.

Ndaj ata arrijnë në përfundimin se ka ardhur koha “që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti “të diturish”, por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh, edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme”.

Letra e plotë:

I nderuar zoti Kryeministër,

Të shtyrë nga gjendja në të cilën është lënë sot përdorimi publik i gjuhës shqipe dhe nga ndjenja e detyrës qytetare, po ju drejtohemi me këtë letër të hapur.

Krijimi i gjuhës së shkruar të përbashkët përbën një nga arritjet më madhore të kombit shqiptar. Njësimin e gjuhës letrare shqipe Kongresi i Drejtshkrimit e pa në thelb – dhe ky është vështrimi i vetëm me të vërtetë shkencor – si parakusht të kulturimit të jetës së shoqërisë dhe si shtytës kryesor të qytetërimit të vendit. Ky njësim nuk qe thjesht zgjedhje e një luleje mes disa lulesh, por përzgjedhje e kristalizim i një sistemi, i cili, më mirë se cilido tjetër, kishte arritur të përfaqësonte gjithçka të mirë të krijuar e të ruajtur me mund e flijim në të shkuarën, dhe, krahas kësaj, vetë prirjen e natyrshme të çdo gjuhe të lëvruar për të ecur drejt begatimit të mëtejshëm e për të marrë pas në këtë rrugë brezat e rinj të një populli. Kjo u arrit duke përgjithësuar në mënyrë shkencore gjithë përvojën e shkrimit dhe të përpunimit të gjuhës shqipe, gjithë frymën e përpjekjeve për të arritur në një gjuhë letrare të njësuar, si thelb i konvergjencës së kombit shqiptar.

Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës. Duke parë këtë rritje cilësore dhe shtrirje të gjuhës letrare, mund të thuhet pa mëdyshje se në rrjedhën e përpjekjeve për gjuhën e njësuar nuk ka arritje më të madhe se Kongresi i Drejtshkrimit. Parimet dhe vendimet e tij – parë me paanësi, largpamësi, qytetari dhe atdhetari – përbëjnë një themel të shëndoshë, të palëkundur e të pazëvendësueshëm për zhvillimin e gjuhës, rrjedhimisht për ngritjen kulturore dhe forcimin e bashkëveprimit e të bashkëpunimit kombëtar.

Për rreth dy dhjetëvjeçarë pas Kongresit gjuha shqipe jo vetëm nuk njohu shpërdorime e kriza zhvillimi, por dëshmoi të gjitha aftësitë e saj të mrekullueshme për të pasqyruar me fuqinë e fjalës çdo krijim të shëndoshë të mendjes dhe të shpirtit njerëzor. Gjuha letrare shqipe mori shtrirje mbarëkombëtare dhe u bë tipari kryesor që dallonte kulturën nga kinsekultura, prirjen shoqërore për përparim nga amullia dhe zvetënimi. Në atë periudhë gjuha shqipe njohu një lëvrim, fuqizim e pasurim, që vështirë ta kishin përfytyruar edhe vetë veprimtarët e shquar të Kongresit.

E kundërta ka ndodhur e po ndodh në periudhën vijuese. Gjuha letrare shqipe iu nënshtrua nga qarqe të caktuara një sulmi që e turpëron shtetin shqiptar dhe që sjell në kujtesë periudhat e zymta e të errëta historike, kur lëvrimi i saj ishte i padëshiruar dhe luftohej me të gjitha mjetet. Kjo periudhë dëshmon, gjithashtu, se ç’ndodh me këtë pasuri mbarëkombëtare dhe tipar themelor të identitetit tonë kombëtar kur shteti heq dorë nga detyrimi i shenjtë për ta mbrojtur dhe lejon me papërgjegjësi rrënimin e saj. Tanimë është e qartë për këdo që vë interesat e vendit dhe të shoqërisë mbi gjithçka, se goditjet ndaj gjuhës letrare shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit janë pjesë thelbësore e goditjeve të shpeshtuara shpërbërëse që vijnë nga anë të ndryshme.

