in

Karta e qëndrimit. “Edhe familjarëve u nevojiten 5 vjet qëndrim në Itali”

Gjykata e Drejtësisë e BE-së hedh poshtë interpretimin e bërë nga disa gjykata italiane. “Kriteri i qëndrimit të ligjshëm e të pandërprerë vlen për të gjithë”

Romë, 26 korrik 2014 – Pesë vjetët e qëndrimit të rregullt janë një kriter i domosdoshëm për të futur në xhep lejen e qëndrimit BE për qëndrues afatgjatë, apo atë që njihet si karta e qëndrimit. Ky kriter mbetet në fuqi edhe për familjarët e kujt ka këtë lloj dokumenti qëndrimi.

Një sentencë e dhënë disa ditë më parë nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian hedh poshtë interpretimet “dorëlëshuara” të gjykatave të ndryshme italiane që për familjarët nuk e kërkonin përmbushjen e këtij kriteri.

Në Luksemburg mbërriti rasti i qytetares pakistaneze Tahir që ka ardhur në Itali në vitin 2010 falë bashkimit familjar. Në vitin 2012 i kërkoi kuesturës së Veronës kartën e qëndrimit, duke u mbështetur në faktin se i shoqi ka këtë dokument qëndrimi.

Kuestura iu përgjigj “Jo” kërkesës së saj, sepse gruaja ishte në Itali vetëm prej dy vjetësh. Ajo iu drejtua më pas gjykatës së Veronës e kjo e fundit iu drjtua Gjykatës evropiane të Dretësisë pr sqarime mbi rastet e tilla.

Neni 9 paragrafi 1 i dekretit legjislativ nr 286/98, që ka pranuar direktivën 2003/190/BE thotë: “I huaji që ka, prej të paktën pesë vjetësh, një lejeqëndrim të vlefshëm […] mund t’i kërkojë kuestorit lëshimin e lejes së qëndrimit BE për ëndrues afatgjatë, për vete dhe për familjarët”.

Por edhe ata familjarë duhet të jenë me qëndrim të rregullt prej pesë vjetësh? Ligji nuk e thotë shprehimisht, por sipas gjykatësit të Veronës e kolegë të tjerë të tij përgjigjja është “jo”. Kështu Italia ka aplikuar në mënyrë më të favorshme dispozitat evropiane duke mos u kërkuar familjarëve përmbushjen e kriterit të qëndrimit 5-vjeçar.

Por në Luksemburg duket se nuk e mengojnë si gjykatësit italianë. “Në formulimin e direktivës 2003/190/BE – shpjegon një komunikatë e Gjykatës së Drejtësisë – asgjë nuk lë të nënkuptohet që një familjar i një qëndruesi afatgjatë të përjashtohet nga respektimi i kriterit të qëndrimit të ligjshëm dhe të pandërprerë pesë-vjeçar për të përfituar statusin e qëndruesit afatgjatë”.

Nëse italia dëshiron, shton Gjykata e Drejtësisë, mund t’u lëshojë leje qëndrimi familjarëve të qëndruesve afatgjatë që nuk e përmbushin kriterin e qëndrimit 5-vjeçar. Por në këtë rast, “nuk është më fjala për leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë sipas direktivës evropiane e dokumente të tilla nuk u japin mbajtësve të drejtën e qëndrimit në vende të tjera anëtare të BE-së”.  

Elvio Pasca

Cittadinanza. Sono diventato italiano, i miei figli?

Albanesi e Slavi – Dizionario dei termini