Shqipja e njësuar, që meriton të cilësohet si përfaqësuesja e vetme e mbarë gjuhës shqipe falë shkallës së lartë të kodifikimit në të gjitha nënsistemet e saj, falë zhvillimit të cilësive shprehëse kuptimore e estetike pakrahasimisht të larta, falë pasurisë dhe shtrirjes mbarëkombëtare, përballet në këta 23 vjet me dy ndikime rrënuese. Së pari, përdorimi i saj në të gjitha fushat – nga arsimi te dokumentet zyrtare, te kultura librore, te mjetet e shtypit – është lënë plotësisht jashtë çdo kontrolli, në kundërshtim të hapur me praktikën e vendeve të qytetëruara. Së dyti, qendra më e lartë e shkencës shqiptare, Akademia e Shkencave, në vend që të ngrinte, me forcën e plotfuqishme të së vërtetës, zërin e saj për këtë rrënim të kulturës kombëtare dhe të shpenzonte të gjithë fondin e vet financiar të dhënë nga shteti në mbrojtje të gjuhës shqipe, është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit, të vetmit mjet ku populli shqiptar i të gjitha trevave gjen mundësinë pakrahasimisht më të lartë të identifikimit dhe të komunikimit.

Të flasësh sot, pas gjithë përvojës së jashtëzakonshme që është grumbulluar në lëvrimin e gjuhës së njësuar shqipe, për mangësitë e drejtshkrimit, të cilat qenkan bërë shkas i keqpërdorimit të gjuhës shqipe, është jo vetëm krejt e pasaktë shkencërisht, por dhe një veprim i padenjë edhe për një qytetar të rëndomtë. Kjo do të thotë të mohosh gjithë historinë e përpjekjeve për të arritur deri tek akti historik i njësimit të gjuhës, kjo do të thotë të mohosh vetë arritjet e shkëlqyera dhe të jashtëzakonshme të kësaj gjuhe të njësuar.

Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Nuk duhet lejuar të ndodhë vulgarizimi dhe zhargonizimi i gjuhës sonë letrare, nuk duhet lejuar që gjuha jonë e bukur shqipe, vlerat estetike dhe traditat e saj të merren nëpër këmbë. Shkrimi dhe shqiptimi i drejtë dhe i plotë i gjuhës shqipe është shenja e parë e qytetarisë. Çdo mohim i kësaj së vërtete është kundërshkencor, kundërqytetar dhe kundëratdhetar. Dhe për çështjen e madhe të mbrojtjes dhe lëvrimit të shqipes letrare në përputhje me vendimet historike të Kongresit të Drejtshkrimit ia vlen të bëhet çdo përpjekje dhe të mobilizohet e gjithë shoqëria. Këtu nuk ka vend për liberalizma naivë, as për eksperimentime teorish të ndërtuara në rërë. Nuk na lejohet të shkelim e të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedashës, që me punën ngulmuese dhe diturinë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmi me vlerë të paçmuar.

Është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti “të diturish”, por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh, edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme. Kjo duhet t’i bëjë përdhosësit e shqipes të largohen nga rruga e tyre. Por shteti nuk ka përse ta lërë këtë në dorë të ndërgjegjes së askujt.

Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur “ndërakademik” ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe!

Zoti Kryeministër! Jemi të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe! Historia do të na gjykojë të gjithë për sa do t’i përgjigjemi detyrës ndaj atdheut.

Me nderim,
Emil Lafe (gjuhëtar),
Jorgji Gjinari (gjuhëtar),
Xhevat Lloshi (gjuhëtar),
Valter Memisha (gjuhëtar),
Kristina Jorgaqi (gjuhëtare),
Rami Memushaj (gjuhëtar),
Hajri Shehu (gjuhëtar),
Thoma Dhima (gjuhëtar),
Nexhip Mërkuri (gjuhëtar),
Mustafa Karapinjalli (gjuhëtar),
Albert Riska (gjuhëtar),
Kiço Blushi (shkrimtar),
Nasi Lera (shkrimtar),
Preng Cub Lleshi (shkrimtar),
Moikom Zeqo (shkrimtar),
Kristo Frashëri (historian),
Pëllumb Xhufi (historian),
Petrit Ymeri (botues),
Naim Zoto (botues),
Shpëtim Çuçka (përkthyes).

“Salvataggio in Albania”, serata dedicata agli albanesi Giusti tra le Nazioni

Daria Bignardi: “Kush është kundër Evropës, le të shkojë njëherë në Tiranë e Stamboll”